Elmaz Teme, lab tepelene, por që rrethanat e luftës e bënë më shumë se një bir të Skraparit…

Elmaz Teme, lab tepelene, por që rrethanat e luftës e bënë më shumë se një bir të Skraparit…

 

Ilmi S. Qazimi

 

E vërteta është e thjeshtë dhe shpesh e hidhur, por është themeli i ekzistencës njerëzore e natyrore. Ky shkrim, pa figura letrare e shumë larg pasthirrmave neveritëse politike përkujton rastin unikal të heroizmit të rrallë, prerjes me sharrë druri të krahut të një partizani të plagosur gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar.

 

 

Është fjala për partizanin Elmaz Teme, Bilbili nga Dukaj i Tepelenës, të cilin e pata parë një herë në Çepan aty nga viti 1958, kur isha në klasën e gjashtë.

Isha fëmijë dhe me dukej çudi se si mund të ishte sekretar i parë  një burrë me mëngën e dorës së djathtë të futur në xhep të xhaketës…

 

 

 

Njeriu i mirë, Iljaz Musabelliu rrëfente…

 

 

Sipas tregimit të drejtpërdrejtë të Iljaz Ujanikut, (Musabelliu), pas dy ditësh që ishin larguar gjermanët dhe partizanët, Iljazi mori kalin dhe  shkoi  në Qafën e Gjarpërit, ku u bë një nga luftimet më të përgjakshme, se mos gjente ndonjë plaçke lufte.Është  veprim i njohur ky i çdo fshatari pas çdo lufte. Fshatari zemërmirë e shpirtbehar skraparli Iljaz Musabelliu duke kërkuar  nëpër dushnjere  dëgjoi rënkime. Iu afrua atyre.

 

 

Ishte një trup njeriu krejt pa ndjenja, thuajse i vdekur. Nga uniforma dukej që ishte partizan. Siç shkruan Sevo Tarifa, “E mori skraparlliu patriot dhe e hipi mbi kalë. E çoi në shtëpinë e vet. Fatimeja, e ëma  e Iljazit, që u bë edhe nënë e dytë e Elmazit,i bëri  partizanit tërë shërbimet e  mundshme dhe e mbajti si djalin e saj, me ndërresa e mbulesa, me  ushqim e kujdes prindëror. E shikonin me sy dhe u pikonte në zemër.

 

 

Dhe ja, Elmazi dha shenja jete.  Gëzimi që  i plagosuri pa ndjenja u ngjall, ishte i papërshkruar. Ishin njerëz të mrekullueshëm, ata në Ujanik. Po ashtu edhe ata në Çepan”.  Ishte vetë Elmazi, që më pas,pas përmirësimit të plagës që nga Çepani njoftoi komandant Sheqfet  Peçin  se ishte gjallë. Gëzimi i Komandantit nuk kish të matur.

 

 

Ai kishte qenë vetë dikur në Çepan dhe kish fjetur një natë tek Rustem Çepani. Më pas iu dërgua lajmi të ëmës që i biri ishte gjallë. Dhe Shefqeti e Elmazi tërë jetën bëheshin si vëllezër,miqësi që e vazhdojnë edhe nipërit…

 

 

Nga Ujaniku deri në Çepan që mbante  më shumë se gjashtë orë në këmbë, e shoqëroi hipur në kafshë një pjestar i familjes Musabelliu.  Aty,ai e dorëzoi të plagosurin te mjekët dhe u largua. Partizani i gjetur tashmë, por me krahun të gangrenizuar qëndron disa ditë nën kujdesin e personelit të atij spitali që drejtohej nga   mjeku italian D’Alesio ish-partizan i  batalionit “Antonio Gramshi”.

 

 

Banorët e Çepanit krenohen me  Elmaz Temen

 

Ja çfarë ma ka treguar  Bukurije Çepani në 16 dhjetor 2003, në shtëpinë e saj në rrugën “Siri Kodra”, Tiranë:

 

“Ka qenë qershori i vitit 1944. Bënte  shumë vapë. Isha martuar me  Njaziun, por ai nuk më mori  në batalion. Dhe jetova me krismat e luftës më pas. Më tha që të rrija ca kohë  në fshat se edhe këtu i shërbeja luftës”.

 

Ato muaj në Çepan u vendos spitali partizan. Unë isha në rolin e infermieres në spitalin e improvizuar në Çepan në shtëpitë e Dervish Osmanit, Abdurrahim Metajt dhe Besim Begos. Ishin shtruar disa të plagosur.Kujtoj Shpresa Fugën, Skënder Malindin e disa të tjerë.Meriemë Metaj bënte kuzhinën dhe hyzmetin.

 

 

Aty nga mezi i qershorit, na erdhi një i plagosur nga Ujaniku.Se mos i shënonim ne datat e ditët !? Ishte kohë lufte dhe kur shikoje të plagosurin s’të vinte mendja për kalem  e për letër.

 

 

Pamë që krahu i tij i djathtë i varej sikur të ishte këputur. E quanin Elmaz Teme. Doktorët thanë që për t’i shpëtuar jetën,do t’ia prisnin krahun se i kishte zënë krimba.Për prerjen e krahut të thyer nga plumbat të partizanit,që mbahej nga cipa e lëkurës dhe që  kishte zënë krimba, mjeku italian D’Alessio vendosi të përdorë sharrë druri.

 

 

Xhaxhai i tim shoqi, xha Dervishi kishte plot vegla pune sepse ata të shtatë vëllezër ishin shumë punëtorë dhe i bënin vetë gjërat që u nevojiteshin. Siç më porosiste doktori, mora një sharrë dore druri, e pastrova me raki dhe e nxeha mirë në prush.

Doktori kishte edhe ca ilaçe, takëme e barna të tjera por ilaçin kryesor ia  kishte përgatitur bashkëfshatarja jonë Naileja e Veizit (Basho) që na i sillte nusja e saj Peruzeja: bar i prerë dhe i shtrydhur, dhjamë pule, pak hi, ujë gëlqere pak sapun rrobash të përzier në mënyrë të përsosur. Ky qe melhelmi më i mirë që ndikoi në qetësimin e plagës mbas prerjes me sharrë në pjesën e pa kalbur të kockave të thyera të krahut të Elmazit.

 

 

Durimi i dhimbjeve gjatë sharrimit të krahut  i atij djali partizan  ishte i çuditshëm dhe nuk përshkruhet.Ishte shumë trim.E kujtoj si tani, kur doktori italian D’Alessio, me shqipen e tij të çalë, i drejtohej partizanit të Br. 5 S. të plagosur në Qafën e Gjarpërit, Elmaz Teme nga Tepelena “Bravo partizan!Ti partizan ke jetën, kjo vajzë Bukurije, grua e komandantit tonë”.

 

 

Bukurije Tefik Rogu, ka qenë  grua luftëtare e lindur më 28. 12. 1926 në Berat, dhe e martuar në Çepan e cila ka qënë e vetmja vajzë, nuse, grua, e këtij fshati pjesëtare aktive me armë në dorë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, krah për krah me të shoqin, Njazi Myftar Çepani, me bindje të palëkundshme për fitoren e lirisë.

 

 

Ajo ia kushtoi jetën e saj çështjes së atdheut, përparimit shoqëror  dhe mirërritjes së fëmijëve. Lanë katër fëmijë të mrekullkueshëm, Çlirimin, Ilirin, Fatmirin,Arjanën.E lindur në një familje me tradita thellësisht dhe historikisht patriotike nga gjyshi Hysen Rogu i parë, babai Tefik Rogu, nëna Nasibe (i thoshin Hasbije), xhaxhai Kajmak Rogu,  ajo u edukua edhe si nikoqire edhe si punëtore edhe me ndjenjën e dashurisë për atdheun. Ishte veterane shumë e angazhuar në kryeqytet…

 

 

 

Elmaz Teme – dëshmor i gjallë

 

Më datën 19 tetor 2022, në Tiranë,njëri nga djemtë e  Elmaz Temes, ish-partizanit që i dha  lirisë  së atdheut tre vite nga jeta dhe  krahun e djathtë, mjeku okulist Vladimir Bilbili me thjeshtësi e krenari të natyrshme tregon:

 

“Babain tim i ati e la 5 vjeç. Në moshën 14 vjeç u pajtua çoban  tek  një pasanik  në një fshat  të Zagories. Ata e trajtonin shumë keq, ndaj një mbrëmje, pa i mbledhur bagëtinë iku për tërë natën dhe u gdhi në fshatin e tij. Iu desh të kalonte vite në varfëri e  vështirësi të shumta. Mësoi nga nëna se babai kishte marrë pjesë në 1914 dhe 1920,në luftë kundër pushtuesve grekë e italianë, duke luftuar për çlirimin e Vlorës e të Sazanit. Ai përjetë u ishte mirënjohës nënës së tij Zenepes,dhe xha Bajramit  që e rritën dhe e edukuan.

 

 

Në luftën italo-greke Elmazin e mobilizuan forcërisht ushtar por ai dhe shokë të tjerë shqiptarë, dezertuan. Nuk bëheshin  dot  mish për top. Për të  mos u kapur shkoi në Vlorë. Këtu u përfshi në veprimtari të rinisë komuniste e antifashiste dhe doli partizan në çetën “Halim Xhelo”. U rreshtua më Br5S, e cila mori pjesë edhe në luftimet e  Qafës së Gjarpërit, Guri i Prerë, një nga betejat më të mëdha të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare  të zhvilluar natë e ditë pa pushim, ku u vranë, 30 partizanë; midis tyre Naun Panxhi, Xheladin  Beqiri dhe babai im.

 

 

Komandant Shefqet Peçi, të cilin  babai e kishte njohur që në Vlorë, i dërgoi, ashtu si të tjerëve,  letër në familje. E ëma nuk dinte shkrim e këndim ndaj ia lexoi një fqinje. Në letër  thuhej se Elmazi kish rënë dëshmor për lirinë e Shqipërisë dhe shpreheshin ngushëllime. Nënë Zenepja  e mori letrën dhe e  grisi duke thënë: “Mu bëfshi kurban! Djali im nuk vritet!”…

 

 

Dhe zemra e nënës e kishte ndjerë të vërtetën; djali i saj ishte plagusur rëndë, në krahun e djathtë kishte humbur ndjenjat por …ishte gjallë. Në mbarim të luftimeve më 7 qershor  1944   ai kish mbetur pa ndjenja në një terren të vështirë, shkëmb e pyll, gëmusha e rripa, gurishte e  rrëkera të thara.Shokët edhe pse kërkuan nuk e gjetën dot…

 

 

Pas  ngjalljes në Ujanik, dhe sharrimit të krahut në Çepan, ai u dërgua  në Taranto të Italisë për kurim të specializuar.Pastaj  ai kreu detyra të ndryshme, krijoi familje dhe ne jetuam atje ku punoi ai. ”Elmaz Teme Bilbili, kurrë nuk u përkul dhe nuk bëri  ankesa apo letra. E jetoi jetën vetëm me ndershmëri, me pastërti shpirtërore prej komunisti të vërtetë dhe motive atdhetare të atilla që tani vështirë të imagjinohen e jo më të realizohen.

 

Pas gjysmë shekulli…

 

Tani, në kohët e afërta, rreth vitit 2009 në Çepan  shkon për  një studim sociologjik një grup të rinjsh nga Tirana. Njëri syresh, pasi mbrritën në fshatin Çepan  pyet në se ka ndonjë klub për një kafe.  Ia tregojnë. Ai shkon  e ulet në një tavolinë.

 

Lokali i vogël kishte vetëm një klient relativisht të moshuar që pinte cigare. Pronari i lokalit, një burrë i shkathët dhe gojëbrisk, njëherazi edhe kamerier i tij,  me buzagazjen e mikpritjes së çepanlliut, i ofron edhe një gotë raki, por djaloshi nuk e pranoi alkoolin.

 

 

“Do ta marrësh me detyrim”- ngulmoi pronari i klubit. Plaku çepanlli  që ish ulur karshi e pyeti:

”Nga të kemi, ore bir?“

”Jam nga Tepelena”,- ishte përgjigja.

“Kam pasur një mik të  fortë nga Tepelena, e quanin Elmaz Teme- thotë plaku  paksa mendueshëm.

“Unë jam nipi i tij” – flet  thjeshtazi djaloshi që po rrufiste kafen.

”Si, more, ti je nipi i Elmaz Temes?- klithi i habitur dhe i gëzuar xhaxhua.

Atij burri që i kish shokët të rrallë?! Na bjer një dopio raki dhe një meze të shpejtë- porosit  xhaxhai dhe shkon ulet në tavolinën e djaloshit.

 

E përqafon sikur të kishte përpara Elmazin…

Kishin kaluar pesëdhjet vjet  që kur Elmazi kish qenë edhe në Çepan, kur ishte në detyrën më të lartë, atë të  sekretarit të parë të partisë së rrethit të Skraparit, por gjurmët e punës së tij të pastër nuk janë shuar e nuk do të shuhen kurrë.

 

 

I telefonoi mësuesit më të vjetër që jeton sot, 2022 në Çepan, shokut tim të fëmijërisë Bashkim Abazi  dhe i rrëfeva këtë histori.”Po- tha Bashkimi, është e vëtetë. Ai do të ketë qenë Sali Osmani. Por Elmazin e njihnin mirë dhe kishin miqësi edhe xhaxhallarët e mi naftëtarë në Kuçovë, Ismaili dhe Sherifi. Elmazi ishte burrë babaxhan dhe të ngjallte respekt sapo e shihje”.

 

 

Më pyet,  Qemal Hysen Bego 19.10.2022, në se mund të takohemi nesër dhe i them se jam ulur e po bisedoj   me djalin e Elmaz Temes.  Qemali, ish-partizan, tani veteran i luftës,sot  96 vjeç, ma kthen:

”I bëj shumë të fala. Kishte një baba të mrekullueshëm. Elmazi ishte sekretar i dytë i rrethit të Beratit kur unë isha kryetar kooperative bujqësore në Kutalli. Kam mbresat më të mira për të  sepse ishte  kuadër i zoti,  njihte dhe zgjidhte problemet, gëzonte respektin e të gjithëve”.

 

Duke u fjalosur me shokët pensionistë në kryeqytet, koloneli në pension Rushit Kuçi rrëfen një  episod  shumë interesant që lidhet me  Elmaz Temen në Vëndreshë, Skrapar. F

 

 

ëmijët e Vëndreshës së tretë e kishin paksa larg shkollën ndaj prindërit e tyre u mblodhën dhe iu kërkuan organeve të rrethit që t’u ndërtohej shkollë në fshat, atje lart. Morën  përgjigje se kërkesa do të kihej parasysh por’gurët në trastë’. Atëherë prindërit e 15-20 familjeve që kishin fëmijë për shkollë  kryejnë një lloj “mosbindje civile” dhe  nuk i dërgojnë fare fëmijët në shkollë.

 

 

E merr vesh sekretari i parë Elmaz Teme dhe u kërkon vartësve sqarimet  përkatëse. Pastaj ai pret një grup prindërish në zyrë dhe  pasi u shpjegon mundësitë reale konkrete, e quan të drejtë kërkesën, e cila do realizohej më pas, në bazë të mundësive ekonomike.Por e quan shumë më të rëndë veprimin që u ndaluan fëmijët të vinin në shkollë në ato kushte që janë. Im atë  u ngrit dhe tha se kjo   është padrejtësi.

 

”Fëmijët të dërgohen menjëherë në shkollë.Ti që i je organizatori i kësaj  ‘revolte’  do të dënohesh”- qe fjala mbyllëse e  Elmaz Temes. Dhe im atë  u dënua vërtet konformë ligjeve.Ndërkaq fëmijët u dërguan në shkollë dhe  në të ardhmen  e shpejtë u ndërtua edhe shkolla e  kërkuar.

 

Elmaz Teme e dinte  fare mirë rëndësinë e shkollës  dhe edukimit të fëmijëve…dhe si askund, nuk bënte lëshime.

 

 

Porosia e babait ishte…

 

 

Vijon të tregojë  Vladimir Bilbili:

”Vite më pas babai u interesua shumë që të gjente tërë ata  që  e  shpëtuan  nga vdekja. Ndodhi që babai u caktua edhe në detyrën e sekretarit të parë të  partisë në rrethin e Skraparit në vitet 1957-1959.

Shkonte tek Musabellinjtë si në shtëpinë e tij.Ndihmoi sa mundi për të shpërblyer sadopak përkujdesjen  e  paimagjinueshme  të asaj familjeje skraparase aq atdhetare.

 

Edhe unë unë kam qenë atje  në Ujanik, madje në atë konak ku kish qenë im atë i plagosur…sepse  u miqësuam aq shumë sa  prindërit e tyre Elmazin e quanin djalin e tyre të gjashtë…Në vitin 1985, në Tiranë babai më porosiste:

” Nuk duhet folur shumë dhe pa u menduar mirë.  Punët  kanë marrë për tatëpjetë, prandaj mundohuni që të mos mbeteni brez i humbur për këtë atdhe…”

 

 

Elmaz Teme kish lindur më 31 mars 1919.Pas çlirimit ka kryer detyra të rëndësishme. U dërgua në ish-Bashkimin Sovjetik dhe kreu studimet e larta për ekonomi politike.

Ka patur funksione të ndryshme në Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Ballsh, Berat, Kuçovë, Skrapar dhe në Tepelenë, deri sekretar parë i partisë të rrethit. Edhe pse ishte me një dorë, ka qenë i gatshëm të shkonte dhe shkoi  atje ku i thoshte partia, madje dhe kryetar i kooperativës bujqësore në Dukaj.

 

 

Ishte një kuadër i njohur dhe i nderuar kudo që ka punuar e jetuar nëpër Shqipëri,deri sa u nda nga jeta më 3 dhjetor 1993.

 

 

Ai i kishte dhënë lirisë së atdheut   një copë  të trupit të tij,e më pas  tërë shpirtin e tij dhe asnjë herë nuk iu shmang vështirësive. Ishte  dhe mbeti në kujtesën njerëzore shqiptare një  hero i vërtetë.