Eqerem bej Vlora rrëfen historinë e shenjtërisë së Çukës së Tomorrit

Eqerem bej Vlora rrëfen historinë e shenjtërisë së Çukës së Tomorrit

 

 

Në tetor 1906, Eqerem bej Vlora, nëpunës i lartë i Ministrisë të Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane, vjen në Tomorr për pushime dhe gjah. Aty ngre çadrat dhe qëndron gati një muaj. Për rrugëtimin që ka bërë dhe ditët e qëndrimit në Kulmak, ai ka shkruar edhe një libër të titulluar, “Ditar, nga Berati në Tomorr dhe kthim”.

 

Krahas shënimeve që ai në Tomorr ka mbajtur dhe botuar, ka bërë edhe shumë fotografi, por siç thotë vetë më vonë, një pjesë e tyre i kanë humbur.

 

 

Më poshtë po botojmë një pjesë të shënimeve të tij, të marra ditari i tij, ku flitet për tyrben sipër në majë, kenotafin e Abas Aliut. Për fat, ka edhe një foto të asaj kohe.

 

 

 

Duhet thënë se në vitet ’60 të shekullit të kaluar kjo tyrbe është prishur dhe në themelet e saj është ndërtuar një repart ushtarak i ndërlidhjes, i cili ka vazhduar për gati 20 vjet.

Petrit Dume dhe Menduh Backa, ditën e prishjes së tyrbes dhe të ndërtimit në themelet e saj, repartit ushtarak 

 

Pas ndryshimeve politike të viteve ’90 të shekullit të kaluar dhe rivendosjes së fesë, nën kujdesin e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë, tyrbja është rindërtuar dhe vizitohet nga mijëra besimtarë, pelegrinë dhe turistë. Mundësinë ua jep edhe rruga automobilistike që është ndërtuar deri atje.

 

 

 

Fragment nga reportazhi i Eqerem bej Vlorës mbi Çukën e Tomorrit

 

 

 

 

“U futëm në të me ndjenja të përziera, duke qenë se në zonën rreth e përqark ajo nderohet nga të gjitha besimet.

 

 

Bëhet fjalë për një mur rrethor, ndërtuar me gurë të mëdhenj të latuar dhe pa llaç, me një derë të ngushtë në anën juglindore dhe që quhet mekam e në arabisht ka kuptimin vend, apo në mënyrë të veçantë, vend pelegrinazhi.

 

Në formën e sotme ndërtimi është i vitit 1880. Brenda peribolit nuk sheh gjë tjetër përveç një kamareje të punuar trashë në murin me gurë të mëdhenj, ku janë vënë dy qirinjmbajtës dhe një çini teneqeje.

 

 

Ajo ka disa monedha, para flijimi, sepse mekami mbahet për vend i shenjtë si nga myslimanët, ashtu edhe nga të krishterët dhe askush nuk guxon ta profanizojë duke vjedhur paratë e pelegrinëve. Këtë profanues Tomori do ta ndëshkonte me rrufe.

 

 

Më 15 gusht, ditën e Shën Mërisë, ky vend i humbur e larg botës gjallërohet. Më të shumtën janë dervishët bektashinj që vijnë këtu për t’u lutur, për të flijuar dhe për të mbledhur lëmosha.

 

 

Midis shoqëruesve të mi ishin edhe disa bektashinj që guxuan dhe iu afruan murit gjunjazi. Sipas besimit të tyre, gjatë betejës midis imam Hysenit, djalit të kalifit të katërt, Aliut, dhe Jezitit, djalit të Muavijes, një vëlla për baba i të parit, i quajtur Abas Ali (Bir i Aliut me një grua tjetër) mundi të largohej nga kasaphana e Qerbelasë dhe pas peripecish të gjata të arrijë në majën e Tomorit, të cilën vendosi ta zgjedhë për prehjen e tij të fundit.

 

 

Historia nuk thotë asgjë për një njeri të tillë. Të krishterët lusin këtu Shëmrinë, virgjëreshën.

 

 

Në të gjithë vendin, te njerëzit e të dy besimeve është e përhapur beja “Për Baba Tomorr”.

 

 

Siç është i përhapur edhe mendimi se këtu ka qenë vend kulti që nga lashtësia.

 

 

Poeti ynë i madh, Naim bej Frashëri, në një poezi që trajton historinë e vendit, i ka dhënë një formulim poetik këtij mendimi”.