Ekspozohet në Londër jeleku i Edit Durham, dhuratë e popullit të Beratit në vitin 1918
Jeleku shqiptar që iu dhurua Edith Durhamit ekspozohet në galerinë “Two Temple Place” në Londër, te ekspozita “Unbound: Visionary Women Collecting Textiles”, me veshje tradicionale të grave gjatë shekullit XX nga Ballkani e deri tek ato aziatike.
Pjesë e kësaj ekspozite është edhe jeleku shqiptar me qëndismat ngjyrë ari, dhuratë e popullit të Beratit më 1918 për Edith Durham.
Është një jelek i punuar mjeshtërisht me qëndismat ngjyrë ari që enden mes ornamenteve floreale. Aq fort i kishte pëlqyer, sa udhëpërshkruesja angleze, Edith Durham, do ta vishte atë sipër një fustani të lehtë.
Kjo veshje e femrave kishte qenë dhuratë e popullit të Beratit më 1918 për anglezen që asokohe kishte fituar namin e “mbretëreshës së maleve”. Sipas studiuesve, jeleku dëshmon për një nivel të lartë të mjeshtërive artizanale shqiptare. Jeleku pa mëngë dhe i qëndisur me fije ari ishte një veshje e aristokracisë së lartë beratase.
E ky jelek shqiptar është vetëm një nga veprat e paraqitura në ekspozitën me tekstile nga Ballkani e Azia. Në ekspozitën që është hapur në “Two Temple Place” në Londër, tekstilet e mbledhura gjatë shekullit XX nga shtatë gra, sipas Koha.net, kanë marrë statusin e veprave artistike.