“Faqekuqja” e Prishtës, “nuse” në Zogas!…

“Faqekuqja” e Prishtës, “nuse” në Zogas!…

Letër e Iljaz Kapxhiut (Lace Nardenit), drejtuar Gaqo Veshit (Hyskë Borobojkës) për të mësuar ato që ndodhën në Zogas të Skraparit natën dhe u morën vesh ditën!…

 

 

Shëndet iu bëftë Nafijes, Hyskë i dashur, që nuk të la të vije mik te unë më të dalë të vjeshtës, se do ta kishe gdhirë natën në hotel, pasi ditën qe do te vije ti mik tek unë, unë isha nisur mik te miku im Harif në fshatin Zogas te Skraparit.

 

Harifi, Hyskë i dashur, kur më pa bashkë me Naziken mbrapa, erdh e iu bë qejfi sa s’ka ku të vinte më.

 

Meqenëse kishim kohë pa vajtur, më pyeti shkurt dhe një të ngritur bëhet e i fut thikës një limë për ta prehur mirë dhe ia vuri karçinit në grykë. Darka u shtrua darkë, Hyskë, me të gjitha të mirat. Për të më bërë nder mua, Harifi u kishte bërë zë edhe nja dy kushrinjve të tij, që ishin të muhabetit e të gotës, por nuk kishin qëllime të këqija të më vinin poshtë me raki. Donin muhabet e lezet. Uro, pi e ha.

 

Ky ishte fillimi. Harifi erdhi më qejf nga ajo e flamosur dhe mendjen te dollia. E ngriti me nja dhjetë. Pas dollisë çokëm gotat për mirësinë e saj, por nuk i kthyem dot, se trokiti dera. Brenda hyri infermierja e fshatit, Mimoza, pë t’i bërë një gjilpërë plakës së Harifit në orën e caktuar.

 

Pamja e Mimozës, Hyskë i dashur, na shqetësoi ne, po Harifin e bëri helm. Ajo i bëri gjilpërën plakës, por zemërimi i rrinte re në fytyrë. Nuk po merrnim dot vesh se çfarë i kishte ngjarë?!…

 

Gotën e mirësisë të dollisë nuk po e pinim akoma, sepse Harifi u lidh me fjalë me infermieren Mimoza. -Nuk të kam parë kurrë kështu, çke?!…

 

Mos të shqetësoi ardhja natën për t’i bërë nënës time gjilpërën?!…

 

Fjalët e Harifit, Mimozës i ranë si bombë, Hyskë, prandaj nuk e la të vazhdonte më tej.

 

-Më vjen shumë keq Harif, kur flet edhe ti kështu. Ti më njeh shumë mirë se kush jam. E kam per nder që u shërbej të sëmurëve natën, prandaj, të lutem, mos më ofendo!

 

-Pse të njoh, prandaj nuk më pëlqen të rrish hundë e buzë në shtëpinë time,- ia ktheu Harifi.

 

– Në shtëpinë time sonte ka gëzim, kurse ti më je zemëruar deri në maje të hundës, çke?!… E pa Mimoza që Harifi po e bombardonte me fjalë, na hodhi një vështrim ne të heshturve e shtoi:

 

-Kush martohet sot në fshatin tonë, Harif?

 

-Martohet njeri sot në fshatin tonë?! – u habit Harifi.

 

-Sot në fshatin tonë Harif bëhet një dasmë dhe pas disa orësh do të sjellin nusen!! – ia ktheu Mimoza.

 

-Plaka ime bëri gjilpërën, ti me dukesh se je sëmurë, Mimozë?!- ia ktheu Harifi aty për aty.

 

-Sot ka aheng vetëm në shtëpinë time, se ka ardhur miku im dhe miku i Hyskë Borobojkës, prandaj ngrihen dolli e këndohen këngë. Në shtëpitë e tjera nuk kanë ardhur as miq e nuk ka as dasmë. Këtë e di mirë Harifi, se dasmë deri tani në Zogas nuk është bërë pa vajtur ky Harif që sheh.

 

-Në fshatin tonë sonte natën do të vijë një nuse, Harif, por mua po më ha inati përbrenda, pse të vijë nusja natën, kur të gjitha nuset i kemi marrë e i kemi dhënë ditën! . . .

 

-Moj, po je në vete ti apo nuk je?! -Jam në rregull, – ia ktheu Mimoza e sigurt me ato çka thoshte. – Kur po vija për tek juve takova Tasim B. dhe Ahmet I., shaluar mbi kuajt e kooperativës. I pyeta se ku shkonin natën dhe më thanë, se po vinin në Prishtë për të marrë nuse.

 

-Nuse në Prishtë!…

 

-Po. Nuse në Prishtë. Bile Tasimi ishte selamaz.

 

– Tasimi selamaz!…

 

-Po. Pas tij Ahmeti!

 

-Pse mbaruan pleqtë e Zogasit, që të shkojnë krushq Tasimi me shokë!! Jo, Mimoza, në këtë mes nuk ka nuse, por. . ., – shtoi Harifi, dhe u tret në mendim.

 

-Ka nuse, Harif, se kafshët i kishin me shilte e me thasë, – shtoi Mimoza.

 

Harifi, Hyskë i dashur, e pa që Mimoza nuk ndahej nga mendimi i saj dhe unë, miku yt, kisha mbetur i habitur nga fjalët e saj, iu lut Mimozës të qëndronte në gëzimin e tij, por ajo u largua si erë drejt shtëpisë së saj.

 

-Vazhdojmë muhabetin, -foli një nga ata që kishte thirrur Harifi për të më bërë nder mua.

 

– Hapet dita dhe merret vesh nusja, se ata nuk do ta mbajnë në thes. Ku e lamë? –

 

-Te dollia!-lëshoi zë tjetri, ndërsa Harifi s’e kishte mendjen fare, por kishte ndryshuar tërësisht. As i pihej, as i hahej… Nusja që do të hynte natën në Zogas, ia kishte bërë mendjen çorbë…

 

-Pa ngrije atë dollinë, ti mik! – mu drejtua mua Harifi, – se do të dal një çikë unë, të marr vesh se çfarë bëhet. Unë e kundërshtova, i dashur Hyskë, që te mos ngrihej dollia, por Harifi më detyroi. Rrëmbeva gotën dhe i piva tri.

 

Me të pirë mirësinë e saj, Hartifi shtoi: -Ju vazhdoni muhabetin, se unë erdha. Dua të shkoj deri në stallën e kooperativës të shoh kuajt dhe mushkat. Vajta dhe erdha. Të afërmit iu lutën të mos ngrihej nga muhabeti, unë me time shoqe s’e hapëm gojën fare, kurse Harifi mbathi këpucët dhe u bë erë.

 

Largimi i Harifit e la pilaf muhabetin. I përpoqëm edhe disa herë gotat, por nuk shtyhej as rakia as mishi i pjekur i karçinit. Prit të vijë tani e prit të vijë pas cazë Harifi, por nuk po dukej fare. Gjumi po na vinte rrotull, kurse Nazikja kishte kohë që dremiste mbi pjatën e mbushur me mish të pjekur, prandaj, pashë çpashë kërkova të prishej muhabeti. Ai në fakt ishte prishur që kur erdhi Mimoza e iku Harifi.

 

Ramë për të fjetur dhe u ngritëm, Hyskë i dashur, por Harifi akoma nuk ishte kthyer në shtëpi. U bënë merak njerëzit e shtëpisë. E ëma e Harifit priste të bënte gjilpërën, por infermiere Mimoza nuk po dukej më keq se Harifi. Si pimë kafen, dolëm jashtë. Mbajtëm vesh mos dëgjonim këngë e valle, por s’pipëtinte gjë.

 

 

Nga një e tatëpjetë u duk koka e Harifit dhe prapa tij vinte infermieria. Të dy bënin muhabet dhe qeshnin.

 

Kur u afruan afër shtëpisë, Harifi i tha Mimozes:

– Të thashë që mbrëmë unë, se nuse natën deri tani nuk ka ardhur në Zogas.

 

– The ti, po çtha Tasimi, – ia ktheu ajo me të qeshur.

 

-Ha-ha-ha- qeshi me zë Harifi.

 

Unë me Naziken mbanim vesh muhabetin e tyre. Na përshëndetën ditën e re dhe Harifi shtoi: -Më fal, or mik, se e shkela një çikë, që të lashë vetëm, por ashtu ishte puna.

 

Urdhëro brenda! -Jo, jo, ne do të ikim, – shtoi Nazikja para meje.

 

– Ju faleminderit shumë dhe ju ardhshim për gëzim! -S’ka ikje për ju, sikur të bëhet qameti,- shtoi Harifi.

 

– Muhabetin e mbrëmshëm e prishi “nusja” e Tasimit, kështu që unë nuk ua zë. Sot do të bëjmë muhabet ashtu si na i do zemra.

 

 

E binda Harifin, i dashur Hyskë, se duhet të ktheheshim sa më shpejt në shtëpi, prandaj ai më kuptoi e më lëshoi udhë. Do të thuash ti, i dashur Hyskë, më shkrove gjithë këto rreshta dhe nuk më shkrove dy rreshta për nusen që mori selamazi Tasim me shokë?!

 

Duro, o i uruar, se do t’i them dy fjalë më poshtë: Tasimit i kishte shkuar mendja për mollë. Mollë më të mira se në Prishtë, zor se gjen në vend tjetër. Edhe shijojnë, edhe rrojnë. I zë qershori, Hyskë!

 

Për të marrë sa më shumë, shkon në stallat e kooperativës, përgatit kuajt dhe niset për në Prishtë. Ne ura e Blezënckës e sheh pisk, sepse kuajt nuk i binden, por zotësia e tij i hedh matanë. Aty na bën edhe një sherr të madh me shokët se nuk kanë marrë sa duhet thasë e torba.

 

Megjithatë mbërritën në Prishtë. Ngarkuan kuajt mirë e bukur dhe, pa u hapur dita mirë, mbërritën në Zogas. Mollët që morën natën, u dolën nëpër hundë ditën.

 

 

Kaq. Shëndet e mos u harro të dukesh tutje nga behari!

 

 

Miku yt,

Lace Nardeni

 

Shënim:

Kjo skicë humoristike është botuar vitin në revistën “Hosteni” në vitin 1986