
Foto origjinale: Sot më 4 shtator, që të mos përsëritet avazi nesër në Ditën e Festës së Çlirimit
Në Panairin Kombëtar të Librit, nëntor 2025, ribotohet libri me kujtime i Xhelal Staraveckës, verifikuar me dokumente arkivore origjinale nga botuesi Naim Zoto
Këtu më lart keni dy foto: foton origjinale, marrë nga website “Çorovoda.online”, ku kanë dalë në shtator 1942, protagonistët e Çlirimit te Skraparit: Mestan Ujaniku (ai me dylbi në qendër) dhe krahas tij, Xhelal Staravecka me qylaf ku dallohet ylli partizan dhe shqiponja sipër tij, ndërsa në krah ka mitralozin e famshëm, i cili ka një histori më vete të dokumetuar.
Në foto dallohet edhe komisari Ramiz Aranitasi, por duhet të jetë edhe komisari i Çetës, Gjin Marku dhe të tjerë që nuk i kemi identifikuar dot.
Ndërsa foto poshtë është versioni i manipuluar, pra, falsifikuar pas çlirimit nga regjimi komunist. Në këtë version janë hequr fotot e Mestanit, Xhelalit, ndoshta edhe Gjin Markut.
Një kopje të fotos na i konfirmoi edhe shkrimtari Shkëlqim Çela, me origjinë nga Vërzhezha. E ka pasur si relike të fshehur në shtëpi, sepse në foto është edhe i ati i tij, Haxhi Çyçka (Çela).
“Im atë, – pohon Shkëlqim Çela, – është ai zeshkani i ulur më gjunjë pra, me dyfek në dorë… Sulo Gradeci (korrier i çetës) duket ulur me armë mbi gjunjë”.
Kurse këtu po sjellim edhe njërin nga qindra dokumentet arkivore të autoriteteve pushtuese italiane që dëshmon ikjen e Xhelal Staraveckës nga milicia fashiste dhe kalimin me Çetën e Parë Partizane të Mestan Ujanikut duke u bërë edhe ai pjesë e çlirimit të Skraparit në shtator 1942.
Ja dokumenti i nxjerrë nga dosja voluminoze që kemi konsultuar e tërhequr nga Autoriteti i Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit ku dëshmohet kalimi te partizanët duke marrë me vete edhe mitralozin që mban në krah në foton e bërë pas çlirimit të Çorovodës:
Nr. Dokumenti: 219. Data: 22 dhjetor 1942. Dërguar: Dr. Domenico
Përkthimi nga italishtja në shqip:
Xhelal STARAVECKA, i biri i Hysenit dhe i Luzes, lindur në Staraveckë (Skrapar) më 22 maj 1910, është drejtues i një bande të armatosur komuniste me qëllim politik, e cila aktualisht operon në rajonin e Skraparit. Në vitin 1931 u regjistrua në kolegjin ushtarak të Napolit dhe në vitin 1934 në Akademinë Ushtarake të Modenas. Pasi ndoqi kursin e parë në Akademi, në vitin 1935, ndërsa ndodhej me leje në Fier, mori pjesë shumë aktivisht në kryengritjen e 14 gushtit. U arrestua dhe iu nënshtrua gjykimit të gjykatës politike të kohës, duke u dënuar me vdekje, por më vonë, pasi u fal, vuajti vetëm dy vjet burg. Më 12 gusht 1942, pas kërkesës së tij, u pranua të bëhej pjesë e M.F.A. (Milicia Fashiste Shqiptare) me gradën nënkapiten. Më 6 shtator 1942, rreth orës 14:00, ndërsa trupat e tij ndodheshin në një përleshje në Çorovodë kundër bandës së Mestan Ujanikut, Staravecka, së bashku me dy ushtarë dhe një pushkë mitraloz, dezertoi. Pas asaj periudhe, ai u angazhua në organizimin e një çete, e cila aktualisht përbëhet nga 300-400 të armatosur.
E, nuk ka nevojë për komente shtesë, përveç një pyetje:
Mirë, pra, përpara vitit 1990 historinë dhe protokollin e festës së 5 Shtatorit e bënte Enveri i Tiranës po këto 35, kush është “Enveri” i Skraparit që herë e heq e herë e vë foton dhe bustin e Mestanit, pastaj të njëjtën gjë bën me Gjin Markun e Ramiz Aranitasin, duke nxjerrë Ramizin tjetër (Alia) si luftëtar e komisar të madh në Skrapar (shih Historikun e Qarkorit të Beratit), kurse komandantin tjetër të madh që nxori Skrapari në LANÇ e fshin fare nga historia si konstatohet në këtë histori fotosh, duke e bërë kështu luftën antifashiste monopol të njërës apo tjetrës parti e klan që ka pushtetin e radhës dhe njëkohësisht të pabesueshme.
…Dhe një mesazh i Xhelal Staraveckës
“Me këtë rast dua të bëj dhe një tjetër observacion. Ca ditë të kaluara më ra në dorë një fletore e Tiranës që kishte plot faqet e saj me kryevjetët e shumë vendeve, krahinave dhe qyteteve të liruara nga okupatori.
Megjithëse ka pak gjëra që të mos i di për vendin tonë, për kuriozitet e mora dhe i hodha një sy, ku gjeta X krahinë apo qytet të liruar nga shoku X, Y vend të liruar nga shoku Y, deri sa arrita në kryevjetorin e Skraparit.
Në atë rast ishte ngjirur zëri, muzikës i ishin këputur telat dhe ahengu ishte ndërruar në heshtje…. Pse? Pse atë vend e të tjerë i ka çliruar Xhelal Staravecka!…
Të mos shohësh drejt për drejt në sy të vërtetën, do të thotë se e druan, do të thotë se nuk je i drejtë. Për këto arsye, është më mirë të jesh i sinqertë e kurajoz duke i dhënë heroit pjesën e tij për heroizmin që ka bërë dhe po atij heroi apo personi t’i japësh pjesën që i takon për tradhtinë që ka bërë. Këtë nuk e them me qëllim që të bëhen diskriminime për mua.
Jo, nuk pranoj, pasi në ndërgjegjen time nuk kam bërë asnjë vepër që mund të jetë faj. Kjo pasi një njeri që vepron politikisht, jo për hir të interesit personal, por vetëm për dashuri të atdheut, kombit dhe popullit të vendit të tij, ai mund të bëjë gabime…
Me këtë nuk dua të kërkoj rehabilitim aspak, pasi mjafton vetëm të mendosh, se me sa gjak po e thyenim një zgjedhë, atë të okupatorit italian e, në të njëjtën kohë, po ndërtonim një tjetër zgjedhë më kobëtare, atë jugosllaven, se një çinglipinglizim i atillë mua, që nuk kisha besim te sinqeriteti i komunizmit sllav, nuk mund të më linte indiferent.
Në atë rast mua mund të më ngarkohet faji pse pashë nga fundi i 1943 atë që ngjau në vitin 1948.
(Marrë nga libri “Përpara gjyqit të historisë”, shkruar në Paris, Francë, viti 1966, nga Xhelal Staravecka, botimet “Naimi”, Tiranë 2012).
Mblodhi dhe përpunoi: Naim Zoto