Elmaz Puto/O ju malet e Skraparit…!

Elmaz Puto/O ju malet e Skraparit…!

Elmaz Puto

Në gushtin e vitit 1985, pak muaj pas vdekjes së Enver Hoxhës, më komunikohet edhe një transferim tjetër. Kësaj radhë në rrethin e Skraparit në detyrën e sekretarit të Parë të komitetit të partisë.

 

Një ndjenjë ankthi më pushtoi, siç ndodhte gjithmonë me lëvizjet e papritura në detyrë që kisha pasur. Në Skrapar nuk kisha qenë asnjëherë, qoftë edhe si vizitor. Natyrisht dija disa gjëra për atë rreth të thellë malor, për karakterin tepër të pastër e mikpritës të banorëve të atyre anëve, njihja kontributin e skraparllinjve në Luftën Nacional-Çlirimtare, madje kisha të dëgjuara shume personalitete të partisë, shtetit dhe ushtrisë që ishin nga ajo krahinë.

Por rruga nga Berati drejt Çorovodës ishte aq e vështirë, aq e çuditshme, aq e lodhshme, sa vërtetë e kuptova se po shkoja të punoja ne një vend tepër të largët. Sepse dihet që sa më të mëdha të jenë vështirësitë e terrenit, klimës dhe largësisë nga qendrat e mëdha, aq më e ndërlikuar është jeta ekonomike dhe shoqërore e një vendi.

 

Ky ishte mendimi i parë që më pushtoi gjate udhëtimit për në Çorovodë. Mbërrita në qytet në mbrëmje dhe ajo që më bëri përshtypje ishte uturima e lumit Osum që kalonte gati mespërmes qytetit. Me këtë uturimë do të mësohesha ngadalë sepse qe një prani e vazhdueshme, sidomos dimrit kur lumi egërsohej se tepërmi nga ujërat që vinin nga malet e larta. Lumi e ndante qytetin në dy zona karakteristike.

 

Në njërën anë ishte Çorovoda e re, me pallate banime krejtësisht të reja dhe qendrën zyrtare të qytetit, ndërsa zona tjetër ishte kryesisht qendër ekonomike, sepse aty ishin ngritur ndërmarrjet shtetërore. Dy pjesët e qytetit bashkoheshin përmes një ure dhe ne skaj të saj qe ngritur një lokal i bukur që kishte një emër te çuditshëm “Verori”. Pikërisht atje qëndrova. Kisha shpresë se dikush duhej të dinte se mbërrija atë ditë e do të kishte dalë të më priste. Sepse në Çorovodë nuk njihja njeri, përveçse dy-tri emra me të cilat kisha kryer dikur shërbimin ushtarak, njihja pak edhe sekretarin e Parë të partisë së rrethit, Skënder Kuçin, vendin e të cilit do të zija. Ky transferohej me të njëjtën detyrë në Përmet.

 

 

Dhe vërtetë kishin dalë disa njerëz të më prisnin. Këta ishin Enver Naska, atë kohë kryetar i Komitetit Ekzekutiv, Safet Hatellari, Selman Ismaili dhe Xhorxhi Thanasi, një djalë me kombësi maqedonase, transferuar atje para meje, të tre këta të fundit sekretarë të komitetit te partisë. Kishte mbërritur nga Tirana edhe shefi i kuadrit të Komitetit Qendror të Partisë i cili do të më prezantonte në organet e partisë së rrethit.

 

U ulëm të gjithë për të pirë kafe në njërën nga tavolinat e ” Verorit” të vendosura të gjitha nën hijen e ca pemëve të dendura dhe pranë gurgullimave të ujërave të pastra.

 

Të nesërmen u organizua mbledhja e zakonshme e dorëzimit të detyrës së njërit sekretar i Parë dhe marrjes së detyrës nga tjetri, d.m.th. nga unë. Ishte një rrit që nuk pranonte diskutime, sepse vendime të tilla merreshin nga lartë dhe atje votohej formalisht. Po atë ditë sekretarët e dytë më sugjeruan të njihja më parë terrenin.. Terrenin jo në kuptimin gjeografik, por zonat fshatare. Natyrisht rrash dakord dhe u nisëm për në fshatin Gjerbës. Nuk e di nëse kështu veprohej me të gjithë të sapoemëruarit, por mua kjo praktike nuk më ngjau edhe aq tërheqëse. Kjo për faktin se natyra e halleve të zonave fshatare nuk ndryshon shumë nëpër rrethe me të njëjta karakteristika.

 

Ajo qe duhej njohur ishte praktika e zbatimit të detyrave të partisë dhe ushtrimi i pushtetit. Ç’gjë më të mirë do të sillja unë në Skrapar, në krahasim me paraardhësin tim? Megjithatë nuk ua prisha sekretarëve. Rruga malore kalonte përmes Devrisë, midis së cilës gjendej edhe fshati Radesh. S’andejmi te ngjante vetja sikur ishe në një avion, aq lart e ndjeje veten. Shiheshin si në pëllëmbë të dorës të gjitha fshatrat e zonës së Tomoricës, një mal-bije e Tomorit. Këtë lartësi ka pasur parasysh poeti i talentuar, Xhevahir Spahiu, kur e quante grykën e Dëvrisë, “porta gjigande natyrore e Tomoricës”. Nga ky Gjerbës ku po shkonim ishte edhe këngëtari popullor drithërues, Artisti i Popullit, Demir Zyko, i njohur sidomos, për interpretimin mjeshtëror të njërës prej perlave të këngës popullore shqiptare ” Mbeçë more shokë, mbeçë, përtej Urës së Qabesë !” si edhe të këngës tjetër po aq të njohur “O ju malet e Skraparit pse s’qani hallet e mia!”. Do të më rastiste më pas ta njihja nga afër këtë plak të mrekullueshëm dhe të emocionohesha nga zëri virtuoz i tij.

 

Zona e Tomorices ka e gjitha rreth 40 fshatra të vogla dhe përshkohet mespërmes nga lumi me të njëjtin emër. Kështu nga njeri krah shtrihet Tomorica e Zezë dhe nga ana tjetër Tomorica e Bardhë, emra këto që me siguri lidheshin me nivelin ekonomik për shkak të ndryshimit të terrenit dhe klimës. Skrapari është ndoshta i vetmi rreth administrativ i Shqipërisë që nuk ka asnjë copë fushë.

 

Edhe krahinat e tjera të rrethit si Çepani, Malindi, Vëndresha, etj. janë krejtësisht malore, apo një pjerrësi e kodrave shtufore që pasi lënë malet e larta i drejtohen lumit të Osumit. Ky teren e bënte klimën tepër të ashpër, me një erë e ftohtë të cilën vendasit e quajnë ” stoçen”, sikundër në Kolonjë i thoshin ” goren “, por edhe një verë e këndshme, e freskët. Dhe do të mësohesha me të gjitha këto, sepse nuk kishte zgjidhje tjetër.. Sepse të këqijat e klimës do t’i kompensonte bujaria e njerëzve, mikpritja dhe dashuria për të huajin jo vendasin, e kam fjalën, pa tendenca lokaliste, sikundër kisha hasur në ndonjë rreth tjetër.

 

Qysh në ditët e para të qëndrimit tim në Çorovodë do të kërkoja të me sillnin për të lexuar historinë e rrethit, historinë e skraparllinjve sepse ajo do të më çelte një dritare për të parë më mirë shpirtërisht botën e tyre. Kam përmendur se dija disa gjera. Por ajo madhështi që hasa në historinë e tyre më bëri të habitesha. Dhe ishte e natyrshme. Këto krahina të thella malore ishin istikamet e pamposhtura të të gjithë luftëtarëve për liri dhe progres. Por edhe vatër patriotësh të mënçur me shumë peshë në historinë kombëtare.

 

Në sheshin qendror të Çorovodës ishte vendosur busti i Riza Cerovës, një figurë e shquar e historisë sonë, me kontribute të veçanta, sidomos në vitet ’30 të shekullitXX. Ishte një demokrat i parakohshëm për mugutirën zogiste ku ishte zhytur Shqipëria, ndaj edhe nuk u kuptua kurrë nga klika në fuqi. Përkundrazi, krijoi aq shumë armiq sa mbreti i vetëshpallur Zog e vrau pabesisht, siç kishte vrarë më parë edhe Avni Rustemin, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin ndërsa Fan Nolin e pat dënuar me vdekje. Vrasja e tij pati jehonë të gjerë në të gjitha trevat shqiptare, sidomos në jug, prandaj edhe populli i këndoi.

“O Riza të qan Skrapari, Të qan Korça dhe Opari.”

 

Dhe kënga tjetër:

“Te gurët e Qamës kalove matanë, Dyqani i Zaloshnjës mbushur me xhandarë, Një grumbull prej tyre të qëndronin pranë, Ti u zgjate dorën dhe u dhe cigare, Ndizeni, bre burra, se jemi shqiptarë !”

 

Dhe do të ishte po ky Skrapar që do të rrokte ndër të parët pushkët partizane kundër pushtuesve fashistë dhe tradhtarëve të vendit. Çeta e Kulmakut, që kishte marrë emrin për shkak të qafës së thellë që ndan Tomorin me Tomoricën, një vend sa strategjik, aq edhe i shenjtë, do te bëhej një ndër formacionet e para të organizuara të ushtrisë së ardhshme partizane, ndërsa formimi po në këto male i Brigadës së 7-të sulmuese, një nga formacionet famoze të asaj ushtrie, pastaj. Brigadës së 16-të në Vlushë e Therepel, betejat legjendare të Tendës së Qypit, pastaj Kongresi i parë i Bashkimit të Rinisë Antifashiste Shqiptare në lëndinat e mrekullueshme të Helmësit janë vetëm disa nga ngjarjet e mëdha që e bënin Skraparin vendin patriotik të Shqipërisë.

Dhe përsëri një këngë..

“Në Kulmak ku mblidhen retë, U mblodhën trimat me fletë… “

 

Nuk kisha mbushur as një javë me detyrën e re në Skrapar, kur kalendari i ngjarjeve historike përkonte me dhjetë vjetorin e vdekjes së Kahreman Yllit, njërit prej bijve më të shquar të asaj treve. Më duhej të flisja vet në këtë përvjetor për shkak se isha figura kryesore politike atje, më këshilluan bashkëpunëtorët. Thashë se do të ishte më mirë të fliste për jetën e tij një njeri që e kishte njohur nga afër dhe dinte më shumë për të. Por miqtë e mi këmbëngulën se këtë mund ta bëja edhe unë. Mbështetur në materialet e shumta dokumentare që ekzistonin në muzeun e rrethit, edhe me ndihmën e dy bashkëpunëtorëve të mi e me stilin tim formulova fjalimin.

 

Kahreman Ylli ishte padyshim një nga bijtë më të mirë të Skraparit të kohëve moderne, prandaj interesi i popullit për solemnitetin e ngjarjes ishte jashtëzakonisht i madh. Nga Tirana kishte ardhur gruaja e Kahremanit, Parashqevia, dhe fëmijët e tij, të gjithë njerëz të thjeshtë e tepër të afruar.

 

Në fjalën time thashë në esencë se Kahreman Ylli ishte një nga patriotët më të shquar të Skraparit, por me rezonance mbarëkombëtare sepse, mbi të gjitha ai ishte një njeri me kulturë të madhe dhe këto dije i vuri në shërbim të vendit. Pasi përfundoi studimet c larta në Francë ai u kthye në Shqipëri dhe menjëherë u lidh me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare, duke e kuptuar më se miri se ajo përbënte atë kohë nocionin më të drejtë të vullneteve përparimtare të popullit tonë. Duke çmuar aftësitë e tij intelektuale ai pati nderin gjithashtu të ishte në vitin 1957 rektori i parë i Universitetit Shtetëror të Tiranës një nga institucionet kulmore të arsimit dhe kulturës sonë, ëndërr e vjetër e rilindësve, një institucion që ishte aq i nevojshëm për zhvillimin e vendit dhe që e inkuadronte Shqipërinë në vendet e kulturuara tanimë.

 

Kahreman Ylli nuk u trondit, as u lëkund. kur disa ekstremistë hodhën dyshime për figurën e tij në një kongres partie. Përkundrazi. Edhe në detyrën e lartë të Ministrit të Arsimit dhe Kulturës ai arriti t’i japë shtysë kësaj pasurie kombëtare dhe ta lartësojë atë. Por ai mbeti gjithashtu edhe një skraparlli i thjeshtë, sepse nuk rreshti kurrë së ardhuri këtu, nuk rreshti kurrë të takohej me njerëzit e Skraparit dhe te përpiqej të zgjidhte hallet e tyre…

 

Më kujtohet se njeri nga shokët e mirë të Kahreman Yllit ishte edhe Myqerem Fuga. Dhe ai kishte ardhur aty ku përkujtohej vdekja e mikut të tij. E pata njohur qysh në vitin 1971 këtë kuadër të mirë të partisë e të shtetit, kur unë isha kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Përmetit e ai ministër i Industrisë së Lehte e Ushqimore. Rastisi që njeri nga zv.kryeministrat kishte thirrur për konsultime disa kryetarë rrethesh, midis tyre edhe mua, sepse ishte zvarritur puna në ndërtimin e tharëseve të misrit.

 

Në atë takim shumë kryetarë u ankuan për vështirësitë që u pati krijuar ministria përkatëse për këtë problem, ndërsa imë thashë se në të vërtetë nuk isha marrë fare me atë problem. Shtova me sinqeritet se nuk kisha punuar në këtë drejtim dhe isha i sigurt se po të këmbëngulja c të kërkoja ndihmën e ministrisë, isha i sigurt se gjithçka do të kishte përfunduar. Myqeremit, me sa shihej, i pëlqeu ky qëndrim i imi dhe kur mbaroi mbledhja e dolëm jashtë më kapi për krahu e më porositi që për çdo problem që të kisha ta merrja në telefon jo vetëm në zyrë, por edhe natën në shtëpi. Që nga ajo ditë u bëmë miq.

 

Skrapari ishte një rreth thuajse tërësisht bujqësor, po të përjashtohej Kombinati Ushtarak i Poliçanit, e ndonjë sektor tjetër i industrisë së lehtë. Por duke pasur një teren tepër të aksidentuar, kodrinoro-malor. Toka e punueshme ishte tepër e copëzuar, me sipërfaqe të punueshme që nuk i kalonin disa dynymët dhe kështu mekanika bujqësore këtu thuajse nuk hynte në punë. Ajo punë e cila në rrethe të tjera kryhej me traktorë me rrota me goma dhe toka jepte rendimente të larta, këtu punohej me ca traktorë me zinxhirë, tepër të vjetër, sepse kishte ikur koha e tyre dhe për pasojë, defektonin për ditë. Në S.M.T. kishim drejtor Kujtim Nanushin, një shoku im i viteve të shërbimit ushtarak, njeri me shpirt të lartë sakrifice dhe mjeshtër.

 

Ishte dekoruar me titullin e lartë “Hero i Punës Socialiste ” që e meritonte plotësisht sepse ishte i kudondodhur. Kur ndonjë punonjës trembej të çonte autokombajnën në vende të vështira, dhe me të drejtë, sepse rrezikonte shumë si mjetin ashtu edhe jetën e tij, Kujtimi e merrte vet timonin e saj dhe e drejtonte pa frikë atje ku duhej. Por një ndihmë të madhe atij dhe gjithë ndërmarrjes i jepte edhe inxhinieri i talentuar Sazan Satka. Në të vërtetë, po të kihen parasysh kushtet e terrenit të rrethit i gjithë kolektivi i S.M.T. ishte hero i vërtetë dhe po të ishte e mundur pagat e tyre duhej të qenë shumë me të larta se të kolegëve të tyre të fushës.

 

Me gjithë këto pune e këta njerëz rendimentet bujqësore në Skrapar ishin të ulëta, të pamjaftueshme dhe aspak konkurruese. Tereni i thyer nuk lejonte gjithashtu ujitjen artificiale sepse toka nën ujë nuk zinte as 15 për qind të sipërfaqes. Pjesa tjetër ishte në mëshirën e motit. Në se binte shi.. Por fshatarin skraparlli e ndihmonte disi në jetesën e tij një fakt tjetër. Me përjashtim të 5-6 fshatrave tufëzimi i bagëtive të trasha nuk ishte bërë, madje edhe ata fshatarë që nuk kishin të tilla, me tufëzimin e bagëtive të imta shpejtuan të blinin ndonjë a dy lopë, kështu që të paktën bulmetet i siguronin.

Në Skrapar kodrat qenë të mbushura me pemë frutore si arra, ftonj, mollë dhe sidomos pjergulla me rrush nga të cilat del ajo raki c famshme e Skraparit qe nuk e ka shoqen në Shqipëri.

“Moj raki, moj bukuri, Nga e nise rrugën ti, Nga burimi skraparlli.

 

Më 1991, kur u largova përfundimisht nga detyra dhe nga Skrapari munda të merrja me vete ndonja 15-20 shishe nga ai “ujë i bekuar”. Kur shkoi në Çorovodë dhëndri im, Martini, të transportonte plaçkat, deri në Fier, ku do të vendosesha me familje, tha me shaka kur u kthye se gjërat më me vlerë që kishte parë në ” pasurinë” time ishin librat dhe shishet me rakinë e Skraparit. Kështu ca nga ato shishe mundën te mbërrinin deri në Athinë, pasi emigruam dhe miqtë e këtushëm c pëlqenin shumë.

 

Në Skrapar ishte tepër e njohur gjithashtu edhe rehania, një produkt që bëhet nga lëngu i rrushit dhe që për nga shija i afrohet pekmezit por gjithsesi, është tjetër gjë. Atë e përdorin në vend të aranxhatës.

 

Por më shumë probleme hasnim në qytetin e Poliçanit. Probleme furnizimi me ushqime dhe strehimi. Kjo ndodhte për shkakun se atje qe grumbulluar thuajse c gjithë klasa punëtore e rrethit, por edhe intelektualë-specialistë. Në kombinatin ushtarak mekanik të këtij qyteti, – një fshat i ndërtuar me pallate banimi kryesisht për shkak të kësaj uzine të madhe,- punonin rreth 700-800 punëtorë. Përbërja e këtyre njerëzve ishte heterogjene, sepse kishte shumë të ardhur aty për punë nga Berati e gjetkë . Duke qenë se pagat këtu ishin relativisht të larta, kërkesat për sende ushqimore, industriale e të tjera ishin më të mëdha. Më preokuponte shumë edhe një ndjenjë xhelozie se unë dhe pushteti në rreth kujdeseshim me shumë për Çorovodën si qendra administrative, se sa për Poliçanin, por kjo nuk ishte aspak e vërtetë.

 

Kështu që shpesh e më shpesh isha i detyruar të shkoja në Poliçan për të qenë më afër problemeve të atjeshme. Kështu më duhej të hyja gati repart më repart të Kombinatit Ushtarak, të dëgjoja nga afër hallet e njerëzve dhe nëpërmjet organeve të pushtetit merrnim masa për t’ua zgjidhur ato, sa më shpejt brenda mundësive që kishim. Nga ndonjëherë zgjidhjen kërkoja ta bëja aty për aty, në se isha i bindur se gjithçka ishte c thjeshtë.

 

Kombinati Ushtarak kishte një teknologji bashkëkohore dhe aty thuajse nuk ekzistonin vështirësitë që haseshin në uzinat e tjera mekanike për shkak te konsumimit të mjeteve, por edhe për faktin se atje ishin caktuar të punonin specialistë mekanikë me kualifikim të lartë, por doemos, edhe të besuar. Për të ilustruar këtë përgatitje teknike te punonjësve të kombinatit te Poliçanit më duhet të tregoj një ngjarje nga një kohë tjetër…

 

Në vitin 1994, një ish-punonjës i këtij kombinati kishte ardhur edhe ai emigrant në Greqi, si mijëra të tjerë. Punonte në një fabrikë dhe befas mësoi se pronari i saj përgatitej ta çonte mjetin me tonazh të madh diku jashtë vendit për t’i bërë një revizionim total.

– Ta rregullojmë në Shqipëri ! -i tha emigranti pronarit të tij. Greku qeshi. Por shqiptari mbeti në të tijën. i tregoi për specialistët mekanikë të Poliçanit. Derisa fjala ishte për motorin e mjetit, atëherë çdo gjë mund të zgjidhej. Pronari shkoi vet në qytetin e vogël e të thellë të Skraparit dhe u bind se aty gjithçka mekanike mund të ndreqej. Dhe vërtetë e rregulloi me gjysmat e shpenzimeve. Kishte shumë specialistë duarartë në Poliçan që bënin mrekulli dhe inxhinierë të talentuar si Gëzim Cane, Gëzim Hysi, Ylli Dyrmishi, Lulëzim Gojka, Nesim Alushani, Gjergji Mihali, Kastriot Tusha, Neshat Braho e të tjerë, e të tjerë.

 

Nëpër rrethet e vogla si Skrapari drejtuesit e partisë e të pushtetit në rreth u takonte shpesh të merreshin deri edhe me problemet familjare të kuadrove e specialistëve. Një kryetar kooperative ishte vonuar te martohej. Më në fund iu mbush mendja dhe i vuri syrin një mësueseje. Por vajza bënte naze. Ilafeti, që e kishte shok e bashkëfshatar kryetarin donte ta ndihmonte.

 

Dhe një ditë më vjen në zyre dhe këmbëngul t’i jepja makinën time për të shkuar në një fshat, ku më pas mësova se gjendej vajza. Kërkesa më ngjau pak e çuditshme. Por ai kishte bërë planin e tij dhe vërtete i doli mbarë. Shkuarja e tij me makinën e sekretarit të parë – makinën dhe shoferin tim e njihnin të gjithë- bëri punën e vet. Ia dhashë, megjithëse këtë ” marrëzi” nuk e kisha bërë kurrë më parë. Dhe vajza, si të gjitha vajzat e kësaj bote, kur pa se njeriu që e kërkonte të bëhej gruaja e tij kishte lidhje me “më të fuqishmit” e asaj ane, u bind dhe kryetari i kooperativës më së fundi u martua!

 

Veteranët e Luftës dhe pensionistët ishin ata njerëz që kishin sakrifikuar shumë në vitet kur idealet sundonin mbi interesat. Dhe në Skrapar dukej se këta njerëz të ndershëm vazhdonin të mbeteshin të tillë, me gjithë vitet që mbartnin në kurriz. Të mësuar me psikologjinë kolektiviste, por edhe të pastër e te çiltër në atë që u kishte diktuar partia e tyre dhe vitet e mëdha, ata shpesh vinin pa droje tek unë dhe kërkonin, ashtu thjesht, të informoheshin për gjendjen e rrethit. Ata te vinin në pozitë të vështirë me këmbënguljen e tyre, por edhe në pozita pune.

 

Njerëz te tillë si Novruz Greva, Bajram Radëshi, Demir Nuellari, Lake Dingo, Muharrem Bregu, Nesim Alimadhi e të tjerë ishin gjithmonë pranë komitetit të partisë sepse punonin pa asnjë shpërblim. madje me kënaqësi të madhe. Sidomos për problemet shoqërore ata ishin njerëzit më te përshtatshëm sepse jo vetëm kishin autoritetin e djeshëm, por qenë vendas dhe i njihnin mirë njerëzit. Por edhe unë i vizitoja shpesh në shtëpitë e tyre, interesohesha për shëndetin e tyre dhe u zgjidhja ndonjë problem që i shqetësonte. Por edhe ata, ama, e kishin të hapur çdo orë derën e zyrës sime.

 

Dhe të vjen vërtetë hidhur të kujtosh se pas vendosjes së të ashtuquajturës “demokraci” njerëzit e Berishës e futën në burg ish-kryetarin e veteranëve të Skraparit B. Radshin dhe ish-kryetarin e komitetit ekzekutiv E. Naskën për fajin e vetëm se guxuan të shkonin në varrezat e dëshmorëve të Atdheut jo më 28 Nëntor, siç donte regjimi, por më 29 Nëntor, siç e dinin vet ish-luftëtarët. Të ndaluarit në policinë e rrethit qëndruan fort, siç dinë të qëndrojnë burrat e Skraparit. Të ” djathtët” e Skraparit ishin egërsuar shumë sepse këta të ” kuq” kishin votuar thuajse 90 për qind për Partinë Socialiste.

 

Ishte e njëjta sjellje që mbajtën në Gjirokastër berishianët me Heroin e Popullit Jorgo Sulioti, të cilin jo vetëm e burgosën por edhe e keqtrajtuan mizorisht. E vërteta është se në Skrapar vështirë se gjen të djathtë, në kuptimin klasik të kësaj fjale. Sepse teorikisht e djathta është përgjithësisht për pronën e madhe në vend të ndarjes afërsisht të barabartë të pasurisë kombëtare, siç programojnë të majtët. Në rajone të tilla të varfra vështirë se gjen ithtarë te së djathtës.. Por antikomunizmi vazhdon të trajtohet në Shqipëri si djathtizëm, kur dihet se antikomunistë sot janë edhe shumica e socialistëve ose socialdemokratëve. Kjo ngatërresë e ” vogël” i ka sjellë shumë të këqija popullit tonë në këto vite të postkomunizmit. Por ky është një kapitull tjetër…

 

Skraparllinjtë janë njerëz të besës, pse jo edhe të idealeve dhe vështirë se i tradhtojnë ato. Kjo nuk do të thotë aspak ama se ata mbeten robër (ë një bese të kaluar, kur dikush vjen e u tregon me mjete demokratike se e sotmja është më e mirë se e djeshmja. Por për ata historia e Shqipërisë është një dhe e pandarë dhe në të gjitha kohërat e sistemet ka pasur të mira të mëdha dhe të këqija të mëdha. Për të mirat duhet vazhduar te mburremi, për të këqijat duhet të punojmë për t’i ndrequr.. Një nga të këqijat e sotme është servilizmi i tepruar i shtetarëve dhe opozitës ndaj të huajve, sidomos ndaj SHBA e Anglisë. Mikun ne shqiptarët e respektojmë por jo ta bëjmë zot shtëpie dhe të aprovojmë çdo veprim apo dëshirë të tij.

 

Në Çorovodë njoha edhe një njeri tjetër shumë të mençur, matematicienin Xhaferr Ibron. Sepse ishte i zoti jo vetëm në profesionin e tij, por me vullnet të pashoq kishte mundur te mësonte disa gjuhë të huaja si anglisht, italisht e frëngjisht. Ishte ndër njerëzit e pakët me këtë “pasuri” dhe ne ishim të detyruar ta aktivizonim si përkthyes në problemet që lidheshin me mistrinë e jashtme, por edhe me drejtorinë e turizmit në Tiranë.

 

Një ditë e takova Xhaferrin dhe i thashë në se mund të më ndihmonte të mësoja edhe unë italisht. Pranoi. Vetëm më luti që të mos e lija në mes programin e tij për shkak të problemeve të tjera që mund të kisha. I dhashë fjalën dhe nisëm nga puna. Më jepte detyrat dhe takohesha me të sa herë më jepej mundësia. Në rruge më fliste vetëm italisht dhe kjo ishte një eksperiencë e madhe, por edhe një vështirësi e madhe për mua. Edhe në telefon me fliste vetëm italisht. Kjo punë vazhdoi për dy vjet. Erdhi dita qe shkuam së toku në Tiranë, në fakultetin e gjuhëve të huaja dhe atje dhashë provimin. Kur u kthyem në Çorovodë disa nga miqtë e mi e pyetën Xhaferrin se si kisha dalë.

– Pas gjashtë muajsh do të japi provim edhe spanjishten! -ua ktheu ai me humor, por edhe për të treguar se kisha dalë mirë.

 

Për sa kohë ndenja me punë në Skrapar ime shoqe, Krisavia, punoi si nëpunëse në Ndërmarrjen e Ndërtimit. Ndonëse puna e saj ishte disi larg, thuajse njëzetë minuta nga qyteti, ajo e ndjente veten mirë atje sepse kishte një kolektiv i mrekullueshëm jo vetëm si njerëz, por edhe si specialistë të talentuar që kishin projektuar aq e aq ndërtesa të bukura për qytetin. Por edhe vajza e madhe, Lindita, kur mbaroi universitetin u emërua në post-telegrafën e qytetit si ekonomiste. Së këndejmi e përcollëm për në shtëpinë e saj të re kur u martua. Dasmën e saj do ta bënim në Gjirokastër, pasi aty unë kisha nënën, motrën, vëllezërit, të afërm e shokë, të mitë e të gruas.

 

Por edhe në Skrapar tanimë kishim krijuar miqësi të reja dhe ata nuk duheshin përjashtuar. Prandaj vendosëm të bënim edhe një darkë të vogël në oborrin e shtëpisë sonë. Nusja dhe dhëndri ishin shumë të mirë dhe u pëlqyen të gjithëve. Por edhe vajza e dytë, Arjana, me të përfunduar gjimnazin e Çorovodës shkoi për studime të larta në universitet dhe kur u kthye s’andejmi nisi punë në hetuesinë e rrethit. Orgesa, e vogla, mundi të kryente në Çorovodë vetëm shkollën fillore dhe dy vitet e para të 8-vjeçares.. Orgesa, ose Gesa, siç i thërrisnim shkurt, ishte një vajzë e dashur dhe u afrohej shumë ushtarëve që kishim pranë shtëpisë. Njihej me shumë prej tyre, dinte nga ishin e kur merrnin shërbimin dhe shpesh merrte ndonjë ëmbëlsirë nga shtëpia jonë dhe ua çonte. Fëmijët kishin në atë qytet shokët dhe shoqet e tyre të ngushta dhe midis tyre unë mund të kujtoj tani Neritanin e Artiolin, si edhe Blerinën, Albanën, Verën, e të tjerë…

 

Ndjenjat e respektit e të simpatisë për popullin e Skraparit, për miqtë dhe bashkëpuntorët e mi nuk mund t’i shuaj kurrë, sado vite që të kalojnë. Madje sa më shumë kalon koha aq më mall ndjej për ata njerëz të mrekullueshëm.

 

Më duhej të ikja… Sepse, në vitin 1991, siç kam përmendur, rënia e sistemit të kaluar i jepte fund edhe karrierës sime politike dhe në përgjithësi jeta ime do të merrte një drejtim tjetër.