Enrieta Sina: Qyteti i shkallëve
Kushtuar Skraparit ku punova 15 vite si gazetare
Enrieta Sina*
Qyteti i shkallëve
Sa herë hedh hapat nëpër kalldrëme
Kudo ku jam ndër vite radhë
Ngjitem ngadalë e prehem çastit
Për shkallë të gurta paskam mall
Kam mall për hijeshinë e pemëve
Që shkundnin krahët përmbi lumë
Për buzëqeshjen tuaj, o njerëz
Që më kini dashur dhe ju dua shumë
Në atë qytet plot mirësi
Janë shkruar vargje thurur këngë
E pena ime është ngjyer lehtë
Në atë jetë që hodhi rrënjë
Isha e re , vajzë bregdeti
Iu ngjita maleve plot dashuri
Personazhe shkrimesh luftëtarët
Stanet e shumtë dhe miq të rinj
Miqtë e mi nuk kishin moshë
Si në qytet , në fshat e këngë
Kur i kujtoj pas shumë vitesh
Në rreze dielli kanë zënë vend
Ej, ju bujarët skraparlinj
Ej, ju luftëtarët e paepur
Ju që ditët ngritët histori
Gdhendur me lirinë në shekuj
Ju them kudo ku kam qëndruar
Në Nju Jork, Paris apo në Romë
Unë këngën tuaj kam dëgjuar
E isot i kam ndjerë njësoj
Kam mall për malet mbuluar borë
Për fshatrat me banorë bujarë
Për sofrat ku ngriheshin dolli
Me dashurinë tuaj të rrallë
Kam mall për shkallët e qytetit
Për përshëndetjet e çdo agimi
Prandaj në jetën tim them
“Ai qytet është dhe i imi…
*) Enrieta Sina (Zykaj), lindur në Vlorë, më 30 janar 1953. Në vitet 1973-1977 kreu studimet për Gazetari në Universitetin e Tiranës. Mbasi mbaroi studimet e larta punoi për 15 vjet nga 1976 deri në 1991, kur u mbyll botimi i gazetës “Jehona e Skraparit”.
Në Skrapar ajo lidhi jetën bashkëshortore dhe krijoi familje me të ndjerin Muhamet Zyka, mësues i Edukimit Fizik dhe sportist.
Enrieta ka një prodhimtari të begatë letraro – aristike si gazetare, shkrimtare dhe poete me mbi 20 vepra të botuara në gjini të ndryshme. Ajo është gjithashtu edhe një veprimtare e shquar shoqërore shumë e njohur.
Skraparin e quan një vendlindje të dytë.