
Edhe pse në tre sisteme politiko – shoqërore të ndryshme, mbeti një figurë e shquar dhe konstante e zhvillimit dhe përparimit shoqëror
Kahreman Ylli lindi më 22 prill të vitit 1917, në Leshnje të Skraparit.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Më pas kreu Shkollën Normale të Elbasanit. Pas saj, caktohet mësues në Zaloshnje të Skraparit.
Në vitet 1936-1938 kryen studimet e larta në Akademinë Pedagogjike të Lionit në Francë. Aty lidhet me grupet antifashiste dhe aderon në Partinë Komuniste Franceze.
Në ilegalitet, me pseudonimin Burlati, ishte një nga iniciatorët e parë për nxjerrjen e gazetës “Populli”. Në vitet 1938-1939 emërohet drejtor shkolle në Peshkopi. Pas viteve ’40 punon si inspektor arsimi në Berat.
Në vitet 1940-42 bëhet frymëzues dhe organizator i ngritjes së çetave partizane në Skrapar dhe në Berat.
Në vitet 1942-1944 emërohet komisar i Shtabit Nacionalçlirimtar të Qarkut të Beratit.
Menjëherë pas çlirimit ngarkohet me detyra të rëndësishme diplomatike, ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Paris, më pas përfaqësues i vendit tonë në OKB.
Në planin diplomatik, është e njohur lufta që bëri ai për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Gjyqin e Hagës, ku me një frëngjishte të pastër e elokuencën e të folurit habiti trupin gjykues.
Më 1948 emërohet ministër i Arsimit e më pas zëvendësministër, derisa në vitin 1961 emërohet rektori i Universitetit të Tiranës.
Kahreman Ylli njihet si një nga figurat kryesore, në mos më kryesori i zhvillimit të shkencës në kushtet shqiptare, sidomos në ngritjen e Universitetit të Tirnës, Akademisë së Shkencave dhe instituteve të tjerë shkencorë.
Në vitin 1970 emërohet në një detyrë tjetër, por s’hoqi dorë nga arsimi dhe reformat që kishte nisur, veçanërisht në arsimin e lartë.
Ndahet nga jeta më 3 shtator 1975, duke mbetur një nga figurat më të shquara të diplomacisë, sidomos të arsimit shqiptar.