Fotografi Bektash Grepcka (Çela) i viteve ’50-‘60, ja pse quhet “Marubi i Skraparit” dhe kush janë pasardhësit e tij fotografë të tjerë
Nëse ka foto të vjetra të Skraparit deri në vitin 1950, ato janë bërë nga fotografët e njohur të Beratit, kur u bënë pasportat e para pas çlirimit apo edhe kur i sillte rasti në këtë krahinë, që ishte nënprefekturë e Qarkut të Beratit.
Historia e fotografisë në Skrapar fillon në vitin 1950 me përfaqësuesin e saj të vetëm në atë kohë, Bektash Grepcka (Çela).
Çdo foto e shkrepur në vitet 1950 deri në vitrin 1970, që ndodhet në arkivat shtetërore, në arkivat e institucioneve, në muze apo albumet familjare ka autorësinë e Bektashit.
Jo më shumë për cilësinë, por për rëndësinë e dhe historinë e këtyre fotove, ai është quajtur “Marubi i Skraparit”.
Ai, si një dëshmitar i veçantë e i kujdesshëm, ka sjellë në to kohën me të mirat dhe të këqiat e saj, me devocionet dhe emocionet e saj.
Si një artist profesionist, megjithëse fotografitë ishin bardhë e zi, ai është kujdesur që ato të “lexohen” me ngjyra të gjalla dhe kontraste të fuqishme shprehëse.
Në rrugëtimin historik të fotografisë në Skrapar duhet përmendur se, mbas Bektashit, qenë fotografë të tjerë që kanë pasqyruar zhvillimin historik ndër vite të Skraparit, si: Neim Hysko, Tomorr Zaimi, Qamil Tusha, Vojsava Bregu, Ladi Laze, Hajri Bakisi dhe tani, së fundi, edhe Ahmet Çeta.
Nëse do të flisnim për fotografinë si art, do të veçonim punimet e fotografit Qamil Tusha, një pjesë e të cilave janë njëkohësisht histori dhe pikturë.