Epidemia e injorancës që e kthen padijen në krenari
Ne kemi një problem shumë serioz si shoqëri:
Nuk dimë, por flasim.
Nuk studiojmë, por “gjykojmë”.
Nuk kemi kompetencë, por japim verdikte e defininicione..
Çdo profesion ka sakrificën, shkollimin, metodologjinë dhe përgjegjësinë e vet. Por tek ne mjafton një kafe dopio apo një dopio raki dhe lind një akademik.
E kemi kthyer mendimin personal në diploma, në tapi.
E kemi kthyer zërin e lartë në argument.
E kemi kthyer padijen në krenari.
Kirurgu operon me vite studimi mbi shpinë: “E di unë më mirë.”
Juristi citon nenin e ligjit: “Mos ma trego ligjin mua.”
Ekonomisti flet për inflacionin, bursat ndërkombëtare, kursin e këmbimit, akcizën: “O, po lëri ato, por po na vjedhin”!
Sipas ekspertëve të tavolinës, çmimi i karburantit vendoset mes filxhanit të kafes, gotës së rakisë dhe tavolinës së shahut.
Askush nuk do të dijë për tregjet globale, për tensionet gjeopolitike, për mekanizmat fiskalë ku 97 lekë/litri i merr shteti që në zhdoganim.
Mjafton zemërimi, s’duhet informacion.
Policia kryen një operacion? “Pse e arrestuan?”
Policia nuk ndërhyn? “Ku është shteti?”
Në Shqipëri, çdo qytetar është njëkohësisht hetues, prokuror, gjyqtar dhe ekspert sigurie me eksperiencë të fituar nga kronika e zezë në rrjete sociale.
Procedurat? Hetimi paraprak? Ruajtja e provave? Strategjia operacionale?
Detaje të parëndësishme për Akademinë e Kafesë dhe Rakisë.
Mjeku jep diagnozë? “Mos i beso shumë, kam lexuar ndryshe.”
Psikologu flet për trauma? “Lëre se ai është thjesht i llastuar.”
Inxhinieri shpjegon projektin? “E bëja më mirë unë me dy punëtorë.”
Historia? “E vërteta është ajo që kam dëgjuar.”
Feja? “Të tregoj unë si interpretohet.”
Teknologjia dhe inteligjenca artificiale? “S’është ndonjë shkencë e madhe.”
Bujqësia, tregu, subvencionet? “Janë thjesht mashtrime.”
Modeli është i njëjtë në çdo fushë: Shumë siguri, zero thellësi.
Problemi nuk është opinioni.
Problemi është arroganca e padijes.
Shoqëria funksionon mbi ndarjen e roleve.
Mjeku shëron.
Kirurgu operon.
Juristi interpreton ligjin.
Ekonomisti analizon tregun.
Policia zbaton procedurën.
Prokuroria jep pretencën.
Gjykatësi jep vendimin.
Në momentin që çdo njeri mendon se është mbi specialistin, kemi hyrë në territorin e mediokritetit kolektiv.
Nuk është turp të thuash “nuk e di”.
Turp është të pretendosh se di gjithçka.
Nuk është dobësi të dëgjosh ekspertin.
Dobësi është të mbrohesh me arrogancë kur faktet të rrëzojnë.
Sepse kur padija bëhet zhurmë, dija hesht.
Dhe kur dija hesht, vendin e saj e zë kaosi.
Ndoshta revolucioni më i madh kulturor do të ishte një fjali e vetme:
“Nuk jam ekspert për këtë temë.”
Deri atëherë, Akademia e Kafesë dhe e Rakisë do vazhdojë të prodhojë “gjeni” çdo mëngjes, çdo drekë dhe çdo darkë.
