Feta – feta si meridianë, ja pse portokallja është bërë për t’u ndarë!…

Feta – feta si meridianë, ja pse portokallja është bërë për t’u ndarë!…

 

 Sefedin Çela

 

Gjithë jetën gjithçka që më gëzon kam dashur t’a ndaj me të tjerë, me ata që kam në krah, me ata që dua më shumë.

 

 

Sa herë e kam bërë këtë jam ndjerë më mirë, edhe vetëm nuk jam ndjerë vetëm, nëse kam patur në duar diçka dhe e kam ndarë, më është dukur se më është shtuar ajo që kam ndarë.

 

 

Tani pyes veten mos jam në jerm, me temperaturë, mos them gjëra që shoh në ëndërr, që kam dashur a dua të bëj, por jo, jam në kohë reale e jam duke shkruar në kompjuter. Nuk ka nevojë të pickoj veten.

 

Është diçka që e kam bërë gjithë jetën.

 

 

E vetmja gjë ndryshe nga ç’kam bërë e vazhdoj të bëj, është dëshira për t’i treguar çka bëj. Ndoshta kjo vjen prej moshës, ndoshta prej dyshimit a dyzimit nëse është mirë a jo dhe aq.

 

Më ka ndodhur, fjala vjen, të kem në dorë një qeskë me portokalle, që në pikë të mëngjesit, ulur në tavolinë pa pirë ende kafenë, e marr një kokërr, e rrotulloj në duar, i’a heq lëvoren, e shoh ashtu si një glob të vogël të ndarë në meridiani e në feta e fetën e parë i’a jap kujtdo që kam në krah. Më duket se kështu i shtohet shija.

 

 

Kam gjetur edhe belanë nga kjo që kam bërë, më është thënë hiq dorë nga ky dreq zakoni, qeska është përpara, po të dua marr një kokërr, jo një fetë! Ma kanë thënë këtë edhe fëmijët!

 

 

E unë ende mendoj se portokallja, me ato meridianë e feta rreth e rreth, është bërë ashtu për t’u ndarë.

Kjo që bëj e që kanë bërë e bëjnë shumë të tjerë si unë, nuk është zanat, nuk është zakon, as bamirësi, si t’i japësh një dylekësh një lypësi anë rruge, as ves, as virtut, profesori im i estetikës Alfred Uçi nuk do t’a quante kategori morale, nuk është as interes, më dhe të dhashë,- llogaria e qëruar e ku jemi parë!

 

Është diçka që buron nga zemra.

 

 

Ka shumë gjëra të vogla në jetë që nuk duan mund të madh për t’u bërë e nuk bëhen. Këto gjëra të vogla janë të lehta kur bëhen me dashuri të madhe, thotë nëna e madhe Tereza.

 

Zemra të tilla nuk i kanë të gjithë.

 

 

Gjyshja ime xhepat e futës i kishte gjithë fara kungulli, pala fiku, oshafe gorice, ngopej duke na i dhënë ne fëmijëve, se vetë nuk kishte dhëmbë t’i përtypte. U jepte dhe zogjve që i silleshin rrotull.

 

 

E tillë ishte dhe plaka tjetër e portës karshi, nënë Alija, gjithë ditën ulur në sofá. Ajo mbante në xhepat e futës vezë të ziera. Sa herë kaloja te porta e saj sikur më priteshin gjunjët. Ajo më përkëdhelte kokën. Sefja je ti? Sa qënke rritur, bir! Sa i ngjake tyt eti! Na, të të japë nëna një kokovѐ!

 

 

Im atë djalin e saj të vogël, Shabanin, as gjashtë muaj martuar, e mori me vete partizan. Fat trimash, u vra, i mbeti tim eti në duar, që në betejën e parë, në Qafën e Kiçokut. Im atë nuk e deshte veten. Kur shkuan të ngushëllonin e të ndanin dhimbjen, nënë Alija, e mbledhur një grusht, i thotë gjyshes time, mbledhur një grusht edhe ajo: shyqyr që është yt bir gjallë, moj Fatime, se e ke dritën e vetme të syve. Unë kam dhe dy të tjerë, dhe Sefen tënd tre!

 

 

Kështu ka ndodhur; këtë verë 80 vjet më parë, si të ndodhte sot . E kam me të treguar e të ritreguar e nuk mund t’a harroj kurrë. E shoh me sytë e mendjes atë plakë ende ulur në sofaá, duke nxjerrë nga xhepi kokovѐ! Edhe tani më priten gjunjët.

 

 

Në pushimet e verës, kur kthehesha nga konvikti i shtatëvjeçares, mëngjeseve flija sa dëndesha. Dëgjoja si në ëndërr ritmin e rrahjes së tundësit në katin përdhes, poshtë dhomës ku flija, pastaj hapat e nënës nëpër shkallë, pastaj ndjeja në gojë një lugë druri e shijen e kokrrizave të gjalpit të sapotundur, gëlltitesha pa i hapur sytë; tani më duket sikur gjithçka po ndodh sërish e bashkë me shijen e gjalpit shoh edhe nënën që qesh, hë bir, u zgjove?

 

 

Vite e vite më vonë, student i dashuruar, kam ndarë me Vasilikën ingranazhin pesëlekësh (iu kujtohen ingranazhet?), një kaç ajo e një kaç unë, kam ndarë edhe mente, nga ato si hape, sa një kopsë këmishe, iu kujtohen? Jo se nuk mund të mos kishim nga dy a më shumë ingranazhe e nga dy a më shumë mente sa një kopsë këmishe, por se duke i ndarë na shijonin më shumë, madje tepronin edhe për herë tjetër.

 

 

Ende mendoj se dashuria është e vetmja pasuri, o e ke o nuk e ke brenda vetes, që sa më shumë t’a ndash me tjetrin, aq më shumë shtohet! Madje sot e kësaj dite, në shoqërinë globale e të inteligjencës artificiale, dashuria e variabli i saj miqësia, mbajnë ekuilibrin e botën në këmbë. Robotët madje mund edhe të bëjnë sikur qajnë, po dhimbjen njerëzore nuk e ndjejnë, zemër nuk kanë.

 

 

Mund të ndodhë që një dashuri a miqësi të tronditet, t’a humbasësh për një arsye të vetme apo për njëqind arsye, njërës a tjetrës palë t’i kthehet dashuria a miqësia në barrë e të ndihet lodhja pas kësaj barre. Mua më ka ndodhur të provoj dhe humbjen. Humbje që shkakton dhimbje.

 

 

Sado të fuqishme të jenë, është i privuar nga mrekullitë e jetës ai që nuk ka provuar dhimbje të tilla. Ai që nuk ka dashur asgjë në jetë, që nuk ka dhënë asgjë, që nuk ka ndërtuar asgjë.

 

Jetë të tilla janë shkretëtirë, ku nuk do të desha të më çonte rasti asnjë ditë.

 

 

Kur inteligjenca artificiale e ata robotët që bëjnë shumë punë, madje bëjnë edhe sikur qajnë, të arrijnë deri aty sa të të vrasin dashurinë, njerëzimi do të ketë vdekur.

 

As atë ditë nuk do të desha të isha.

 

 

Mrekullia për të dashur, për t’a ndarë atë, për të zgjatur një dorë ndihme te tjetri e duke ndjerë një dorë ndihme te zgjatur drejt meje, më ka rritur e tani më duket se më ndihmon si të pleqëroj.

Ja ku jam në foto me profesor doktor Ajli Alushanin e me Naim bej Zoton, atë të riun prej Nikollare, duke ndarë përzemërsisht nga një filxhan kafe e nga një gotë ujë: unë në mes, si veshka! Dukem i qetë e i ndrojtur, por riosh e shpirti ma di si jam ndjerë me këta djema.

 

 

Ende mendoj se portokallja rrumbullake si glob, me meridianë e feta, është bërë ashtu me feta për t’u ndarë!