Fasule dhe pordhë

Fasule dhe pordhë

 

 Edison Ypi

 

Rrugës për në Korçë pijetoret janë plot me filozofa lokalë, aristotela, platona, konfuca, sokrata, shekspira, frojda, dostojevska, lasgusha, Konica, Nola.

 

 

Gjithologët autodidaktë, profesor-doktora të vetshpallur, i kanë shndrruar lokalet dhe kioskat në auditorë në natyrë me raki përpara, mëlçi, mish, peshk, birrë, salc kosi, bukë të thekur.

Krema e intelektualëve rakipirës të Luginës së Shkumbinit flasin e bërtasin për gjithçka me një zell për tua pasur zili: Për Fatet e Kombit, hallet e popullit, politikën, gjeopolitikën, superfuqitë, diplomacinë, intrigat ndërkombëtare, ekonominë, bankat, luftrat, krizat e monedhave, barazimin e stinëve, origjinën e Universit, fundin e botës.

 

 

Rrëzë Qafës së Thanës, panair shurrash.

 

Fëmijët që lajnë makinat, për të tërhequr vëmendjen e të interesuarve për të larë makinën, mbajnë në duar tuba që e hedhin ujin lart; “Porsi malli i trimit që buçet përpjetë”.

 

 

Anës Liqerit peshkatarët të lusin tu blesh ngjala të gjalla që përdridhen si kurva nën çengela.

Nga Korça drejt Devollit, më të djathtë Plasa, Belortaja. Më të majtë drejt fushës, një kthesë. Sapo ke hyrë në atë kthesë, seç ndjen një fërgëllimë, thith një tjetër ajër, merr një tjetër frymë.

 

Është Kreshpanji!

 

 

Zoti më ruajt nga nëpunësat, shefat, drejtorët, sekretarët, kryetarët.

 

Kreshpanji, kreshpanarët, kreshpanjarët, kreshparakët, ata më duhen.

 

Ja një kreshpanik nga brenda gardhit.

 

-Sa shtëpi ka Kreshpanji?

 

-Kreshpanji ka 320 banorë, 68 Shtëpi, 1 traktor për 2 shtëpi, nja 50 autovetura, motoçikleta dhe biçikleta pa numërim.

 

-Sa tokë ka Kreshpanji?

 

-840 hektarë të vetat. Plus 600 hektarë të tjerë që i marrim me qira nga fshatrat përreth. Mblidhi vet, gjeje sa bëjnë.

 

-Si ia dilni t’i kultivoni gjithato hektarë?

 

-Ka përparuar kapitalizmi nga anët tona oreeee. Kemi 120 krahë pune, 180 të tjerë i marrim me mëditje këtej rrotull.

 

-Çfarë mbillni e korrni në këto toka?

 

-Vetëm fasule bëjmë ne. Sidomos fasule kokërrmëdhaja, pllaqì. 250 ton fasule në vit.

 

 

Kreshpanji është vendi ku bëhet fasulja më e shijshme në botë, më e madhe, më e bukur, më e pastër, më e shëndetshme se kudo tjetër. Fasulja bëhet edhe nëpër fshatrat rrotull, por jo si në Kreshpanj. Burra, gra, të rinj, të vjetër, nga 10 në 100 vjeç punojmë të gjithë nëpër ara. Nuk kemi në fshat kafenera, bilardora, gjëra qefi. Qefi ynë është puna.

 

 

Fasulen tonë vjen e merr greku e mbyll në kanaçe llamarine. Ato fasulet që emigrantët shqiptarë nëpër botë i blejnë nëpër supermarketa, janë fasulet tona, fasulet e Kreshpanjit. Eksportojmë 1 milionë dollarë fasule në vit. Po deshe të dish më tepër për ne dhe fasuletë tona, ik e pyet filozofat e lokaleve anës udhës nd’anë lumit me mish e raki përpara.

 

 

Ne fasule. Ju pordhë. Ne këtej nga Kreshpanji kemi të mëdha fasulet e pordhëve tuaja. Ju andej nga Tirana keni të mëdha pordhët e fasuleve tona. Hajt ta ndërtojmë kapitalizmin duke kombinuar këto dy mrekullira, fasuletë tona me pordhët tuaja.