Edison Ypi: Çifligjet e mia

Edison Ypi: Çifligjet e mia

 

Unë, Edison Bej Ypi, stërnip pashallarësh dhe rilindasish, shtëpi pene dhe pushke denbabaden qëkur s’mbahet mend, inxhinier dhe perfeksionist, skllav i përunjur i Bukurisë, efikasitetit, rendimentit, fjalës së zgjedhur, jam pronar me letra i më të mëdhenjve çifligje të botës; çifligjeve të traditës, atdhedashurisë, qytetarisë, edukatës, respektit, ndjeshmërisë, shpirtmadhësisë, zemërgjerësisë, tolerancës, transparencës, mirkuptimit, shpresës, ëndërrave të mia.

 

 

Unë nuk shitem as nuk blihem. Kurrë. Dhe as atëhere. Për asnjë çmim. Vlera e çifligjeve që unë kam brenda gjoksit është e pallogaritëshme. Për t’i blerë apo shitur ato çifligje, pra për të më blerë apo shitur mua, duhet shqyer gjoksi im, ç’ka është e pamundur sa kohë buldozerat dhe eskavatorat që atë shqyerje do ta mundësonin ende nuk janë shpikur.

 

 

Unë gjithë kohës udhëtoj kah errësira drejt dritës, kah gjumi drejt zgjimit, kah vdekja drejt lindjes.

 

Unë jam ëndërra. Nga ëndërra ime shpërthen drita.

 

Nga ëndërra tek ëndërra, nga drita tek drita, nga të dyja tek secila, nga secila tek të dyja dhe tek të gjitha, mua më mbështjell Liria.

 

Unë nuk kam caqe hapsionore; Për mua grimca është më e madhe se gjithësia, dhe gjithësia më e vogël se grimca.

 

Nuk kam as pengesa kohore. Tek unë gjithçka ndodh përgjatë një kohe rrjedhën e së cilës e mat një sahat pa akrepa dhe pa numura.

 

Brenda meje ka kështjella me mure të lashta me myshqe dhe bedena të larta rrethuar me ledhe të thella ku bëhen luftra të përgjakta.

 

Brenda kështjellave dhe ëndërrave të mia luftojnë heronj të pamposhtur me heshta, bomba, aeroplana.

 

Oqeanet dhe detet e mia ku fryjnë erëra të tërbuara, janë të rrethuar nga mbeturina, rraqe, pislliqe, brisqe, biçaqe, karroca pa rrota, motorra pa makina, trena pa shina.

 

Kujet e kukuvajkave të pista dhe krrokamat e korbave të zinj nuk i mposhtin dot Nositat e m’i të bardhë.

 

Brenda kazanave të plehrave të mia kapardisen të patalentuar të shumtë që shkruajnë libra-këllira me shpresë se në promuovime do duartrokiten nga idiota.

 

Nëpër autobuza lehin zagarë që shkruajnë plehra dhe i gënjen mendja se budallenj të ngeshëm do t’ua lexojnë nëpër gazeta.

 

Hipur mbi makina bredhin vrasësa që ngjallin viktima, hajdutë që ndajnë prona, qorra që kqyrin piktura, shurdha që dëgjojnë simfonira.

 

Në çifligjet e mia myzeqarët falen në kisha dhe monastere majë kodrave.

 

Tironcit hanë hurma dhe caraca.

 

Durrsakët me sytl nga deti pinë kafe te Torrja.

 

Elbasanllinjtë ruhen mos i myti Zaranika.

 

Kavajsit shesin misra të pjekur.

 

Kolonjarët flasin për fundin e Botës.

 

Shkodranët mbi biçikleta thajnë fytyrën me karpeceta nga gjithai ujë që i rrethon dhe i lag.

 

Lezhianët ndreqin flokët që ua prish era që vjen nga Mati dhe Mirdita.

 

Mirditorët shesin mish derri në Milot.

 

Vlonjatët këndojnë “O Sole Mio”.

 

Krutanët përgatiten për vrasjen e rradhës.

 

Matjanët kujtojnë kohët e lavdishme kur prodhonin barut për dibranët.

 

Dibranët shkojnë për eskursion te Kanioni i Radikës.

 

Gollobordasit pendohen që spiunuan çunat e Tiranës që donin të arratiseshin.

 

Skraparllinjtë pyesin të habitur Babain e Teqesë ça dreqin deshi gjermani te Tenda e Qypit?

 

Korçarët dëgjojnë serenatën “Do vdes nga bukuri’ e Saj”.

 

 

Në një tren nga dritaret e të cilit vjen aromë papaveri, femra, të gjitha Monaliza.

 

Në gozhda janë varur gravura të vjetra me rrena për heronj të sajuar.

 

Mbi fusha, fshatra, male, lugina, supermerkata, aeroporte, autostrada, fluturoj unë, që, Bukurisë nuk i afrohem kurrë më tepër se duhet, nga frika se çmendem!…