
Fuat Çela, 90 vjeç: Gëzuar ditëlindjen legjendar!…
Zylyftar Hoxha
Për ata që sot janë mbi 60 vjeç dhe që gëzojnë shëndet të mirë, kudo që janë në të gjithë Shqipërinë, apo jashtë vendit, sa t’i përmendim emrin, do të klithin me habi dhe do ta njohin menjëherë Fuat Çelën, të riun e verbër nga Skrapari, që, në vitet ’60 – ’70 të shekullit të kaluar u bë Hero me përmasa kombëtare, legjendë dhe shkuar legjendave.
Ishin vitet më kulmore të komunizmit, vitet më të vështirë për Shqipërinë që kishte zgjedhur që pas Luftës atë rrugë: Izolimin e plotë, që socializmi do të ndertohej “me forcat e veta”. Mënyra se si do të ndërtohej!
Më e mira ishte puna e pa paguar, aksionet.
Një mënyrë politike dhe ideologjike që funksionoi dhe që brenda një kohe të shkurtër u ndërtuan vepra të mëdha industriale, të cilat normalisht donin kohë të ndërtoheshin, por që u quajtën ”vepra të pesëvjeçarve” dhe që të gjitha u ndertuan para afatit.
Koha kërkonte heronj që të nxisnin dhe të ngrinin njerëzit në këmbë për t’i mbajtur të karikuar. Një i tillë kishte dalë edhe në Kinën Komuniste, që ishte Lei Fen, i cili bënte çudira.
Ky tip quhej “Njeriu i ri socialist”.
Një njëri i tillë duhej “krijuar” edhe në Shqipëri.
Rasti u gjet, kur Fuat Çela në atë atmosferë të ndezur aksionesh, më 10 nëntor të vitit 1967, i dërgon letër Enver Hoxhës, ku i tregon se, megjithëse i verbër, kishte shkuar në aksion në hekurudhë, punonte si gjithë të tjerët në kooperativë, por dëshironte të arsimohej dhe të ishte anëtar Partie.
Kaq u desh“, tashmë ai u kthye në fenomen, në mit, shembulli i tij do të ishte shembull frymëzimi për të gjithë shqiptarët, gazetat më të rëndësishme të kohës hapeshin me të nëpër takime me udhëheqësit e lartë, Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Ramiz Aliajn, Thoma Delianën, Beqir Ballukun, Dritero Agollin, të cilët e mbushnin edhe me dhurata, sende të rralla dhe të personalizuara për kohën: makinë shkrimi me alfabetin “Braille” për të verbërit nga Enver Hoxha, magnetofon nga Thoma Deliana, libra nga Dritero Agolli, pushkë nga Beqir Balluku etj.
Një radio me bateri ia solli dhuratë Çu En Lai, kur erdhi për vizitë në Shqipëri.
Vërzhezha u bë “Mekë” e rinisë shqiptare, ku, veç letrave dhe telegrameve, vinin delegacione të rinjësh dhe ushtarakësh nga e gjithë Shqipëria.
Ndërkohë nëpërmjet një programi specifik filloi shkollën me një mësuese enkas për të. Pas një viti përsëri me një program të veçantë shkoi në shkollën e të verbërve në Tiranë, ku brenda 25 ditëve mësoi makinën e shkrimit “Braille”.
Mësuesia vlonjate Drita Gjondeda
Ndërkohë punon dhe punon shumë në kooperativë dhe nëpër aksione. U bë edhe me miq të shumtë nga të gjitha trevat shqiptare.
Motivi dhe deviza për rininë e asaj kohe ishte thënia e Enver Hoxhës: “Kur punon Fuat Çela pa sy, ç’ duhet të bëjmë ne të tjerët që i kemi të dy sytë”!…
Nga një anë, kjo dukej se ai përdorej si një model nxitës pozitiv, si një Lei Fen, gjë që Fuatin e vriste thellë në ndërgjegje, por, nga ana tjetër, ai shpaloste një pesonalitet të lartë, të admirueshëm të një punëtori të palodhur që cfilitej deri në torturë fizike që të mos zhgënjente njeri.
Veç kësaj, atij i duhej të përballej me thashethemet e njerëzve skeptikë, mosbesues, që thoshin se ai shikon, por bën gjasme, lot rolin e të verbrit. Do të përballej edhe me absurditete të tillë, se ishte “spiun i kinezëve” etj.
Por ai këto gjëra i sfdoi me punën e tij të ndershme dhe të barabartë me njerëzit e saktë, i përballoi me miqësitë që krijoi kudo që vajti nëpër aksione apo edhe me ata mijëra njerëzish që i erdhën në Vërzhezhë.
Krahë për këtë ka patur edhe bashkëfshatarët e vetë dhe gjithë skraparllinjtë që ia dinin hallin.
Më pas ai u shua si një meteor përsa i përket famës, por jo veprimtarisë së përditshme.
Me motrën, Gështenjën
Fuati ka lënë gjurmë të pashlyeshme të punës në Vërzhezhë, monumentale prej duarve të tij janë rrugët e fshatit dhe rruga kryesore që e lidhin Vërzhezhën me fshatrat e tjerë, si dhe me rrugën kombëtare që është 4 km e gjatë.
Jetoi fillimisht, me një pension kooperative, poshtë fshatit, në Orizaj, ku nuk e ndali punën, bënte shporta, kofinë, samarë dhe parmënda.
Më pas shkoi në Durrës për një jetë më të mirë dhe një status invalidi, por i zhgënjyer u kthye përsëri në Skrapar.
Nipi, Armandi, Fuati, Lulëzimja dhe Ylli
Me një shëndet dhe memorie impresionuese, njeriu më i famshëm i viteve ’70 të shekullit të kaluar, aspak pishman për atë që ka lënë pas krahëve, tashmë bën një jetë modeste te i vëllai, Ylli dhe kunata Lulzime dhe tre nipërit e tij, i rrethuar nga kujdesi, respekti dhe dashuria e tyre, por edhe i të gjithë qytetarëve të Çorovodës.
———
Me anë të këtij shkrimi modest në 90 -vjetorin e tij të lindjes, “Orakujt e Tomorrit” e urojnë Fuat Çelën të ketë jetë të gjatë dhe të shëndetëshme!