Eqerem Gaxholli: Krenar që jam tomorricar!…

Eqerem Gaxholli: Krenar që jam tomorricar!…

Nga një bisedë me diplomatin, juristin dhe përkthyesin e letërsisë klasike, Eqerem Gaxholli (Kërpica), gjatë realizimit të dokumentarit “Tomorrica, fustanella e Tomorrit”

 

 

 

Hajri Nuhu

 

E them që në fillim me bindje dhe krenari. Jemi tomorricarë, se jemi aty që në lashtësi nën Tomorr, nën malin Baba, ku ka fronin perëndia.

 

 

Kufijtë administrativë nuk na ndanë asnjëherë shpirtërisht. Jemi një njësi unike, kompakte, fiziko-gjeografike edhe historike e kulturore.

 

 

Në planin fiziko-gjeografik Tomorrica i ngjan një varke. Popullsia e vendosur në dy anët e kësaj varke pothuaj në mënyre të njëjtë ka bërë të sigurt ekulibrin, në një ecje të gjatë e pa u përmbysur nëpër shekuj.

 

 

Krahina e Tomorricës që shtrihet midis vargmalit Tomorr – Kulmak në perëndim, kurrizit malor Koshnicë – Mietë, në lindje dhe, në veri kufizohet nga lumi Devoll dhe kodrat e Sulovës, ngjason me një varkë të madhe, që ka si bosht (aks) simetrie lumin e Tomorricës në drejtimin jug-veri, që e ndan në dy pjesë të barabarta.

 

 

Edhe popullsia e vendosur në dy anët e kësaj varke pothuaj në mënyre të njëjtë ka bërë te sigurt ekulibrin, ne ecjen pa u përmbysur në tërë shekujt që kur, në këto treva u vendosën të parët njerëz të krahinës.

 

 

Tomorrica është një urë lidhëse mes Skraparit dhe Gramshit. Eshtë një zonë me një bukuri të veçantë .

 

 

Udhëtarë e historianë, kronikanë, botanistë, klerikë kaluan nëpër Tomorricë. Ata shtangën nga ajo që panë. Fillimisht u mrekullua piktori Eduard Lear, që. edhe pse e pa që larg Tomorrin, vetëm një pjesë të tij, realizoi një nga kryeveprate tij pikturore.

 

 

Kështu ndodhi me dijetarë europianë si Margaret Halcuk, Antonio Baldacci e dhjetra të tjerë…Po ashtu kjo zonë befasoi Eqrem bej Vlorën, Fan Nolin e shqiptarë të tjerë të mëdhenj.

 

 

Unikë na bëjnë traditat dhe zakonet tona, mikpritja, ceremonitë e gëzimeve dhe dasmat, polifonia mbresëlënëse, gjuha jonë toskërishte e pasur dhe e pastër.

 

 

Nuk na ka bashkuar thjesht e vetëm rrugët e komunikimit mes fshatrave të zonës që zë fill me një degëzim të rrugës Egnatia që kalonte nëpër këtë zonë. Edhe kjo qëndron se kemi bërë tregëti mes njëri-tjetrit,japim e marrim.

 

 

Na bëjnë bashkë zakonet e traditat, besimi fetar,kenga e vallja toskërishte,veshjet e njëjta,festat e përbashkëta. Ne tomorricarët kemi betimin e njëjtë. Ne betohemi “Për Baba Tomorrin” e “Për Abas Aliun”…

 

Tomorricarët kanë një temperament të njëjtë në të dy pjesët, ata janë të ndershëm e punëtorë, janë besnikë e mbajnë fjalën.

 

 

Edhe miqësitë i kemi bërë më së shumti me njëri-tjetrin, jemi si të thuash “nip e dajë”.

 

 

Eshtë interesante, por zëri i tomorricarit gurgullon, ka një diksion të dallueshëm. Eshtë uji ndoshta.

 

Mikun e presin njëlloj, me meze, me raki, me dolli e me të gjithë të mirat që kemi në familjet e tona. Në çdo kohë një dhomë rrinte gati, ishte e pastër dritë dhe priste mikun.

 

 

 

Bashkë në momentet kulmore të historisë, në kuvende burrash ku vendosej fati i këtij vendi. Fama e tomorricarëve vjen që nga koha e Skënderbeut, i cili e pëlqente zonën e Tomorricës, jo vetëm si zonë strategjike, por edhe për shpirtin luftarak të burrave të saj.

 

 

Familja e Muzakajve e konsideronte zonën e Tomorricës si qilarin e pasurisë së saj, pasi kishin aty minierën e arit.

 

 

Tomorricarët kanë qëndruar kundër pushtimeve. Aq fort kundërshtoi pushtimin turk dhe nizamin sa e detyruan Portën e Lartë  që në 100 vite e trajtuan kaza. Nuk ishim zonë dosido. Pjesëmarrja në kryengritjen e 7 krahinave të Jugut në vitet 1834-1839,mbështetja për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Lufta e Vlorës, mbrojtja e Kongresit të Lushnjës, Lëvizja Fanoliste e deri lufta Nacional-çlirimtare i vuri tomorricarët përballë sfidave.

 

 

Kapedanët e kësaj zone patën mbështetjen e tërë zonës. Jemi krahina që u përfaqësuam në Kuvendin e Vlorës nga burri i kombit Ismail Vlora.

 

 

Tomorrica nxori kapedanë të përmasave që i kaluan kufijtë e saj. Tomorrica është krenare për Xhile Liçin e Servet Zaloshnjën, për Mestan Ujanikun që krijoi një nga cetat e para për luftën kundër fashizmit në Europë.

 

 

Kjo krahinë është shkelur nga pushtuesit e huaj, duke filluar nga austro-hungarezët, francezët, serbët dhe sllavët e tjerë të jugut, grekët, italianët dhe gjermanët.

 

 

Fronti i luftës italo-greke kalonte pikërisht në këtë zonë. Andartët grekë e dogjën Tomorricën. Në luftën kundër andartëve grekë një kontribut të madh dha edhe çeta e Zaloshnjës, e cila bashkëpunoi me çetën e Sali Butkës.

 

 

Në Qafën e Gjarprit (ku u vranë rreth 14 partizanë) dhe në Gurin e Prerë janë zhvilluar luftime të ashpra gjatë Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu luftime të përgjakshme janë zhvilluar edhe në Shëmbërdhenj, një fshat që i dha luftës 10 dëshmorë.

 

 

Edhe pse një zonë e thellë tomorricarët e deshën shkollën e dijen si dritën e diellit. Ne jemi krenarë që kishim që në Mesjetë një kryeqëndër si Grëmshi ku janë rrënjët e frashërllinjve të mëdhenj dhe Arkitekt Kasëmin që u bë kryearkitekt i perandorisë. Sipas regjistrave osmanë të vitit 1570, fshati Grëmsh kishte rreth 400 shtëpi dhe 18 dyqane. Për atë kohë konsiderohej fshat -qytet. Nëpër kohë kjo zonë i dha burra jo vetëm historisë,por edhe të shkencës e kulturës sonë kombëtare.

 

 

Tomorricën e bashkon besimi.Teqetë e zonës sonë si ajo Kulmakut, Shëmbërdhenjit, çerices, Kuçit ishin qendra të besimit e patriotizmit dhe klerikë si Baba Meleqi i bëjnë nder kësaj zone. Këto e të tjera janë arsye të forta që të jemi krenarë për origjinën, për Tomorricën tonë.

 

 

Disa të dhëna historike:

 

 

Në vitin 1923, 14 fshatra duke filluar nga Jança, u shkëputën nga Tomorrica e Skraparit dhe kaluan në anën e Gramshit. Ndërsa në 1948 rreth 12 fshatra kaluan sërish në anën e Gramshit.

 

 

Në vitin 1948, qeveria e asaj kohe, këtë krahinë e ndau në dy pjesë. Një pjesë, ajo më jugorja, vazhdoi të ishte dhe të jetë me Skraparin, ndërsa pjesa veriore iu bashkua Gramshit.

 

 

Fshatrat që varen sot administrativisht nga Gramshi janë: Narta, Skëndërbegas, Bletës, Kullollas, Ermenj, Vidhan, Siman, Lemnushë, Kotkë, Kërpicë, Sotirë, Ulovë, Dumberas, Brasnik, Bregas, Shëmitër.

 

 

Aktualish krahina e Tomorricës, në mënyrë administrative, tashmë është ndarë në dy pjesë, nga një e tëre që ishte.

 

Pjesa e Gramshit është bashkuar me krahinën e Sulovës dhe Vërçës.

 

 

 

Kush është Eqerem Gaxholli

 

 

Ish diplomati Eqerem Gaxholli  është një nga krenaritë intelektuale të Tomorricës, cilësohet si një nga diplomatët më të njohur shqiptarë, me një karrierë 20 vjeçare me  funksione diplomatike të ndryshme në Hungari, Francë, Belgjikë, Holandë, OKB – Neë  York dhe Kanada. Ndërkohë ai ka përfaqësuar qeverinë shqiptare në disa komisione në OKB dhe UNESCO.

 

 

Por sa i suksesshëm në misionet diplomatike, ai shfaqet akoma edhe më i suksesshëm me një profil tjetër, atë të krijuesit dhe të përkthyesit.

 

 

Ka përkthyer në shqip disa libra: “Gjeneral De Gol – Historia e jashtëzakonshme e liderit të Francës moderne”, “Planet e Hitlerit për Ballkanin (Nga Londra në Moskë)”, me autor Joachim Von Ribentrop, ish ministër i Jashtëm i Hitlerit; “Viktor Hygo – Jeta dhe vepra e gjeniut të Francës”, “Robespier dhe Revolucioni Francez”, “ Napoleon Bonaparti” etj., për të cilat ka marrë edhe çmime honorifike, siç është, fjala vjen, çmimi “Babel” për vitin 2021.

 

 

 Eqerem Gaxholli ka lindur në 1945 në Kërpicë Gramsh nën hijen e Malit të Tomorrit dhe është diplomuar në Institutin e Profesorëve të Frëngjishtes për të Huaj – Sorbonë e Re – Paris me bursë të Qeverisë Franceze. Gjithashtu ai është tiullar i diplomës Master në Drejtësi të Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Pas tërheqjes nga funksionet qeveritare ai punoi për 15 vjet si Noter, Zyrtar Publik Ligjor.