
Ferit Vokopola, një yll i ndritur në historinë shqiptare
Ferid Vokopola, një figurë e mirëfilltë patriotike, pinjoll i një familjeje me tradita të hershme atdhetare, që kontribuoi në çështjen e pavarësisë së vendit, të shtetndërtimit, por edhe në atë të religjionit, të besimtarëve myslimanë shqiptarë, nëpërmjet përkthimit shqip të xhevahireve të fesë dhe të kulturës së lashtë islame në Shqipëri.
Ferid Vokopola, lindi në fshatin Vokopolë të Beratit në 1887 dhe vdiq në 1969, pra jetoi 82 vjet.
Vokopola rezulton të ketë qenë një qendër e rëndësishme me objekte kulti dhe social-kulturore dhe nyje lidhjesh mes zonës së Beratit-Skraparit dhe Përmetit. Njëherazi Vokopola ka qenë qendër dhe vatër e rëndësishme e Lëvizjes Patriotike Shqiptare.
Megjithëse familja e Feritit u vendos në lagjen Murat Çelepi të Beratit në fillimet e shekullit XIX, ajo nuk i shkëputi lidhjet me vendin e origjinës.
Ishte një atdhetar i spikatur, i cili në moshën 25 vjeçare u bashkua me burrat e mëdhenj të kombit, duke qenë njeri nga pjesëmarrësit e Kuvendit Kombëtar të Vlorës në 28 Nëntor 1912, në krah të Ismail Qemal Vlorës.
Studioi në Universitetin e Stambollit për drejtësi dhe ekonomi. Ishte politikan, ekonomist, teolog, poet, filozof dhe eseist.
Në 28 Nëntor 1912 ai ishte në Vlorë me delegatët firmëtarë të Myzeqesë së Lushnjes, me Qemal Bej Mullain dhe Nebi Efendi Sefën. Aty u bashkua dhe me përfaqësuesit e tjerë të kryeqendrës së Beratit, Babë Dudë Karbunarën (Jorgji Tozhari), Iliaz Vrionin, Dhimitër Tutulanin dhe Dhimitër Beratin. Të gjithë këta firmëtarë të Aktit të Pavarësisë për Beratin e Myzeqenë, shoqëroheshin dhe nga 17 patriotë të tjerë pjesëmarrës të kësaj krahine.
Prej viteve 1920-1939 ushtroi veprimtari politike si dhe veprimtari fetare. Në vitin 1920, Ferid Vokopola ishte njëri nga organizatorët e thirrjes së Kongresit Historik Kombëtar të Lushnjes. Në këtë Kongres ai ishte përfaqësues i popullit të Myzeqesë së Lushnjes, së bashku dhe me Sheh Ibrahim Karbunara dhe Llazar Bozo. Ferid Vokopola mbajti fjalën e hapjes së Kongresit, ku përshëndeti në emër të popullit të Myzeqesë. Për mbarëvajtjen e punimeve të Kongresit, ai u zgjodh sekretar i tij.
Në vitet 1920-28, Ferid Vokopola u zgjodh deputet i Vlorës dhe në dhjetëvjeçarin më pas deri në vitin 1939, ishte deputet i qarkut të Beratit që përfshinte dhe Myzeqenë. Në gjithë këto kohë, ai në bashkëpunim me Sali Vuçiternin e të tjerë, ishte një nga organizatorët kryesor për themelimin e Komitetit Mysliman Shqiptarë dhe ka dhënë kontribut për ngritjen dhe të Medresesë së Përgjithshme Myslimane të Tiranës.
Në vitet 1927-28 mbante postin e Ministrit të Bujqësisë në Qeverinë e Ahmet Zogut. Në mesin e shumë studiuesve të librit të Kuranit, Ferid Vokopola ishte ndër të parët në Shqipëri në vitet e fund shekullit të XIX-të dhe fillimeve të shekullit të XX-të, që iu përkushtua përkthimit në shqip të Kuranit nga osmanishtja e vjetër, bashkë me Hafiz Ali Korçën dhe Haxhi Vehbi Dibrën. I bindur në pikëpamjet e tij, ai iu përkushtua përkthimit të Kuranit, të cilin e përfundoi me një punë këmbëngulëse 10-vjeçare.
Mbas çlirimit, disa vite mbeti i pa punë, vuajti në kampet e komunizmit për 10 vjet dhe pesë e fundit të jetës punoi në Institutin e Historisë si përkthyes nga osmanishtja. Zotëronte disa gjuhë orientale dhe, pasi doli nga burgu, e afroi Instituti i Historisë si bashkëpunëtor në përkthimin e shumë dokumenteve historike të periudhës osmane, nga osmanishtja e vjetër.
Ferid Vokopola si poet ka shkruar e botuar dhe një sërë veprash letrare. Ai është autor e veprës “Gjëmimi i Tomorrit” si dhe përmbledhjes me vjersha “Symbyllazi me ëndërrime” dhe vëllimin me poezi “Fluturimet e shpirtit”.
Ferid Vokopola ishte një laik i angazhuar, meriton mirënjohjen e brezave si një nga gurët e çmuar të kurorës së patriotizmit shqiptar dhe qytetërimit beratas e myzeqarë, në gjirin e të cilëve ai lindi, u formua dhe u shërbeu gjithë jetën e tij.
Himni i Kongresit të Lushnjes
Fjalët e këtij Himni tingëllojnë si jehonë e thirrjes që vjen nga thellësia e trojeve mbarëshqiptare, duke bërë thirrje për rizgjim të popullit shqiptarë për tu organizuar dhe për të fituar shpresën e humbur të Pavarësisë së Atdheut që rrezikohej të copëtohej midis shteteve fqinjë.
Shpresa humbi, Atdheu ty po të thërret
të shpëtosh nga kjo natë,
bëhu i zoti në do që të rrosh në jetë
armikut jepi datë.
Shkrepi dita, në Lushnje u lind një diell,
Shqipëria lidhi besë,
dëgjoi bota, dëshmuan yjet në qiell
për ty, o i larti Kongres.
Sikur tym e flakë të dal nga faqja e dheut,
shkreptimë të bjerë e flakë,
bëj detyrën që ke kundrejt Atdheut,
mos kurse as shpirt, as gjak…
Shkruar nga Ferit Vokopola