Edison Ypi: Rruga e Aliut

Edison Ypi: Rruga e Aliut

Në këtë kohë djajsh për të vajtur në një vend shenjtorësh ekziston rruga Çorovodë-Përmet ku ka kaluar Abas Aliu.

 

Pa arritur në Çorovodë ndala për t’u freskuar në një krua. Një mesoburrë mbështetur mbi krrabë sikur më priste aty në atë pusi’ për të më vrarë me një pyetje super inteligjente:

 

-Hë mo, si thua, do fitojmë ne të Partisë Socialiste ? foli skraparlliu kërrusur mbi krrabë.

Nuk ja pata ngenë. Freskova surratin. U largova.

 

Te një kthesë çfaqet befas Çorovoda.

 

Dy policë rrugorë të qeshur. I pyes policët gazmorë sa kohë duhet për të kapur prej aty Përmetin. Më dhanë një kohë e cila në mbarim të udhëtimit rezultoi nja pesë herë me vogël. Më gënjyen policët, për të mos ma ndalur hovin drejt Përmetit, apo se ashtu u tha rakia, një Zot e di.

 

Çorovoda ka zbrazje por ka dhe gjallëri. Hyjnë e dalin nëpër lokale dhe dyqane njerëz kryelartë dhe pamje të sigurt.

 

Aty-këtu, nga dy e nga tre, ata që s’mungojnë kurrë në asnjë qoshe të provincës; të moshuar me kasketë dhe gazetë të palosur në duar.

 

Mbi ish-Komitetin Ekzekutiv, si diçka e harruar, si diçka pa rëndësi, pa ndonjë ndikim, nuk e kanë hequr parrullën PUSHTETI BURON NGA POPULLI DHE I TAKON POPULLIT.

 

Mund të nisësh të flasësh për bukurinë e Kanioneve të Osumit. Halli se s’mbaron kurrë.

Ec tutje, e hiç mos e zgjat.

Më shoqëron në këtë udhëtim Aresi Ypi, djali i vëllait. Nipit tim gjatë udhëtimeve nëpër Shqipëri nuk i duhen kamerat dhe dylbitë. Ai gjithçka që sheh me sy dhe dëgjon me veshë e ruan përgjithmonë në tru. Këtu në Skrapar duke hedhur sytë rrotull këndon këngë të vjetra. Kolonjari dy metrosh di gjithçka; Emrat e fshatrave, toponimet, etimologjitë, zakonet, besimet, dialektet, eventet historike, ndërlikimet politike të vjetra dhe të reja, të gjitha. Tek Gjurma e Abas Aliut, pasi jep paraprakisht disa të dhëna mbi Shenjtorin, udhëtimin e Tij në Tomorr dhe historinë e kësaj gjurme, gjunjëzohet dhe puth solemnisht gjurmën.

Shkollarë çorovodarë shoqëruar nga mësueset kanë dalë shëtitje anës Osumit. Skraparllinjtë e rinj nuk dallojnë aspak nga moshatarët e tyre europianë e amerikanë; Zemra Tomorr.

 

Para madhështisë humnerore të kanioneve dhe freskisë dehëse të pyjeve, rakia duket shpikje e panevojshme.

 

Një Benz po vjen përballë. I them shoferit të Benzit; Hë mo, kush do fitojë ? Ma kthen me vendosmëri; Ay atje, Baba Tomorri.

 

Ku rruga e lë Osumin më të majtë dhe ngjitet përpjetë duke kaluar mbi një urë, ka vërtet një Mulli. Krejt i shkretë ai mulli, bjeri sa të duash borisë, askush s’përgjigjet. Sa duket, si kudo nëpër Shqipëri, të zotët e mullirit kënaqen duke kundruar pas dritareve vuajtjet e udhëtarëve.

Aty pranë tjetër mulli, krejt i braktisur, kthyer në stan.

 

Malindi, Çepani, Muzhëncka, Koprëncka, dhe të tjerë katunde, janë aty rrotull, por nuk duken. Pengon gjelbërimi i dendur dhe i lartë.

 

Le dëshpërimi që s’duken Çepani e Koprëncka, por të gjen belaja dhe me nipin. Aresi nuk të lejon të mbash shënime për orët dhe kilometrat e përshkruara. Sipas tij, gjatë një udhëtimi të tillë, nuk është mirë të llogaritet koha dhe kilometrat sepse në këtë mënyrë udhëtimit i ikën magjia. S’e ka keq nipi. Të depërtosh mes këtyre bukurive duke marrë shënime, është njëlloj sikur të pish raki duke vizatuar skica.

Duke u ngjitur rruga keqësohet. Gurë rënë nga mali, rrëshqitje dheu dhe gropa. S’do ment përderisa nuk është bulevard bythpambukësh rehatlinj, por rrugë Shenjtorësh vuajtës.

 

Skrapari, Tomorri, Ostrovica, Kolonja, prej aty duken si në Google Map.

Kilometra të tëra, asnjë frymë.

 

Ujqër, arinj, kunadhe, dhelpra, na ndjekin të habitur pas aheve, pishave, gëmushave.

 

Lart, paksa mënjanë më të djathtë, dy-tre kilometra nga rruga, fshati Hambull. Një hambulliot ka lënë Benzin me targë italiane anës rrugës, dhe se ku ka vajtur.

Njëra më e bukur se tjetra, qafat, përrenjtë, rrëpirat, të ftojnë të fotografosh.

 

Në një nga qafat e gjata dhe të larta nxjerr kryet me dëborë madhështorja Nëmërçka.

Në Kashisht ka Teqe’ të zbukuruar, por asnjë shtëpi të re.

 

Nënë e bijë, secila mbi nga një kalë. Jo kuaj brinjë-dalë, kuaj rrace.

 

Nëna thotë se rruga deri në Përmet është e mirë.

 

Atje tej, Frashëri. S’ta kam ngenë tani o madhështori Frashër, hërën tjetër, se kjo nuk është e fundit.

Rruga e Aliut Çorovodë-Përmet, deri te Ura e Hambullit shkon buzë Osumit. Pastaj përpjetë përmes një masivi malor e pyjor.

 

Nëse Çorovodë-Përmet do bëhet një ditë autostradë, nga Ura e Hambullit e deri tek Teqeja e Alipostivanit, do çpohet një tunel.

Në Raban, përmetar i moshuar mbi gomar. Bëj ta fotografoj, s’mundem. Thotë përmetari; Për Hasan Dedè mos më fotografo mbi gomar.

 

Pak më tutje dy të rinj vendalinj. Njëri është polic në Tiranë. Tjetri banon në Përmet. Që të dy kanë ardhur këtu për qef, për hava’. Pamja e tyre s’të jep asnjë shpresë se mund të marrësh ndonjë përgjigje po t’i pyesësh për zgjedhje dhe partira.

 

Më të majtë në luginë, Rruga e Frashërit. Më të djathtë-lart Teqeja madhështore e Alipostivanit.

Edhe pak kilometra deri në Piskovë ku kjo rrugë prek rrugën e asfaltuar buzë Vjosës. Prej Piskovës, pak kilometra më të majtë, ndodhet Përmeti, më të djathtë, pak më larg, Këlcyra.

 

Pa zbritur në luginë, nga lart duket sikur, po ashtu si nga përplasja e Indisë me kontinentin u ngritën Himalajat, përplasja e Përmetit me Labërinë ka ngritur lart Nëmërçkën.

 

Tek kalon mes atyre bukurirave të kujtohen vetvetiu fjalët e Lutjes që fillon me,

 

Sa fije bar ka përmbi dhe’

Sa gjethe gjënden nëpër drurë

Sa thërrime kum ka në çdo det

Sa shkëmbinj edhe sa gurë

 

N’danë një vreshte dy qën të mëdhenj mbledhur kutullaç. Gëzofat e qënve mbuluar me gjethe hardhie të pengojnë të dallosh cili prej tyre është larua e cili balua.

Një vigan përmetar ish-kulak po korr bar. Ish-Kulaku 60 vjeçar mban me vete raki’ Përmeti. Ka një tru aq të kthjellët dhe aq të shkathët sa mund të krahasohet vetëm me të Ainshtainit ose me një kompjuter që ende nuk është shpikur.

 

Ish-kulaku thotë me krenari se ka një çupë në Tiranë të punësuar në një televizion.

Vigani i vujtjeve mban ment gjithçka. Deri edhe meselerat e gjyshit t’im nga nëna, qefliut Rushan Bej Pacomitit që në luginën e Vjosës la pas kopila të panumurt.

 

Pacomiti është një fshat që ndodhet paksa më të djathtë te disa shtëpi që duken majë një kodre. Në më të madhen e atyre shtëpive nga qefi i Rushanit vendali dhe me aprovimin e gruas së vet gjyshes time skraparlleshë, Zyrasë nga Veleshnja, është ngjizur Nëna ime, Hasia.

Nga Çorovoda, deri buzë Vjosës, jo më pak se nja tre orë. Kohë kjo e matur me pozicionin e Diellit në qiell, se ta vrasësh s’të lë Aresi t’i hedhësh sytë orës.

 

Dy bejlerët kolonjarë mbi Suzuki, pasi bien në asfalt, s’kanë arsye të kthehen në Tiranë nga Mallakastra. Të gjitha arsyet tërheqin më të majtë nga Kolonja. Bejlerët duhet tu hedhin një sy çifligjeve të tyre imagjinarë.

 

Nga Kolonja pra. Sado e gjatë të jetë udha. Sado të shpeshta të jenë kthesat. Sado e madhe të jetë lodhja.

 

Për më tepër që në Helmës pret Agron Nazarko. Agroni para nja një muaji ishte në Tiranë. Më telefonoi tek vërtitej rrotull Ministrisë së Drejtësisë si gurët e Mullirit të Hambullit buzë Osumit. Djali i ikur në Greqi, pas disa vitesh ishte kthyer në shtëpi në Helmës. Pasi u ç’mall desh’ të kthehej përsëri në Greqi. Se ku e zuri Policia i kapi një gërmë të emrit që nuk kombinonte me emrin në pasaportë. Ja morën pasaportën. Bëri si bëri iku përsëri në Greqi. Këtej, në Shqipëri, u hap një proces. Për atë të shkretë gërmë e dënuan 2 vite burg në mungesë.

Në prezencë të Agronit telefonova një të njohur në ministri. I thashë, zgjidhja hallin Agronit, se s’është mirë shqiptari të bëjë 2 vite burg për 1 gërmë në Pasaportë. Miku më dëgjoi dhe premtoi. Ndërkohë Agroni, i cili kur halli mori rrugën e zgjidhjes, do duhej të qeshte, nisi të qante. Ç’ke Agron që po qan ? i thashë. S’mu përgjigj. Vetëm qante me lotë të heshtur që i udhëtonin ngadalë teposhtë rrudhave të fytyrës. Dhe ashtu u ndamë, unë duke ikur i habitur, Agroni duke qarë i mekur.

 

Me Ares erudit në bord, mezi pres ta takoj Agronin në Helmës ta pyes si vajti puna e pasaportës së djalit, dhe pse qau?

 

Bukuritë e Çarshovës, Leskovikut, Gërmenjit, hallall 1 milionë Euro në dorë atij që di t’i përshkruaj.

Ama e gjelbëra e pishave si e vrarë. S’e kanë marrë ende veten pishat nga zjarret e beharit që shkoi.

Atje tej, mbi një livadh të madh të blertë rrethuar me pisha hallakatet si në jerm një turist i huaj.

 

Aresi seç thotë për inginieringun e çuditshëm hyjnor që vendet e zakonshme, pyje, pllaja, korije, gjatë shekujve i shndërron në vende të shenjta, vakëfe.

 

Nëpër faqe malesh gjarpërojnë rrugë katundesh.

 

Pranë një përroi kolonjare te të dyzetat me shkarpa nën sqetull.

 

-Dukesh që do votosh për demokratiken.

 

Ma pret kolonjarka me shkarpa;

 

-Jo-jo, s’durohet demokratikja, na ka kërrusur me shkarpa mbi kurriz.

 

-Shkarpat nuk i ke mbi kurriz, i ke në sqetull, dhe nuk je e kërrusur.

 

-Dukesh si i yni, si socialist.

 

-Me gjith’ lecka i juaji jam. Jo vetëm sipas teje, por edhe sipas meje, të gjithë ata që mbathin këpucë socialista janë. Por a s’më thua, a të kujtohet se si diktatori ua mori të gjitha, edhe leckat, edhe morrat, edhe shkarpat?

 

-Po, është e vërtetë, na i mori të gjitha, por ama na dha…

 

-Çfarë j’u dha?

 

Përgjigja ishte e pa besueshme.

 

-Mëntë.

 

-Epo mir’ moj kolonjarkë me mënt në vënd. A do ta dish se për kë do votoj unë, se s’po më rrihet pa ta thënë?

 

-Po.

 

-A e do të ta jap me shkrim?

 

-Po.

Rrëmbeva një fletë letër nga blloku me shënime të munguara orësh dhe kilometrash për shkak të embargos së nipit estetizant, dhe j’a shpalla kolonjarkës votën; Ja ç’i shkrojta;

 

Ju nostalgjikët shqiptarë, ju shejtan-budallenjtë e pa shërueshëm, jeni zhgani më kriminal, bërllogu më antishqiptar që Historia e këtij trualli ka njohur. Sytë j’u dalçin juve o ndyrësira. Keqmbetsh o kolonjare budallaqe me shkarpa nën sqetull. (emër, mbiemër, firmë, datë)

 

E mori shushka letrën dhe nisi ta lexojë. Tek lexonte nisën t’i bien shkarpat një nga një në tokë. Nisi të gulçonte. Në fillim nga pak. Pastaj gulçet j’u përzjenë me një të vaje amanozot. Pasi e mbaroi, priti pak çaste, shkundi kokën. Fshiu disi lotët. Erdhi pak në vete. Nisi ta tundë letrën në erë. Ashtu e xhindosur duke tundur letrën u zhduk brenda pyllit me pisha sikur po e çonte letrën në polici për të më denoncuar.

Ik o kolonjare, ik. Ik dhe kurrë mos ardhsh.

 

Diku më zunë rrugën ca dhën. Pas tyre vijnë dy barinj shtatlartë. Njëri prej tyre me njeh nga televizori. Kishte parë një reportazh t’imin të quajtur “Fshati për karshi” kushtuar Bezhanit të boshatisur. Pasi përshëndoshem me të dy, qefliu i reportazheve më thotë;

 

-Ku po vete o lako?

 

-Në Helmës. Tek Agron Nazarko. Mezi pres ta takoj. Edhe ay si ty, qefli i televizionit, tlevizionit si e bëj unë, jo si e bëjnë të shiturit. Për atë reportazhin që mbajtke mënt ti, Agroni më dërgoi me postë një letër të gjatë ku thoshte se Helmësit i kisha borxh dy dit e dy net pa gjumë, dhe shumë lotë.

 

-Agron Nazarko vdiq para tre ditësh. J’u ndal qarkullimi i gjakut në njërën këmbë. Doktorët s’i bënë dot derman. Vdiq në spital në Tiranë.

 

Agron Nazarko paska ikur.

 

Tani, pas Skraparit të Rrugës së Aliut, pas Pacomitit të Nënës, pas Kolonjës së Aresit dhe pas Agron Nazarkos së Helmësit, po iki edhe unë.

 

Dhe ika në Tiranë.

 

I cfilitur. Nga mëngjezi në mesnatë. Pas plot 553 kilometrash rrugë dhe 16 orë mbi timon.

 

Tani do futem brenda gjumit të pafajshëm.

 

Po më zuri.