Ganimet Vëndresha, dallandyshja e parë e Baletit Shqiptar dhe patologjia jonë e harresës

Ganimet Vëndresha, dallandyshja e parë e Baletit Shqiptar dhe patologjia jonë e harresës

Zylyftar Hoxha

Si çdo përvjetor, edhe në këtë të këtij viti, në 88-vjetorin e lindjes, përveç mbesës së saj, Ajola Xoxes në istagram, asnjë institucion kulturor, përfshi edhe teatrin e Operas dhe të Baletit, ku ajo shkriu jetën e saj artistike, asnjë medje, asnjë televizion nuk tha një fjalë për artisten e njohur veterane, themluesen e Baletit, Ganimet Vëndreshën.

 

Që të jem më i saktë, disa medie selektive, botuan impresionin e instagramit të Ajolës për gjyshen e saj, më shumë për t’i bërë qejfin Ajolës se sa të kujtonin dhe gëzonin Ganimetin!…

 

 

Të paktën kështu e kuptova unë.

 

Nëse do të i ështe një artiste e tillë në Itali, do ta sillnin, po të ishte nevoja,  edhe me karrocë invalidi në studio, më shumë në nder të publikut që ka duartrokitur një jetë të tërë në skenë, se sa në nder të vetë artistit. Por është te ne, dhe gjërat janë dhe bëhen si te ne!…

 

 

Po kush është Ganimet Vëndresha?

 

Ganimeti  është me origjinë nga Skrapari, e bija e Daut Shehut nga Vëndresha, i martuar me Hatixhenë, një turkeshë, e cila u përshtat shpejt më jetën shqiptare dhe me të cilën solli në jetë katër fëmijë.

 

Dauti ishte i shkolluar dhe në fund të viteve ’20 të shekullit të kaluar, u vendos në Tiranë, ku punoi si nëpunës, financier.

 

Ganimeti ka  lindur në Tiranë në vitin 1934.

 

Në vitet 1948 – 1950 merr pjesë në grupet artistike të kohës, në Ansamblin e Këngëve dhe  Valleve si kërcimtare. Vazhdoi Liceun për pjano, por përfundoi  te kërcimi.

 

Mori pjesë në turneun ndërkombëtar “Vallëzimi i i Popujve” në disa venede të Europës, ku ra në sy talenti i saj. Pas një shfaqjeje në Rumani, gjashtë valltare fituan të drejtën për të vazhduar studimet në Moskë, në shkollën koreografike paranë të famshmit “Balshoi Teatër”, sot Akademi.

 

Bashkë me të tjerët, Ganimeti u nis për studime. Mes të cilëve ishte edhe njeriu me të cilin ajo do të lidhte jetën, Xhemil  Simishiu.

 

Diplomën në Moskë i a ka firmosur Sergejevna Uljanov, një figurë botërore e baletit rus. Ishte një kënaqësi e madhe të merrje një autograf nga ajo, dhe jo të firmoste aftësitë.

 

Kaluan gjashtë vjet atje. Kur redhi në Tiranë filloi punë te po ai ansambël që e nisi në Moskë dhe drejt suksesit. Kishte njohuri të plota, ishte një profesioniste e vërtetë dhe veç  skenës, u bë edhe një mësuese baleti.

 

Bëhet nismëtare e çeljes së shkollës së parë të baletit dhe të koreografisë shqiptare së bashku me emra të tjerë të artit dhe të skenës. Ndër profesorët e parë të kësaj shkolle ishin edhe çifti  Xhemil Simixhi dhe Ganimet Vëndresha.

 

Që në vitin 1958, ajo luan rolin e solistes së parë në baletin shqiptar.

Çasti më kulmor i jetës së saj dhe që i dha emër dhe famë, ishte baleti “Halili dhe Hajria”, ku çifti ieal në jetë, Xhemil-Ganimet shkëlqeu dhe mori  vlerësim maksimal nga specialistët e artit.

 

Në vitin 1965, Ganimeti mori Çmimin e Republikës dhe më vonë titullin “Artiste e Merituar”.

 

Ka luajtur:

 

Kur ishte studente në baletin “Liqeni i Mjelmave”, “Arrëthyesi”, “Bukuroshja e fjetur”

Në vitin 1956, në operan “Traviata”

1957, në baletin “Kujdesi i kotë”

1957, “Romeo dhe Zhuleta”

1958, “Zarema e Humbur”

1959, “Lola”

1960, “Fadeta”

1961, “Xhizel”

1962, “Laurencia”

1963, “Shehrazade” dhe “Halili dhe Hajria”

1964, “Petaj dhe ujku” dhe “Dalina”

1965, “Reganin”

1966, “Detashmenti i kuq”

 

Tani Ganimeti është në pension, në moshë të shtyrë, si shumë kolgë të brezit të saj, e harruar nga shteti, por e rrethuar nga dashuria, respekti dhe mirënjohja e të gjithë atyre që patën fatin ta shihnin dhe duartrokisnin në skenë për kënaqësinë artistike që ajo u ka falur.

 

Me rastin e 88 – vjetorit të lindjes, “Orakujt e Tomorrit” i urojnë jetë të gjatë e të shëndetshme artistes sonë të madhe!