
Frashëri, “Meka” e historisë dhe kulturës shqiptare, që kryeministri ynë nuk e di se ku bie!…
Ashtu siç kemi lajmëruar edhe më parë, nga sot e tutje, herë pas here do të botojmë në versionin elektronik për ndjekësit dhe lexuesit e “Orakujve të Tomorrit” pjesë nga libri “Udhëtime nëpër Shqipëri, guidë historike” të autorit Zylyftar Hoxha
Le ta fillojmë me Frashërin:
Për gati një orë, rruga malore e paasfaltuar nga Përmeti në Frashër, të nxjerr më parë sipër në Parkun Kombëtar të Bredhit të Hotovës, një çap larg vendit të Frashërllinjve të mëdhenj. Nuk mund të mos ndalesh këtu e të mos mbetesh gojëhapur nga ajo panoramë që të del pa pritur para syve. Kurora gjigante e gjelbër e bredhave të lartë, me kontraste nga më fantastiket, me atë ujë të ftohtë, që s’numëron dot deri në dhjetë se “të pret gishtin”, s’të lë të bësh këmbë më tutje.
Pas një pushimi të shkurtër e kënaqësie, mos harro se të pret Frashëri. Një copë rrugë jo dhe aq e mirë të nxjerr mbi Kreshovë, ku përtej duket mali i veshur i Qelqëzës dhe poshtë e në krah të tij pllaja ku janë vendosur të ndara lagjet e këtij fshati me emër.
Mos e shiko tani Frashërin, pas largimeve massive drejt qyteteve, por dikur, në kohën kur lindi Naimi, ai ka qenë fshati më i madh ndër 48 fshatrat e Dangëllisë, kishte 22 lagje, me një popullsi të përzierë bektashiane dhe të krishtere, kishte dyqane manifakture, punishte shajaku, veglash pune dhe bëhej pazar i madh.
Më pas, në periudhën e Rilindjes Kombëtare, Frashëri u bë simbol i atdhetarizmit dhe i bashkimit gjithëshqiptar nga veprimtaria patriotike dhe kontributi letrar i tre vëllezërve Frashëri.
Këtij fshati, që siç e quajnë disa, “Mekë të kulturës shqiptare”, i bie që gati në çdo vit të ketë një përvjetor, vdekje a lindje të njërit prej të mëdhenjve nga vëllezërit Frashëri. Frashëri është dhe do të mbetet, pa dyshim, në zemrën e shqiptarëve si shpirti i Rilindjes sonë Kombëtare, panteoni më i plotë i diturisë e i ardhmërisë së shqiptarëve, djepi i gjuhës së kulluar shqipe, yll ndriçues, guri kryesor i vendosur në themelet e kulturës shqiptare.
Një kupë qiell mes malesh është Frashëri, por që i dha aq shumë dritë dhe dituri Shqipërisë dhe shqiptarëve, sa që nuk mund të ketë universitet në botë. Frashëri ka historinë e lavdinë e vetë.
Është zona që ndër të parat ka zgjuar frymën kombëtare dhe ka ndikuar fuqishëm për të ngjizur kombin shqiptar. Në një farë mënyre Frashëri ka bërë Shqipërinë, ai është frymëmarrja e Shqipërisë.
Këtu, pak në të kaptë, 500 m larg shtëpisë së Frashërllinjve, ke dhe një monument tjetër të historisë sonë kombëtare, po aq të rëndësishme sa shtëpia muze që vizitove pak më parë, po aq me nam të mirë, një shtëpi zoti, që ka bërë ferk (famë) në të gjitha kohërat, por edhe sot, sa në anën fetare, religjioze, aq edhe në atë patriotike, teqenë Bektashiane të Frashërit.
Në këtë teqe Baba Alushi, mik i familjes së madhe, mbajti për disa muaj Naim Frashërin pas sëmundjes së rëndë të tuberkulozit, për ta kuruar, por më shumë për t’i qetuar shpirtin e trazuar poetit të madh.
Ishte po ky Baba Alush që disa vite më vonë bashkë me Abdyl Frashërin e ktheu teqenë në seli e qendër të degës së Lidhjes së Prizrenit për jugun. Për të edhe sot këndohet kënga: “Kush e do Shqipërinë, kush,/ I miri Baba Alush”.
Ndërsa për delegatët që kishin ardhur në këmbë që nga Prizereni, koha ka tretur vargjet e tjerë të një kënge popullore, që kush e di ç’perlë ka qenë, së cilës i kanë mbetur vetëm dy: “Ç’u pruri juve nga juga,/ shtatë ditë u bëri udha…”.
Teqeja e Frashërit si një shkëndijë, ndezi një mal, mësimin e gjuhës shqipe. Qenë baballarët, dervishët, myhibët e kësaj teqeje dhe asaj të Backës që bashkë me patriotë të tjerë ngritën në vitin 1908 shkollat e para në Dangëlli dhe në Skrapar. Nën kujdesin e kësaj teqeje po në 1908, në Koprënckë ngrihet klubi patriotik “Pellazg” dhe zhvillohet një miting i madh ku morën pjesë mbi 1000 veta nga gjithë zona e Jugut, pa përmendur faktin tjetër se teqeja e Frashërit ishte qendra e çetave të luftëtarëve si Çerçis Topulli, Mihal Grameno, Themestokli Gërmenji, Sali Butka e të tjerë.
Por Frashëri ka edhe histori të mëvonshme, veçmas të njerëzve të urtë e të ditur, pinjollëve të derës së Frashërllinjve, Mehdi e Mit’hat Frashëri, të intelektualëve të tjerë shkencëtarë e dijetarë që kjo zonë i ka me shumicë.
Është fatkeqësi, madje fatkeqësi e madhe, që askush në Tiranë nuk e di se ç’bëhet në Frashër dhe si është katandisur Frashëri. Edhe vetë “i pari”, “i madhi”, Kryeministri Rama as që e di nga bie Frashëri, pa le të ketë vajtur, të paktën një herë, sa për kuriozitet në gjithë ato vjet qeverisje! Le ai, po asnjë ministër kulture nuk ka treguar interesimin më minimal, ta shkelte një herë, pa le për projekte e përkujtimore!…
Duke vështruar Frashërin, këtë vend të shenjtë, në ikje, nga Qafa e Kreshovës, të kujtohet thënia e Sami Frashërit në veprën madhore “Kamus-Ul-Alam”, në vitin 1898 për vendlindjen e tij:
“Është vend malor dhe i lartë, pak i frytshëm, por ka burra trima dhe të urtë”…
Do t’i përgjigjeshim: Eh, o Sami bej, por sot nuk ka më as Frashër e as burra siç i ke njohur ti”!…
Përmbledhja në anglisht
————–
“Udhëtime nëpër Shqipëri, guidë kulturore dhe historike”, Tiranë 2019, faqe 20 – 25