Fatos Muçaj me rubrikën e tij “Nuk keni Parë gjë akoma”: Pensionistët

Fatos Muçaj me rubrikën e tij “Nuk keni Parë gjë akoma”: Pensionistët

Fatos Muçaj

Mamaja ime, Razije Myrteza Muçaj (Ago) është 78 vjeçe dhe pensioniste. Ka punuar rreth 35 vjet në kooperativën bujqësore Zogas, Skrapar duke realizuar 400-550 ditë pune në vit dhe sot merr pension rreth 12,000 lekë të reja.

 

A më thotë ndonjë prej jush në se ka dijeni sa ditë pune realizonin në vit gratë që punonin në ish Kooperativat Bujqësore të Socializmit?

 

Ka marrë pjesë edhe në Kongresin e 9-të të Grave mbajtur në Durrës më 1-3 Qershor 1983, së bashku me të ndjerën Xhire Duro (Muçaj) që merrej me Fermën e Lopëve në Sharovë .

 

Ka qënë në podiumin e këtij kongresi.

Po po ka qënë në podium.

E për këtë ka marrë si shpërblim vetëm disa nga ish veprat e Enverit.

 

Ka marrë gjithashtu në atë kohë si shpërblim, fjalën e mirë, gurin në torbë dhe kazmën ka patur gjithë jetën, të cilën shpesh herë kur këputej shkoja dhe e rregulloja tek Myslimi kovaçi i kooperativës, në Zogas.

 

A i del pensioni që merr për të jetuar?

Jo, Jo, Jo.

Para disa ditësh ishte gëzuar.

Pse je kaq e gëzuar i thashë??

Më është rritur pensioni me 600 lekë të reja tha.

Mirë, o Ma, mirë i thashë, ta harxhosh gëzuar.

Së bashku, mor bir-më tha.

 

Shteti ynë (shëndetësia falas) për pensionistët fshat-qytet nuk i rimburson asnjë medikament (ato që ndikojnë për mirë në shëndetin e tyre) për tensionin dhe për zemrën.

 

Para disa kohësh shkuam dhe pyetëm mjeken e familjes, e cila na sqaroi, që nëse mamaja ime do marrë ilaçet e rimbursuara, ato kushtojnë vetëm 3 mijë lekë të vjetra në muaj, ndërsa ilaçet e tjera shteti nuk ia rimburson dot.

Ilaçet e rimbursueshme të tensionit dhe zemrës i bëjnë keq mamasë.

Janë ilaçe të tjera ato që nuk i bëjnë keq.

 

Pse?

E thjeshtë, kushtojnë deri në 5 mijë lekë të reja në muaj, prandaj dhe shteti nuk i ka në listen e rimbursimeve, i ka hequr.

 

Mamaja ime për 3-4 muajt e verës shkon dhe banon në fshat.

Nuk e duroj dot vapën këtu në Tiranë – thotë.

Fatura e dritave mamasë i shkon deri në 1 mijë lekë të reja çdo muaj.

 

Pra, shteti i jep pension mamasë time, aq pak sa as ilaçet dhe faturat e dritave nuk i përballon dot me lekët e pensionit, përveç të ushqyerit minimal.

Shteti i rrjep fshatarët, duke u venë edhe taksa për tokën bujqësore.

Në mos gabohem mamaja duhet të paguajë taksë vjetore për tokën deri 3 mijë lekë në vit.

Toka bujqësore në fshat që ka në pronësi mamaja ime është e pa ujitshme, nuk mund të kultivojë dot as ato pak perime që mund të hajë.

Shumë fshatarë dhe pensionist në fshat dhe qytet janë burgosur për mospagimin e faturave të dritave.

Disa fshatarë të tjerë janë vetëvarur në kasolle të bagëtive, nga turpi, që janë të varfër e nuk ushqejnë dot familjen.

Shteti, nga ana tjetër, çdo fshatari i ndërpret çdo lloj ndihme ekonomike, nëse ka qoftë edhe 200 metra katrorë tokë bujqësore, nëse ka një televizor, sobë të re apo një divan të ri në shtëpi.

 

Kryeministri Rama, para disa vitesh deklaroi se qeveria e tij do t’u heqë taksat biznesit të vogël deri në vitin 2030.

Biznesi i vogël, që qeveria e Ramës i hoqi taksat deri në 2030, ka të ardhura vjetore nga 2 milionë lekë, deri në 15 milionë lekë.

Po fshatari, që ka tokën në pronësi, pse duhet të paguajë takës dhe biznesi vogël jo?

Çfarë llogjike është kjo?

A ma shpjegon kush?

 

Mesa dimë dhe kemi dijeni dhe nga njerzit tanë që jetojnë në Greqi, çdo familje, kudo ku jeton, në qytet apo në fshat, nëse ka të ardhura vjetore më pak sesa niveli minimum i jetesës, shteti i jep ndihmë sociale dhe ekonomike, pa kushtëzime, nëse ka disa dynym tokë, televizor, divan të ri, apo automjet.

 

Në Shqipëri është krejt ndryshe se në Greqi.

Sikurse janë publikuar dhe kemi dëgjuar ka shumë denoncime, Qeveria, Bashkitë, abuzojnë me ndihmën ekonomike, duke ua dhënë atyre familjeve, fshatarëve, qytetarëve që janë elektorati i partisë që qeveris, familjarëve të patronazhistëve dhe duke ua mohuar të tjerëve, për t’i diskretituar dhe dënuar për votëbesimin e tyre.

 

Akoma më keq në qindra e mijra raste, pensionin ju a vjedhin pension-shpërndarësit, apo punonjësit e bankave.

Nëse pensionistët në Shqipëri, që nuk kanë ndihmë ekonomike nga fëmijët e tyre dhe nuk vdesin nga Covid-i, a ndonjë sëmundje tjetër, patjetër, një ditë do të vdesin nga uria, në mjerim të plotë, me këtë farë lëmoshe pensioni që u jep shteti.

Çudia tjetër është:

Jemi shtet që nuk kemi akoma minimun jetik për qytetarin e RSH-së.

Edhe quhemi shtet?

Çfarë shteti?

 

Qeveria, sipas meje, qëllimisht nuk ka nxjerrë se sa është minimumi jetik i qytetarëve, që të abuzohet në dhënien e ndihmave sociale dhe ekonomike.

Sipas një studimi të bërë së fundmi nga INSTAT, rreth 621 mijë shqiptarë jetojnë në rrezik varfërie. Të ardhurat e tyre janë shumë të ulëta ndërsa çmimet po rriten dita ditës.

Sipas avokatit të popullit një qytetari në RSH i duhen 18 500 lekë për të jetuar në kushte fare minimale.

 

Ku janë pensionistët?

Ku futen?

Pjesa më e madhe e pensioneve janë nën këtë shifër. Ndihma ekonomike apo pensionet e tjera nuk garantojnë as kushtet më minimale për të jetuar.

 

Pagesat e pensioneve dhe papunësisë nuk e kalojnë shifrën e 15 000 lekëve në muaj, mesatarja e ndihmës ekonomike është diku rreth 6 500 lekë ndërsa ajo e pensioneve në fshat nuk kalon 9 500 lekë në muaj.

 

Sipas Avokates së Popullit, Erinda Ballanca, që nga 2016 injorohet miratimi i ligjit për minimumin jetik.

Ajo thekson: Që nga 2016 kemi bërë kërkesa ndaj Kuvendit për këtë fakt dhe më pas u vendos krijimi i një komisioni që do merrej me përcaktimin çdo vit të minimumit jetik, por duket se kjo u harrua.

Njohja e nivelit të minimumit jetik do detyronte të gjithë strukturat shtetërore që të vendosnin si kriter shifrën prej 18.500 lekë për një person.

Kjo do çonte detyrimisht në rritjen e pensioneve të ulëta por edhe më tej edhe të pagave.

Kjo akoma nuk është bërë dhe sipas gjasave do të bëhet kur të qethen viçat.

Nga të dhënat që ka Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe nga analiza e tyre rezulton se:

Numuri i pensionistëve nga 2012-2021 ka ardhur çdo vit në rritje.

Në fund të vitit 2021 në Shqipëri janë rreth 670,000 pensionistë e ndarë kjo:

Në qytet rreth 558,000

Në fshat rreth 112,000

Në qytet (pensioni urban) pensioni mesatar  i pleqërisë është rreth 15,000 lekë.

 

Në fshat (pensioni rural) pensioni mesatar i pleqërise 8,500 lekë.

Për të mos folur për pensionet mujore të invaliditetit dhe pensionet familjare të cilat janë ku therret qameti nga 3,000 lekë deri 6,600 lekë.

 

Për dijeni:

Të ardhurat e një pensionisti përbëhen nga: pensioni (pleqërie, invaliditeti, familjar), kompensimi për energjinë elektrike, kompensimi për bukën, kompensimi për ngarkesë, kompensim për të ardhurat minimale të pensionistëve dhe kompensimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

 

Për vitin 2021 një pensionist ka përfituar nga skema e ISSH-së mesatarisht 13,981 lekë çdo muaj, ndërkohë që dhjetë vjet më parë përfitonte 10,773 lekë çdo muaj.

 

Pra, në harkun kohor të dhjetë viteve një pensionisti në Republikën e Shqipërisë i janë rritur të ardhurat mesatare mujore me 3 208 lekë.

Rritje mesatare për 1 vit 321 lekë.

A mjafton kjo rritje??

Nuk mjafton kurrë.

Pra janë mbi gjysmë milion pensionist ose 85% përqid e pensionistëve shqiptarë që marrin më pak se 15-16 mijë lekë në muaj.

 

Nëse Shteti Shqiptar do të njihte dhe miratonte me ligj një minimum jetik rreth 18 mijë lekë për frymë aq sa ka propozuar Avokati i Popullit, autoritetet do të duhet të rishikojnë edhe masën e përfitimit për pensionistët dhe individët apo edhe familjet nën ndihmë ekonomike.

 

Por, sa të mjaftueshme janë këto të ardhura në muaj për një pensionist shqiptar?

Janë bërë studime të shumta dhe është përpjekur të bëhet një përllogaritje e përafërt e peshës që zë shporta e ushqimeve mbi pensionin mesatar. Kjo përllogaritje është bërë mbi bazën e raporteve të ndryshme të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Ministrisë së Shëndetësisë Gjermane dhe asaj Spanjolle sa i përket një diete ushqimore bazike të shëndetshme në muaj për një të rritur në moshën e pensionit.

 

Kjo shportë ushqimesh mujore konsiston në: bukë, kripë, oriz, vezë, qumësht, kos, djath, mish pule dhe viçi, peshk, fruta, perime, vaj dhe miell.

 

Duke llogaritur të gjithë nevojën mujore të një pensionisti, bazuar në çmimet mesatare aktuale në vendin tonë, të cilat kanë shkuar kacafiu, për këtë shportë ushqimesh, atëherë, totali shkon afërsisht 13,000 lekë.

 

Në këtë shportë përfshihen vetëm produktet bazike, pra mungojnë produkte të tjera se: sheqeri, kafja, kapuçinoja, një gotë raki apo lëvizja në transportin urban, etj.

 

Kjo shportë, bazuar në çmimet aktuale, tregon se 90% e pensionit mesatar të një pensionisti shqiptar shkon vetëm për ushqimet bazë jetike, duke pasur parasysh edhe moshën. Pra, rreth 90% e pensionit shkon vetëm për ushqime.

 

Ndërkohë, 10% i mbetur, përkthehet në rreth 1,000 lekë, në muaj.

Por a janë të mjaftueshme këto para për të paguar ilaçet, faturat e ujit apo dritat, për të mos përmendur produkte apo shërbime të tjera ekstra?

 

Padiskutim që jo.

Këtu nuk lind nevoja as për të bërë llogari.

Kjo do të thotë se, pensionistët shqiptarë e kanë të pamundur të përballojnë nevojat e tyre jetësore më bazike.

 

Studime të ndryshme nga vendet e tjera tregojnë se, shporta bazë e ushqimeve, e njëjta me përllogaritjen tonë, për vendet më të zhvilluara të globit, si Norvegjia, Austria, Franca, SHBA, Gjermania, Italia, Zvicra, Greqia etj, “fatura” e shportës bazë të ushqimeve zë më pak se 20% të pensionit mesatar.

 

Në këto shtete zë 20%, le të supozojmë (fatkeqësisht nuk ka me “E zënë”) që në Shqipëri ushqimet mujore të shportës zënë 70% të pensionit mujor.

 

Sipas llogaritjeve do të rezultonte që pensioni mesatar minimal, për një pensionist duhet të ishte jo më pak se 18,570 lekë.

 

Nuk e ka propozuar kot Avokati i popullit minimumin jetik diku 18,000 lekë.

Ku jemi??

Jemi në një pus të thellë dhe zor se do dalim ndonjëherë për këtë çështje.

 

Çfarë ndodh?

Shpenzime të bëra nga qeveria dhe institucionet e saj për kushte më të mira zyre dhe shpenzime të tjera luksi ka plot sa të duash.

Policia ankohet, qahet, se i ka rrogat e vogla.

Mjekët dhe infermierët ankohen, qahen, se i ka rrogat të vogla.

Petagogët ankohen, qahen, se i ka rrogat të vogla.

Shoferët ankohen dhe qajnë se nuk u del rroga.

Pastrueset ankohen dhe qahen se i kanë rrogat e vogla.

Të gjithë ankohemi dhe qajmë se i kemi rrogat e vogla dhe duan më shumë lekë.

Po mirë o njerëz çfarë duhet të themi për pensionistët sidomos për ata që jetojnë në fshat??

Çfarë duhet të themi?

Më thotë kush?

 

E ka shkrujtur aq mirë Kreshnik Spahiu në një postim në FB diku në korrik 2022:

Ata po vdesin.

Brezi më i mirë është duke vdekur.

Ata që s’kanë bërë shkencë, por që kanë dhënë gjithçka për shtetin dhe për fëmijët.

Po vdesin gjyshrit dhe gjyshet e varfër por që kanë kapërcyer me zemër të madhe gjithë vështirësitë financiare.

Jane duke vdekur.

 

Ata kanë njohur kohë lufte, kohë zie buke, kohë kur kanë shtrënguar rripat dhe janë kënaqur me pak, kanë njohur dhimbje dhe vuajtje, shpesh kanë punuar si kafshë dhe nuk ankoheshin kurrë.

Ata kërkonin grimca të thjeshta lumturie dhe sot kërkojnë vetëm të përjetojnë çaste të lumtura me fëmijët e tyre, me nipërit dhe mbesat e tyre.

Ata po ikin nga kjo botë pa shqetësuar njeri, në shumë raste shkojnë të flenë edhe pa ngrënë bukë.

Gjithmonë ata s’kanë shqetësuar.

 

Shqipëria po humb një gjeneratë që do i zhduket kombit tonë brez pas brezi.

Do na mungojë shumë – e mbyll postimin K.Spahiu.

Zgjidhja që nevojitet.

Sipas statistikave të Institutit të Sigurimeve për 10 vjetët e fundit (2012-2021) pensioni mesatar mujor është rritur 3 208 lekë.

 

Numri i pensionistëve është rreth 670,000.

Pra shtetit i ka kushtuar në këta 10 vjet, për çdo vit afërsisht 2.15 miliard lek.

Llogjika ekonomike tregon se shtetit i kanë kushtuar shumë pak këto lek.

Sipas meje duhet ndërhyrje urgjente e Qeverisë dhe të rrisë pensionet e pleqërisë, të paktën deri në shumën 5,000-10,000 lekë në muaj shtesë.

 

Pra sipas meje nuk duhet të ket pension pleqërie mesatar mujor më pak se minimum jetik që ka propozuar Avokati Popullit.

Pra për 670,000 pensionist duhen mesatarisht në muaj shtesë fondesh afërsisht në shumën 5.3 miliard lekë dhe në vit afërsisht shuma 64 miliard.

 

Janë shumë?

Jo, aspak.

Të gjitha statistikat thonë se në 1 vit në buxhetin e shtetit mungojnë të ardhura, bëhet korrupsion, shpenzime të ndryshme të bëra me një efekt negativ në total 1 miliard USD ose të barabarta me 118 miliard lekë.

 

Nuk e besoni?

Lexoni vetëm raportin e KLSH-së për vitin 2021, lërini të tjerat, lartë e poshtë, mbi rrogoz, nën rrogoz, natën apo ditën.

KLSH-ja shkruan në faqen 223-228:

Dëmi ekonomik janar – dhjetor 2021 është 19.158 miliard lekë.

Të ardhura të munguara 10.948 miliard lekë.

Shpenzime me efekt negativ 44.496 miliard lekë.

Analizën e këtyre shifrave bëheni vet, kush do, ose lexojini vet, në se ju dukem i pabesueshëm.

Ja pra ku janë parat për të mbajtur gjallë 670,000 pensionist.

Nuk e di si ja bëjnë të tjerët për prindërit e tyre.

 

 

POR

Unë jam krenar për nënën time që Ajo jeton bashkë më mua që nga viti 2001 e këtej.

Duajini fort prindërit tuaj.

Tung!

Ju dua fort, por jo më shumë se veten dhe se nënën time, se ju gënjej!…