Emiliano Biraku / Si u bë ky djalë fare i ri nga Barçi i Skraparit një figurë tepër e njohur për politikën, biznesin dhe publikun italian
Nga biseda me biznesmenin dhe politikanin Emiliano Biraku, kryetar i Dhomës së Tregtisë së Venecias dhe zëvendëspresident i Confederatës së Bizneseve të Rajonit të Venetos
Kush është Emiliano Biraku dhe si ai i ngjiti shkallët e karrirës?!…
Hajri Nuhu
Emiliano Biraku, tomorricar e skraparlli me vlera. Sa shumë bën, sa pak flet për vete! Sa shumë i njohur në Venecian e vendit fqinj, sa pak njihet këtej nga ne!…
Atje mjaft aktiv me intervista në televizione e gazeta, konferenca e simpoziume për biznesin e politikën. Këtu e thirrën vetëm në një takim për diasporën 6 vjet më parë. Edhe pse mund të jetë një nga djemtë që kanë guxim e ide për të ecur në biznes e në jetë.
Eshtë një Qytetar Nderi i pashpallur i Skraparit tonë. Nxënës në gjimnazet e Tiranës, i shkëlqyer. Vend të tretë në Olimpiadën Kombëtare të Matematikës. Mbaron gjimnazin “Qemal Stafa” me të gjitha 10-ta. Shkon për studime në universitare në Venecia. Mbaron shumë mirë ciklet universitare në Ekonomi-Financë.
Guxon e investon. Bashkë me vëllain investon dhe është pronar i katër restoranteve në Venecia. Për 6 vjet ka qënë pjesë aktive e politikës italiane, kryetar i Partisë Demokratike në Venecia, pjesë e kryesisë kombëtare të kësaj partie. Ishte kanditat për deputet në zgjedhjet e parlamentare të vitit 2018. Në gusht 2020 është zgjedhur kryetar i Dhomës së Tregëtisë se Venecias. Në mars është zgjedhur zvendëspresident i Confederatës së Bizneseve të rajonit të Venetos.
Njihet jo vetëm në Venecia, por edhe në Padova e Treviso, në Verona e Rovigo. Guvernatori i Rajonit të Venetos e ka emëruar në qershor të vitit 2021 drejtor për Turizmin Dixhital dhe Inovacionin…
Këto janë pak gjëra nga ato që e kanë formuar Emiliano Birakun si intelektual, biznesmen e politikan.
Na ndjek në portalin “Orakujt e Tomorrit”. E vlerëson, se e do vendlindjen. Vjen dy-tri herë në vit. Në gusht ngjitet për çdo vit në Tomorr. Edhe këtë vit nuk do të mungojë.
Për më shumë po sjellim pjesë nga një bisedë me të:
Fëmijëria e Çorovodës….
Ka magji ai qytet. Një qytet i vogël, i pastër, ku njihen të gjithë, ku respektohet e nderohet miku. Fëmijëria ime përkon me ndryshimet demokratike. Ishim të vegjël dhe shumë gjëra nuk i kuptonim. Isha nxënës në shkollën “Kahreman Ylli” në vitet 1991-1998. Pra, 14 vite i kam në atë qytet.
Nuk harroj ditën e parë të shkollës, mësueset, shokët e shoqet. Në klasën e parë kisha mësuese Leta Harizajn e më pas, për tre vjet, Xhire Dyrmishin. Çfarë mësuesesh dhe cili ishte përkushtimi, dihej. Ishin të rëndësishme në formimin tim, në orientimin tim të mëvonshëm. Kujtoj që disa herë më jepnin të korrigjoja edhe detyra të nxënësve të tjerë. Veprime që linin gjurmë tek ne.
Të jem i sinqertë,Çdo sukses që kam arritur më vonë zë fill tek puna plot pasion e mësuesve të fillores.
Kujtime? Kam shumë se ato nuk harrohen. Rritesha në një lagje modeste, por me njerëz që kishin zemër të madhe. Isha pjesë e veprimtarive të Qendrës Kulturore. Bëra edhe prezantuesin në disa raste. Falë veprimtarive, zbulova që kisha talent për të imituar personazhe publike. Normale, me kalimin e viteve pozicionohesha.
Fëmijëria dhe Barçi im
Rrënjët e mia janë atje në BarÇin mal. Nga mosha 2 deri në 4 vjeÇ i kam kaluar në fshatin BarÇ nën përkujdesjen e gjysh Rakipit dhe gjyshe Soses. Prindërit në ato kohë punonin në Çorovodë. Qëndrimi aty la gjurmë dhe Çdo verë shkoja në fshat. Edhe kur u rrita.
Për mua edukimi me vlerat e traditave të zonës sonë nga gjyshërit ka qënë themeli i asaj dashurie e lidhje që kam me vendlindjen. Jam shumë krenar për gjysh Rakipin, i cili ka punuar gjithë jetën me ndershmëri e djersë dhe kurrë nuk i është servilosur sistemit komunist të kohës. Gjithmonë në shërbim të komunitetit, i drejtë e punëtor. Me krenari e them që keto vlera dinjiteti e modestie i kemi trashguar me vëllain.
Drejt Tiranës, si shumë të tjerë
Në vitin 1998 familjarisht u zhvendosëm në Tiranë. U vendosëm në lagjen e Kombinatit dhe klasën e tetë e kreva në shkollën “Shyqyri Peza”. Nuk kisha parë shumë dhe Tirana më dukej e madhe “gati e frikshme”. Qyteti i madh vërtet, por jetoja me mallin dhe dashurinë për qytetin e lindjes.
Edhe pse i vajtur rishtas përfaqësova shkollën në Olimpiadat Kombëtare të Fizikës, Kimisë e Matematikës. Në atë të Matematikës u klasifikova i treti. Ishte sukses i parë ky ballafaqim.
Pastaj erdhi shkolla e mesme. Mbarova gjimnazin “Qemal Stafa” në vitin 2003. I kisha të gjitha dhjeta dhe ëndrra ishte të vazhdoja jashtë.
Në Venecia, student…
Ishte ëndërr për shumë të rinj. Atje ishin dajat e mi. Ishte një mundësi më shumë. Ata në fillim më mbështetën, më ndihmuan shumë. VeÇ të afërmve edhe studentë të tjerë shqiptarë që ishin aty para meje më ndihmuan shumë.
Jam diplomuar Bachelor Ekonomi-Financë në vitet 2003-2009 dhe masterin në Risk Management 2009-2011 në universitetin “Ca’ Foscari”. U ambientova shpejt, me gjuhën italiane kisha punuar që në Shqipëri. Kjo më lehtësoi në njohjen dhe përvetësimin e kurrikulave…
Pas përfundimit të studimeve, në vitin 2011 kam kaluar provimin e shtetit për “Promotore Financiaro”. Kjo për mua ishte njëlloj patente për të kryer investime në emër të klientëve në bursat financiare.
Pas studimeve kam filluar të punoj në “Alleanza Toro Assicurazioni” dhe pas licencës si “Promotore Finanziario” kam punuar në sektorin e investimeve në bursë për Deutsche Bank.
Paragjykime? Jo, udhën na i “kishte shtruar” Skënderbeu!
Pas shkollës u ndjeva më i rritur e i përgjegjshëm. Në Venecia është një komunitet shqiptarësh të mrekullueshëm. Historikisht Venecia ka qënë qytet i shkëmbimit të kulturave të ndryshme, një qytet që ka krijuar historinë e saj duke ngritur ura integrimi. Asnjëherë nuk ngriti ura paragjykimesh. Me shqiptarët jo e jo.
Diaspora shqiptare në Venecia është prezente që në vitet 1400. Shikoni se Çfarë emoncioni gjen në rrugët e saj?! Jo pak, por 9 rrugë mbajnë emrin “Calle dei Albanesi”. Monumenti i Gjergj Kastriot Skënderbeut është në muzeun e Pallatit të Dogës. Kisha e Shën Mauricios ishte shkolla e parë e shqiptarëve të shekullit të 15-të.
Në këtë qytet ka shumë gjëra që i kanë “rrënjët” shqiptare. Ka dokumenta që vërtetojnë lidhjen tonë të heshme. Kjo ka bërë që të mos ndihemi të huaj në këtë qytet. Gjithmonë na duket vetja se jemi pjesë e këtij qyteti.
Kam përgatitur gjithë praktikat më Bashkinë e Venecias për të emërtuar një shesh me emrin e Gjergj Kastriotit dhe për të ngritur edhe një monument të tij. Venecia ia ka borxh Skënderbeut sepse ai ka qënë mbrojtës i republikës së Serenisemes. Shumë shpejt do të bëjmë një ceremoni të përurimit.
Biznesi –ëndrra, zanati e sfida ime
Që në shkollë mendoja që të bëja diÇka timen. Punoja shumë. Vazhdoja studimet dhe për të përballuar studimet këputesha në punë. Shikoja që ata ku punonim ne fitonin. Pra ia vlente. Venecia është qytet turistik. Ka lëvizje. Por duhej guxim.
Në vitin 2012 bashkë me vëllain, Ermalin vendosëm të hapnim një restorant. Ermali ka mbaruar studimet per akitekturë në Universitetin IUAV të Venecias.
Në qershor të atij viti inauguruam “Trattoria da Gigi”. Kishim investuar në një fushë ku duhej guxim. Kishim mungesën e eksperiencës, nuk njihnim tregun. Duhej bërë emër, kërkohej reputacioni…
Po falë mbështetjes së prindërve, punës këmbëngulëse ia dolëm. Kjo u bë shtysë të çelnim restorantin e dytë. Emrin ia vumë “Trattioria Ali D’Oro”. Pra e quajtëm Ali d’Oro – Aliu i Artë. Kishim humbur babain, Aliun tonë të shtrenjtë që iku aq i ri në janar të viti 2014.
Në vitin 2018 hapëm restorantin e tretë “Ristorante Gran Sapor” dhe në vitin 2020 Çelëm Ristorante Mondonovo. Punojmë me klientelë vendase e turistë. Krahasuar me qytete të tjera në Venecia ka më pak shqiptarë. Kemi një raport shumë të mirë me njëri-tjetrin. Ka prej tyre biznesmenë në hoteleri, ndërtime etj.
Pra kemi ecur se kemi guxuar dhe punuar. Tashmë kemi emrin tonë. Jemi një familje që kemi punuar e punojmë shumë. Pa vëllain, Ermalin, që është krahu im i djathtë në jetë e në biznes, nuk do t’ia kisha dalë.
Të njëjtin rol luan edhe bashkëshortja, Jorgesa. Ajo është lindur dhe rritur në Poliçan, është shkolluar në Univesitetin e Tiranës për Informatikë. Edhe ajo e lidhur me vendlindjen ashtu si unë. Këtë dashuri për vendin e gjuhën mundohemi t’ua përcjellim fëmijëve tanë, vajzës, Gioa 9 vjeçre dhe Alothit 5-vjeçar.
Vëllezërit
Kryetari i Dhomës së Tregtisë së Venecias, vlerësim edhe për vendin që përfaqësoj
Në gusht të vitit 2020 jam zgjedhur kryetar i Dhomës së Tregëtisë së Venecias dhe në mars të këtij viti zvendëspresident i Confederatës së Bizneseve të rajonit të Venetos. Eshtë një rajon me 6 milionë banorë ku bëjnë pjesë Venecia, Padova, Treviso, Vicenca, Rovina e Belluno.
Eshtë vlerësim dhe një përgjegjësi e madhe. Eshtë një vlerësim jo vetëm për mua, por edhe për vendin nga kam ardhur, ku zuri fill formimi e karriera ime.
Në qershor të vitit të kaluar guvernatori i rajonit të Venetos, Luca Zaia Chairperson më ngarkoi me detyrën e drejtorit për Turizmin Digital e Inovacionin. Eshtë një drejtori me peshë. Janë 450 punonjës dhe ky funksion publik, pse ta fsheh, më jep kënaqësi.
Politikan në Itali, sfidë qytetarie për një emigrant
Emiliano është mjaft aktiv në mediat italiane. Jo vetëm rajonale. Rasti i tij është rrallë se si ka ecur, si është bërë pjesë e asaj shoqërie, si është integruar në të. Eshtë një shtet me rregulla, por edhe me qytetari e kulturë demokratike.
Për 6 vjet isha kryetar i PD në Venecia, pjesë e kryesisë kombëtare të kësaj partie. Në vitin 2018 isha edhe kanditat për deputet i kësaj force. Kam patur mik të mirë Davide Sassolin, President i Parlamentit Europian. E ndjeva shumë humbjen e tij para pak kohesh. Me një personazh interesant i të majtës italiane ish-kryeministrin Mateo Renzi kam bashkëpunuar në vite.
“Kam qënë më aktiv më parë, tashmë këto detyrat në fushën e biznesit më “kanë spostuar” paksa. Por kjo nuk do të thotë se kam hequr dorë. Falë këtyre detyrave kam arritur të lartësoj emrin, e kam të qartë vizionin.
Të përfaqësosh interesat e bizneseve në një botë tranversale që ndryshon shpejt është kënaqësi. Kjo më jep mundësinë të jem pjesë e tryezave dhe analizave me përfaqësues të qeverisë, me ministra, senatorë, komisione paralamentare. Pra është një eksperiencë jo e vogël që edhe më pjek politikisht, ndaj mendoj se shpejt do t’i kthehem politikës.
Venecia dhe Tomorri dy dashuritë e Ermalit
E dua qytetin ku jetoj. Po nuk harroj. Dhe nuk harroj Tomorrin, Skraparin, vendin tim. Vij 2-3 herë në vit. Shkoj në vendlindje, në origjinën e prindërve dhe timen. Shkoj përvit në Tomorricë e i ngjitem atij mali. Takimi tek Abas Aliu është i përvitshëm. Më fal dashuri ai mal, më jep forcë, më bekon. Eshtë ai bekim, ndoshta, një nga arsyet që më shkon mbarë. Eshtë një mundësi e artë për të takuar njerëz, shokë, miq. Qëndroj në Tiranë ku kam njerëzit e mi, shkoj edhe në bregdet.
Sa herë vij plotësohem. Se po shikoj që kanë ndryshuar shumë gjëra në infrastrukturë e turizëm. Ta pranoj, që trishtohem kur shkoj në Skrapar. I lënë pas dore. Edhe rruga Berat – Skrapar e amortizuar. Duhet vëmendje. Skrapari ynë është i bukur.