
Fatos Bakiasi, njeriu i rrallë, që gëzonte dhe festonte si një fëmijë çdo të mirë që bënte dhe çdo sukses që kishte në punën e tij
Dashnor Dosti
Fatos Bakiasi në janarin e vitit 1985 u shfaq si ndihmës mjek (që në të vërtetë do të kryente gjithë funksionet e mjekut), në Helmës, një fshat i bashkuar që përfshinte fshatrat Nikollarë, Melckë, Staraveckë, Helmës, Barcelonë, (Backë e Re) dhe Backë e Vjetër.
Nëse do të shkoje nga njëri cep në tjetrin do të duheshin 4 orë, në dimër edhe më shumë. U bëmë një grup specialistësh që njëlloj si në film, kaluam disa vite në Staraveckë, ku kishim të quajturën banesë.
I pari kishte ardhur Asqeri Zylyftari nga Buzuqi, një masovik e muzikant. Ishte përgjegjës i kulturës. Asqeriu ishte shefi ynë.
Një vit më pas Arif Spaho nga Bargullasi vjen shef i llogarisë së kooperativës. Në shtatorin e 84-ës erdha unë mësuesi i matematikës në Staraveckë, pastaj Fatosi e më pas Kujtim Zylyftari, zootekniku i kooperativës.
Deri diku ishim një ekip i kompletuar, pasi Fatosi na kujdesej për shëndetin, Kujtimi për ushqimin e sidomos për mishin, që gjithmonë ishte një problem, Asqeriu na mbante humorin, ndërsa unë dhe Arifi mbanim shpenzimet dhe llogarinë.
Punën më të vështirë nga ne e kishte Fatosi. I vetmi që takohej me ne vetëm “rastësisht”, sepse ai nuk kishte adresë. Nuk kishte as orar. Ka patur plot raste kur në dimër, në dëborë e kanë thirrur në Backë apo në Melckë e Nikollarë. Nuk dinte të thoshte jo.
Ne të gjithë e dimë se nuk mund të ketë operacione në kushte ambulatore, por Fatosi ka bërë maksimumin. Fatosi ishte njeriu që kurrë nuk ka patur një orar fiks gjumi. Ndodhte që kthehej pas shërbimeve të lodhshme në mëngjes dhe menjëherë duhej të nisej përsëri për diku.
Një ditë i kërkova të shkoja me të në Nikollarë. Do të nisej për një urgjencë. Dikush kishte rënë nga pema. Nuk ishte shumë dakort të shkoja edhe unë, pasi i druhej ndonjë përkeqësimi të shëndetit. Por pas këmbënguljes më tha: -E pooo hajde, o qofte, hajde. Edhe ti më duhesh tani!…
Ishte vërtet i jashtëzakonshëm. Nuk kam parë kurrë një punonjës të shëndetsisë t’i gëzohej suksesit të punës si ai. Lumturohej si fëmijë. Festonte. Nuk e kursente edhe ndonjë gotë.
Nuk u deshën shumë muaj që emri i Fatosit si një ndihmës mjek i përkushtuar të përhapej gjithandej. Jo vetëm në Staraveckë ku ishte një specialist i ri, por edhe në Veleshnje e më pas në Spitalin Ushtarak në Tiranë ku kaloi pjesën më të madhe të jetës profesionale prej mbi 35 vjetësh.
Madje, ndërsa sa ishte në Skrapar u shërbeu banorëve në zona të caktuara, në Tiranë Ai u shërbeu të gjithëve, ndërsa nuk kishte banor të Skraparit që të mos paraqitej si fillim tek Fatosi, nëse do të kërkonte shërbim në Spitalin Ushtarak.
Ky ishte miku i rinisë sime, Fatos Bakiasi, të cilin e takova vetëm dy ditë para se të ndërronte jetë dhe e përqafova me mall. Pa e menduar kurrë se kjo do të ishte hera e fundit.