Emiliano Biraku – shqiptari që po i jep zë qytetit botëror të kulturës

Emiliano Biraku – shqiptari që po i jep zë qytetit botëror të kulturës

Ka njerëz për të cilët urimet janë gjithmonë të pamjaftueshme. Jo sepse nuk i meritojnë, por sepse jeta e tyre është një varg veprash që flasin më fort se çdo fjalë. Emiliano Biraku është një prej tyre.

 

 

Sa herë dëgjojmë emrin e tij, nuk na vjen ndër mend propaganda, reklama apo vetëlavdërimi. Na vijnë ndër mend puna, vizioni dhe rezultatet. Ai është nga ata njerëz që lajmet nuk i kërkojnë, por i krijojnë.

 

 

Së fundmi, një tjetër sukses i është shtuar rrugëtimit të tij. Në Festivalin e Filmit CVV Corti, të drejtuar nga Thomas Toffoli, dokumentari “Pinocchio’s Harvard”, ku Emiliano Biraku ishte bashkëproducent së bashku me Gladiola Donën, u vlerësua me çmimin “Dokumentari më i mirë me metrazh të shkurtër”.

 

 

Filmi, i realizuar nga VIV Films në bashkëpunim me CinemaSet dhe VeniSet, është dëshmi se kur pasioni bashkohet me profesionalizmin, suksesi bëhet i natyrshëm.

 

 

Por ky nuk ishte i vetmi lajm i bukur. Dokumentari “Lucia Nadin e gli Albanesi a Venezia 1479–1552” u shpall dokumentari më i mirë i festivalit.

 

 

Natyrisht ky ishte një gëzim i madh për Emilianon, si producent, por edhe për miken e madhe të shqiptarëve, Lucia Nadin, dhe për gazetarin e njohur shqiptar, Ilir Yzeiri.

 

Të dy dokumentarët u përzgjodhën për t’u prezantuar në hapësirën e Rajonit Veneto gjatë Festivalit të 83-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia. Nuk ishte vetëm një sukses artistik. Ishte një fitore e kulturës shqiptare në një nga skenat më prestigjioze të Evropës.

 

 

Prej vitesh skraparlliu Emiliano Biraku, djalë i një familjeje të thjeshtë tomorricare, arriti të ndërtojë emrin e tij si njëbinesmen dhe mecenat arti në një nga qytetet më të njohura të botës, në Venecia.

 

 

Për vite me radhë ai drejtoi Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë në Rajonin e Venetos, njëkohësisht që bashkë me vëllain e tij, Ermalin, kanë posedojnë dhe drejtojnë disa restorante në zonat më të frkuentuara të Venecias.

 

 

Por vlera më e madhe e këtij njeriu, është se ai ka vizione të qarta të larta në fushën e historisë, artit dhe të kulturës, që për Venecien janë të shënjta dhe të shtenjta, janë vetë identiteti i saj.

 

 

Në Venecia ai nuk është vetëm një biznesmen i respektuar. Ai është një mik i artistëve, i studiuesve, i krijuesve dhe i shqiptarëve që kërkojnë të prezantojnë vlerat e tyre.

 

 

Ai hap dyer, krijon ura bashkëpunimi, afron njerëz dhe mbështet iniciativa që promovojnë historinë, kulturën dhe identitetin shqiptar. Shumë projekte nuk do të kishin marrë jetë pa besimin, mbështetjen dhe përkushtimin e tij.

 

 

Ai nuk kërkon të jetë në plan të parë; mjafton që puna të ecë përpara. Pikërisht kjo e bën të veçantë.

 

 

Ëndrra e tij që Venecia të mos mbetet vetëm kryeqyteti botëror i turizmit, por të shndërrohet edhe në një qendër të rëndësishme të turizmit kulturor dhe të industrisë kinematografike, nuk është më një ide romantike.

 

 

Ajo ka hyrë në rrugën e realizimit. Dhe kjo ndodh sepse pas saj qëndrojnë njerëz që dinë të punojnë, të bashkojnë energji dhe të ndërtojnë vizione afatgjata.

 

 

Ndërkohë, Emiliano vazhdon të investojë edhe tek vetja. Studimet në Harvard, angazhimi i tij në jetën publike të Venecias, pjesëmarrja në ngjarjet më të rëndësishme institucionale – deri edhe në festimet e Republikës Italiane pranë Presidentit Sergio Mattarella – janë dëshmi se ai nuk e konsideron suksesin si një pikë mbërritjeje, por si një përgjegjësi për të ecur gjithmonë përpara.

 

Sa herë flet në media, në televizione apo në aktivitete publike, e shoh të njëjtin njeri: të thjeshtë, korrekt, dinjitoz dhe krenar për rrënjët e tij shqiptare. Nuk ka nevojë t’i kujtojë askujt nga vjen. E tregon me mënyrën se si jeton, si punon dhe si përfaqëson vendin e tij.

 

 

Shqipëria ka nevojë për njerëz si Emiliano Biraku. Njerëz që nuk kërkojnë duartrokitje, por krijojnë vlera. Njerëz që e kuptojnë se suksesi personal merr kuptim vetëm kur bëhet dobi për të tjerët.

 

 

Prandaj, ky nuk është një urim.

 

Është një shenjë mirënjohjeje për një shqiptar që, nga Venecia, vazhdon t’i bëjë nder vendit të tij.

 

 

Është një arsye krenarie për Skraparin, për Tomorricën dhe për çdo shqiptar që beson se puna, kultura dhe humanizmi janë ambasadorët më të mirë të një kombi.

 

#Z. Hoxha (Orakujt…)