
Faleminderit, doktor Maks Musabelliu!
Zylyftar Hoxha
Para disa ditësh, ndërsa mbaroi veprimtaria kushtuar luftëtarit Mestan Ujaniku në mjediset e jashtme të Akademinë së Shkencave, u takova me mikun tim të vjetër të Çorovodës, doktorin stomatolog, Maks Musabelliu. Ashtu shpejt e shpejtë, “sikur na ndiqte njeri”, siç edhe bëhen në përgjithësi punët dhe bisedat tani, pyetëm njëri -tjetri n për shëndetin, për familjet, fëmijët, për punët, sepse e dija që Maksi, megjithëse kishte dalë në pension, punonte akoma.
Ndërsa flisnim ai më shikonte me sy ngultas në fytyrë, gjë që më çuditi dhe shkova dy tri herë dorën rreth buzëve mos më kishte mbetur ndonjë mbeturinë!…
-Dil andej nga unë, – më tha, kur u ndamë, – ajo goja jote është vjetëruar dhe duhet riparuar.
Atëhere më ra ndërmend se, për forcë zakoni, stomatologu, kur flet të shikon nga dhëmbët, berberi nga flokët, rrobaqepësi nga jaka e xhaketës, këpucari nga këmbët etj!…
Maksi kishte të drejtë, e kisha harruar veten dhe vajta.
Pas disa seancash mbarova punë. Nxora protofolin të paguaja dhe ai vuri dorën mbi protofol.
“S’ke asnjë detyrim ndaj meje, – t’i i ke shlyerë çdo borxh për atë punë që bën për gjithë komunitetin skraparlli, që na informon çdo ditë, që na mban lidhur me njëri-tjetrin, që na nxjerr mallin me vendlindjen…
Natyrisht mu bë qejfi për vlerësimin, por jo për lekët, për të cilat e ndjeva veten keq, se nuk më kishte ndodhur ndonjë herë tjetër kjo gjë, ndaj ngula këmbë: Në asnjë mënyrë, – i thashë prerë!
-Prit, më tha, nuk po e bëj për sadaká, se, si familje fetare, edhe sadakanë e kemi normë morale dhe unë kam bërë këtë gjë me shumë të tjerë autorite dhe personalitete, që nuk dua t’i zë në gojë me këtë rast, të cilëve u kam bërë punë falas për qejfiin tim, për dëshirën time, pse jo edhe si një kujtim të bukur.
Me Kadri Roshin
Por te ti ndryshon gjëja. Ti mban gjithë atë portal mediatik vetëm dhe me shpenzimet e tua, me pensionin tënd. Le të jetë ky shpërblim si një abonim vjetor i “Orakujve të Tomorrit”.
Natyrisht, u theva, e falenderova, sepse sigurova dhe një vit jetë të platformës sime mediatike, që nuk është pak.
***
Dhe tani dy fjalë të tjera për Maksin, për ata që nuk e njohin:
Rrjedh nga një familje e njohur ujanikese me histori. Është djali i Qemal Musabelliut, një njeri i njohur në të gjithë Skraparin, më shumë se për bëmat e tij, për burrërinë, esnafllëkun, mënçurinë, humorin brilant dhe besnikërië si praktikant i fesë bektashiane.
Kishte qenë partizan në Brigadën e Parë Sulmuese, por pak e dinin, vetëm kur e shihnin në përvjetorë me shallin e kuq, se ai nuk mburrej asnjë herë.
Me rrënjë fetare, Qemali ishte një besimtar besnik i pandreqshëm i teqesë së Dervish Iljazit në Kulmak, që ishte nip te pleqtë e Qemalit dhe Qemali kishte shërbyer që i vogël në teqe.
Në vitin 1991, kur sapo kishin filluar proceset demokratike të ndërrimeve të sistemeve, Qemali doli nëpër rrugët e qytetit me një taç të bardhë dervishi Bektashi(!).
U çuditën të gjithë: të shkonte deri aty shakaja!?…
Po enigma u zgjidh shpejt.
Në ditët e reja që kishin ardhur, të rehabilitimit dhe ringritjes së faltoreve të prishura dhunshëm në vitin 1967, në krye u vunë njerëz të familjeve që kishin patur pjesëtarë apo të afërm të atyre klerikëve.
Ndaj “vetëshpallja Baba” e Qemalt, qe aq e përligjur, sa askush nuk tha një fjalë, por, përkundrazi, u respektua dhe u nderua si i tillë derisa vdiq.
Qemali
Ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme në vitet e fundit të jetës për reabilitimin e Teqesë së Dervish Iljazit në Kulmak si nga ana ndërtimore, por edhe për pajisjen e saj, për ringritjen e varreve të shënjtorëve, një punë që, fatkeqësisht, nuk është vlërësuar edhe sot nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane, që të mos ketë të paktën një foto të tij në Teqe.
Por le të kthehemi përsëri te Maksi.
Doktor Maksi ka qenë dhe mbetet një ndër krenaritë intelektuale të Çorovodës, si dhe një qytetar i dorës së parë në të gjitha aspektet: në formimin kulturor, në formimin profesional, si dhe në atë civil – shoqëror dhe njerëzor.
Në vitin 1973 përfundoi fakultetin e stomatologjisë. U emërua në klinikën dentare të Gjerbësit, ku punoi për 8 vjet me radhë, deri në vitin 1981. Edhe pse në klinikë fshati, ambicioz, pasionant në profesion, futi metoda mjekimi moderne të kirurgjisë faciale, hapi protetikën, por bëri edhe një punë të jashtëzakonshme profilaktike me fshatarët dhe nxënësit në të gjitha shkollat e zonës.
Në vitin 1981 emërohet shef i klinikës dentare të Çorovodës dhe i shërbimit stomatologjik të rrethit.
Në vitet 1990 u specializua për kirurgji maksilo-faciale.
1994 filloi stomatolog privat në Çorovodë. Më pas transferohet në Tiranë, ku punon ende në klinikën e tij.
Diplomën me rezultate shkëlqyera në mbarimin e fakultetit të Stomatologjisë ai e pasuroi dhe e “mbushi” me një punë të admirueshme shkencore, me artikujt e botuar në revistën mjekësore “Punime Stomatologjike”, me tema studimore shkencore të referuara në disa sesione shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare të Stomatologjisë të organizuara në Tiranë dhe në rrethe të tjerë.
Është dekoruar nga Presidium i Kuvendit Popullor të kohës, medalje për “punë të shkëlqyer në shërbim të popullit”.
Tani punon në klinikën e tij bashkë me vajzën, Ertiolën dhe ndihmësen e pandashme, bashkëshorten, Hyrijen nga fisi i njohur Halilajve të Muzhënckës.