Gëzim Aliaj: Si e kam njohur unë Petrit Dumen?!…

Gëzim Aliaj: Si e kam njohur unë Petrit Dumen?!…

Rrëfim ekskluziv për “Orakujt e Tomorrit”

 

Gëzim Aliaj

 

Do ta veçoja këtë pjesë të jetës sime, si një nga më të veçantat dhe më interesantet, si një përvojë që ka ndikuar në tërë vijimësinë time të mëpasshme jetësore.

Rasti, kur ika ushtar, më çoi të bëja pjesë në grupin shoqëruse të gjeneral Petrit Dumes, një emër i madh për kohën, zëvendës ministër dhe shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.

 

Tek ai kam shërbyer dy vjet ushtar si ndihmës e shoqërues i parë  në sekretarinë e tij. Me punën e aftesitë e mia munda të fitoj besimin e plotë të tij dhe ta realizoja detyrën time me ndërgjegjen më të lartë.

 

Atje kam mësuar shumë për jetën, për artin e drejtimit dhe të udhëheqjes, për punën me njerëzit. Tek ai burrë kam parë e marrë shumë cilësi të larta morale si, burrërinë, drejtësinë, sinqeritetin, ndershmërinë, atdhedashurinë e të tjera. Ai më njohu nga afër dhe me një besim pothuajse të verbër dhe të padiskutueshëm, u rekomandoi kudove të rrethit, sidomos sekretarit të Partë të Partisë të Skraparit të asaj kohe, Teki Malindit që të mos më linin më në fshat, pasi, sipas tij, vleja shumë më shumë se në Vëndreshë.

 

Pas dy vjetësh gjeneral Petriti u dënua me pushkatim nga Enver Hoxha në të ashtuquajturin puç ushtarak, ku veç atij u dënuan edhe shumë personalitete të larta ushtarake, mes tyre edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku.

 

Më dhembi shumë kur mora vesh lajmin dhe nuk e besova që ai burrë të ishte tradhtar dhe, aq më keq, armik. Megjithatë, për mua dhe kush e ka njohur nga afër, ai do të mbetet një nga patriotët e mëdhenj, që e deshi aq shumë Shqipërinë, një nga gjeneralët më të zotë, dhe një nga luftëtarët e dy periudhave historike më trim e më i patrembur. Ai i kishte dhënë këtij vendi gjakun e dy vëllezërve të tij, dëshmorë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, eshtrat e të cilëve prehen edhe sot në varrezat e dëshmorëve të Kolonjës.

 

Më ka dashur dhe më ka respektuar njëlloj si djalin e tij, por edhe unë e kam dashur dhe respektuar si Smailin, babanë tim.

 

Unë isha fejuar në Bubës, ndërsa bëja ushtrinë. Sa qesh ushtar vajta dy herë për të takuar të fejuarën atje. Hera e dytë ka qenë, kur erdhëm me gjeneralin me shërbim në Përmet në janar të vitit 1972.

 

Si burrë zotni që ishte, ai më dha makinën e vet për të ardhur te e fejaura ime. Ishte një kohë e keqe dimri, por ëdhe rruga ishte shumë e keqe. Për tërë natën erdhëm në Bubës dhe u kthyem afër mëngjesit  tek Shtëpia e Pritjes në Permet, ku na priste gjeneral Dumja.

 

Qe një ditë e veçantë, një vizitë surprizë, e papritur, por që na pritën siç dinin të prisnin ata. Shoferi im, Pirroja u habit se kur u bënë dhe si u bënë gjithë ato gjëra që u shtruan në darkë.

 

Gjeneralit i çuam një pulë të pjekur me përshesh, që e bëri Tataja kastile për të. Iu bë qejfi shumë, jo për pulën, se ai ishte i ngrënë, por nga vlerësimi që i bënin nga një gjë karakteristike e krahinës dhe që u kishte vajtur mendja për të.

Duke i bërë përshtypje kjo bujari, ai u interesua të dinte më shumë për njerëzit e mi të nuses, të cilët, sipas tij, paskeshin qenë shumë fisnikë e mikpritës.

 

Kur u lirova nga ushtria më ka dërguar me makinën e tij këtu, në Vëndreshë. Më bëri një kostum të ri në punëtorinë ushtarake dhuratë për martesë. Më pas dërgoi grupin e tij për urim në dasmë. Erdhi Bashkimi, shoqëruesi i parë i tij, shofer Pirua, guzhinier Marku dhe doktori i spitalit ushtarak, doktori i tij personal, Pandeli Zogu.

 

U kemi bërë një darkë të mirë me muhabet vënçe, me raki e dolli. Të nesërmen i kemi përciellë deri në

Bogovë, ku u bëmë një tjetër drekë atje. Ngelën shumë të kënaqur. Kur kishin folur me gjeneralin për pritjen tonë, ai u kish thënë, se unë e di se çfarë njerëzish janë dhe çfarë bëjnë ata në këto raste, kot nuk e mbajta këtu Gëzimin.

 

Babai im, Smaili ishte takuar një herë me të, kur në një rast erdhi në Tiranë. Ma kishte lënë vetë porosi: kur të vijë ndonjë herë plaku në Tiranë, do të ma sjellësh ta takoj.

 

Në ora 8 në mëngjes, sapo kur ne hymë në ministri, babai, veshur mirë me qylaf pellushi të zi, me një xhyp të trashë, po rrinte tek postëblloku. Ai e pa dhe tha: “Shikoni, ai burrë është andej nga anët tona”.

“Po, i them unë”, dhe u drodha se nuk e prisja të dilte babai aty.

 

Hymë brenda dhe përgjegjësi i ndërresës e pruri te zyra. Unë i tronditur dhe i ndrojtur i dola përpara plakut: Çfarë ke? Ç’hallë të ka prurë? A ini mirë andej”?

 

Ndërsa po e pyesja, gjenerali thirri nga ballkoni i katit të dytë, ku kishte zyrën: “Urdhëro, urdhëro, më kënaqe që kur të pash atje tej me këtë veshje të bukur”!

Pastaj doli te dera e zyrës, e kapi për krahu dhe e uli në kolltuk. “Kafe dhe raki”, porositi. Dhe filloi shakaja dhe muhabeti sikur kishin vite që njiheshin.

 

Në fund të takimit, më tha: “Merre babanë dhe çoje me makinë në Skrapar, por më parë bëjini një xhiro nëpër Tiranë, çojeni ku të dojë te ndonjë mik a shok, e ka hallall, më ka kënaqur”!

Dolëm, shkuam te Halimeja në Durrës, ku ndënjëm atë natë.

 

“Burrë, po burrë, kolonjar i vërtetë, tha plaku, hallall ta ketë atë detyrë. Burra të tillë  i duhen Shqipërisë”!…Dhe nuk e zuri më në gojë.

Nuk e zuri më në gojë  dhe nuk më tha as mua se çfarë kishte folur me gjeneralin.

 

Më vonë mora vesh që plaku i kishte hapur problemin tim. “Kam dëgjuar se djalin, pas lirimit nga ushtria, do të ma mbani me punë këtu. Faleminderit shumë që e vlerësoni, por unë kam ca halle, o shoku Petrit, ndaj të lutem, ma lërë të vijë atje në Vëndreshë. Jam i vetëm, djalin tjetër e kam të vogël. Pa dhe do të martohet”!…

 

Pa mbaruar fjalën, gjenerali, i kishte thënë: “Dëgjo, o Smail Vëndresha, e mora vesh pse ke ardhur dhe unë nuk do të ta nxjerr mundimin kot, do ta sjell djalin në Skrapar, por ta dish, se po e bëj me dhimbje, se edhe mua më këputet një krah”!

 

Plaku, megjithëse ishte prekur shumë nga ky llaf, përsëri nuk ishte tundur nga e tija.

Duke i dhënë dorën, gjenerali i kishte thënë: “Udhë e mbarë, mos ki merak, u grisën letrat”.

Dhe vërtet, thirri menjëherë sekretaren dhe i tha që të anullohet projekti për emërimin tim.

 

Plaku,duke ikur e kishte ftuar që t’i vinte ndonjëherë në Skrapar.

“Nuk do të ta prish, patjetër do të vij”, i kishte thënë gjenerali, dhe kishte hyrë brenda në zyrë, ndërsa plaku kishte marrë shkallët tatëpjetë.

 

Unë isha liruar nga Ushtria, kur bëhej një lojë e madhe ushtarake në Skrapar. Në Vëndreshë erdhi haberi me korrier se do të vijë Petrit Dumja për darkë.

U vumë në lëvizje të gjithë edhe kryetari i kooperativës, Veseli, i ati i Xikes së Përparimit. Ndërsa i kishim marrë masat, erdhi përsëri haberi se për shkak të shiut të madh nuk kalonte dot makina, dhe jo vetëm makina, por as me kuaj nuk lëvizej dot se ishte furtunë e madhe.

 

Atëhere u nisëm ne, unë dhe bashkëshortja ime, Fatimeja. Morëm me vete vetëm rehani dhe dy lakra (xherka) turshi. Ne e dimë ç’kemi hequr deri sa shkuam te Ura e Buzuqit, ku na priste makina me gjithë ushtarët!…

Na çuan në Shtëpinë qeveritare të Pritjes. Ka qenë Teki Malindi, unë dhe Fatimeja dhe shoferi, njëkohësisht shoku im.

Pritjen e bënte gjenerali si zot shtëpie. Në krye të muhabetit vuri Fatimenë. Me të gjithë këta kam bërë muhabet edhe herë tjetër. Ty të takon nderi, hajde Gëzuar”!

Kemi kaluar një natë të këndshme  pranë zjarrit bubulak të oxhakut.

 

Ky qe edhe takimi im i fundit me atë burrë të lartë, që unë nuk e ndaja nga babai im!…