
Flet shkrimtarja gjermane Waltraud Tunger (Bejko) për 37 vitet që kaloi në Shqipëri (Pjesa e dytë)
Ju tregoj vitet 1970, kur Partia e Punës vuri një popull të tërë nën gurët e mullirit
Tani shumë vonë është marrë vesh se ju kini bërë një punë të jashtëzakonshme në fushën e përkthimeve. Si iu futët kësaj pune?
Ka qenë viti 1971, kur unë kam ardhur nga Fieri në Radio. U gëzova fillimisht vetëm për një fakt, se gati po e harroja gjuhën time të nënës. Kam punuar shumë në këtë institucion, ku jam përballur me një punë tepër voluminoze dhe me përgjegjësi, përktheja, redaktoja dhe transmetoja në gjuhën gjermane nga dhjetë faqe, që i përgatisja brenda ditës. Megjithatë, s’e ndieja lodhjen, në një farë mënyre kisha gjetur veten.
Me sa dimë, gëzimi juaj nuk zgjati shumë në këtë institucion, në fakt çfarë ndodhi?
Është e vërtetë. Unë kisha ardhur aty në një kohë të papërshtatshme, në kohën kur qielli politik shqiptar ishte ngarkuar me vetëtimat dhe bubullimat e viteve 1973-‘75, kur kishin dalë njëri pas tjetrit disa grupe armiqësore. Kuptohet pastaj për ne të huajt!…
Ju mundonte fakti që puna juaj, si punë krijuese, mbahej e fshehtë?
Natyrisht. Kur Ilmiu protestoi për mosbotimin e emrit të përkthyeses, i kthyen një përgjigje absurde, se autorësia vërtetohet me honorarët që i jepen gruas suaj!
Kini shumë tituj librash të përkthyer, kur janë realizuar dhe si janë realizuar ata?
Po. Kam këto përkthime. Ne banonim në Kukës, në një vend gati të harruar. Por fakti që më kujtonin dhe më dërgonin herë pas here ndonjë përkthim, ishte shumë i rëndësishëm për mua, gjë që tregonte se nuk më kishin hedhur në hekurishtet e vjetra. Përveç kësaj, honorarët, edhe pse minimale, ëmbëlsonin bukën e përditshme, pa to do të kishim qenë ngushtë ekonomikisht. Me përkthimet, unë kisha gjetur mjetin e kapërcimit të murit, atë të vetmisë e të veçimit nga shoqëria.
Përkthimet e mia janë:
“Komisari Memo” (332 faqe) me autor Dritëro Agollin, “Një vjeshtë me stuhi” (246) me autor Ali Abdihoxhën, “Lufta për çlirimin e Tiranës” me Mehmet Shehun, “Nëpër analet e diplomacisë angleze” (244), Arben Puton,“Zbulimi” (318) me autor Anastas Kondon,“Skënderbeu” (725) me Sabri Godon, Shqiptarët dhe trojet e tyre (559), botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, “Diplomacia e Ali Pashë Tepelenës” (252) me autor Ilir Ushtelencën,Tregime për fëmijët (190) Odise Grillon, Tregime të zgjedhura (275) Nasi Lerën, Artikuj shkencorë (mbi 1000 faqe) në mes të tyre nga Selami Pulaha, “Neolithicum dhe Chalkolithicum in Albanien “(420) të Muzafer Korkutit, arkeolog shqiptar, botuar në Gjermani (viti i përkthimit 1987), Apollonia (237), Botim publicistik mbi arkeologjinë, i Neritan Cekës, (viti i përkthimit 1987), Eqrem Çabej, monografia e një linguisti nga Shaban Demiraj në bashkëpunim me Fredi Sejdia,
“Autobiografia e popullit tim në vargje” (226) me autor Ismail Kadarenë, në bashkëpunim me Robert Shvarz.
Nuk di gjithashtu fatin e dy librave të tjera: të Dhimitër Xhuvanit “Vdekja e zotit Kaljoti” dhe të Ferat Cakajt “Nesër do të jetë vonë”.
Njohja dhe bashkëpunimi me përkthyesin e famshëm Robert Shvartz…
Robert Shvartz ishte përkthyesi më i mirë i romaneve nga gjermanishtja në gjuhën shqipe. Shkrimtarët e tij më të parapëlqyer janë Feuchtëanger dhe Remarque. Mendja dhe dora e tij i kanë bërë vepra arti edhe në gjuhën shqipe. Ai për shumë kohë kishte punuar rëndë për emisionet e Radios, derisa e lejuan, më në fund, të kalonte në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori”, ku ai mund t’i kushtonte veprimtarisë letrare më me shumë sukses. Kohën e fundit ai ishte marrë edhe me Ephraim Kishon.
Do të dëshiroja të botoja një listë me përkthimet e tij. Roberti e njeh shumë mirë gjuhën shqipe. Për veprën e tij shumëvjeçare në përkthime, ambasadori gjerman në Tiranë, në vitin 1997, i dorëzoi një çmim për përkthimin e letërsisë botërore në formën e “Urdhrit Federal” për shërbime të vyera, gjë që më gëzoi pamasë.
Atij i pëlqente puna ime, dhe një ditë kur ai ishte duke përkthyer në gjermanisht “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, të Kadaresë më thotë, merr edhe ti një libër. Mora atëherë “Komisari Memo”, që e nisa në Tiranë dhe e përfundova në Kukës. Mora këtë libër, sepse ai ishte i njohur edhe nga filmi “I teti në bronz” dhe pjesa televizive “Koha e komisarëve”. U zgjodh kjo pjesë meqenëse përmbajtja ishte nga koha e Luftës Nacionalçlirimtare dhe mund të ishte interesante për lexuesit gjermanë. Pas një pune shumë të mundimshme, pasi shkrimtari përdorte shprehje jo të thata popullore në dialektin korçar, materiali u dorëzua në shtëpinë botuese.
Si e vuante Shvarci anonimatin tim në përkthime
Në Kukës prisja ndërkohë daljen e ‘“veprës sime të parë” me padurim. Kur Ilmiu në vitin 1977 vajti një herë me shërbim në Tiranë e gjeti romanin gjermanisht të shtypur. Për të më ngushëlluar, Robert Shvarci nguli këmbë të shkruhej një përkushtim të paktën personal të bashkëpunëtorëve të shtëpisë botuese.
Dhe ashtu u bë, u shtyp bukur një përkushtim… por në një kopje dhe i ngjitur, ndërsa autorësia ime u mbajt “sekret”, si dhe në të gjitha përkthimet e mëvonshme që vijuan.
Nga ato që kam përkthyer, emrin e kam gjetur vetëm në një libër me tregime, aty nga viti 1985 dhe në përkthimin e “Autobiografia e popullit tim në vargje”, të Kadaresë, të cilin e realizova bashkë me Robert Shvarcin, unë tekstin, ndërsa ai poezitë popullore, pasi i njihte më mirë.
Viti 1975, nën gurët e mullirit të Partisë së Punës, gratë e huaja larg Tiranës
Çdo fjalim i Enver Hoxhës kalonte si një rrymë elektrike në çdo organizatë, ndërmarrje, apo fshat. Kjo për ne, por më tepër për tim shoq, Ilmiun, që ishte më i aftë të shikonte pas perdes, ishte një mulli i vërtetë nervash.
Dhe radha erdhi me vendimin që u mor për boshatisjen e Tiranës nga të huajt, hap pas hapi, si një proces natyror, ndryshe PPSH-ja do të akuzohej për racizëm. Prandaj, familjet e grave të huaja, të pasaportizuara në Tiranë, duhet të linin kryeqytetin gradualisht, pa rënë në sy, paçka se ato në këtë mënyrë mund të shkatërroheshin. Në këto kushte, unë qesh ndër të parat që lashë Tiranën për të shkuar drejt Kukësit, ku veç shumë dhimbjeve të tjera ndjeva edhe atë të përkthimit, ku e ndieja veten, si i thonë fjalës, si peshku në ujë.
Fillimisht, pre e këtyre bubullimave u bë shefi ynë, Todi Lubonja, si edhe disa nga kolegët e mi, të cilët u caktuan me punë në ndërmarrjen artistike dhe në bujqësi. Më pas ata u futën në burg. Edhe në grupin tonë të gjermanishtes u shkurtua Erika Përmeti.
Nuk dyshova ende kur, më 3 shtator të vitit 1975, shefi i kuadrit më thirri dhe më pyeti nëse isha e gatshme të ndiqja burrin tim kudo që të jetë nevoja. Tashmë gjendeshim nën gurët e mullinjve të Partisë. Si mund të kundërshtohej urdhri i “Zeusit”?
Pse u thashë prindërve se kam shkuar në Kukës, si “turiste”
Por si t’ua shpjegoja prindërve vajtjen tonë nga Tirana e qytetëruar në atë provincë të largët në veri të Shqipërisë? U shkrova se ne i ishim përgjigjur një thirrjeje të Partisë për të punuar në këtë rajon të prapambetur për përparimin e njerëzve.
Nuk ankohesha nëpër letra, por flisja me adhurim për natyrën e bukur, sepse që në fëmijëri e kam pasur ëndërr të njihesha me Alpet. Veçse në këtë rast malet ishin shqiptare! Në qoftë se kjo nuk ishte një ngushëllim për prindërit e mi, të paktën ishte një ngushëllim për veten.
Shënim:
Intervista është realizuar në vitin 2014 (Z.H)