Gjeneral Pëllumb Qazimi sjell librin e ri “Lufta dhe shqiptarët”

Gjeneral Pëllumb Qazimi sjell librin e ri “Lufta dhe shqiptarët”

 

Prej krijimit të shtetit të ri shqiptar me shpalljen e Pavarësisë më1912 e deri më sot, kur jemi  në prag të luftës së tretë botërore, shqiptarët mund të jenë popull i i vetëm që i ka përjetuar të gjitha llojet e luftërave që njeh historia, megjithëse jemi kombi/shteti i vetëm që nuk kemi agresuar popull apo shtet tjetër.

 

 

Po ç’është lufta dhe si janë përballuar shqiptarët me të gjatë historisë.  Kur, si dhe pse kanë bërë apo pësuar luftëra shqiptarët; si janë sjellë apo si i kanë trajtuar ata të mundurit a robërit e luftës.

 

 

Libri i i sapobotuar i Gjeneral Pëllumb Qazimit, “Lufta dhe shqiptarët”,  përbën një udhërrëfyes të domosdoshëm, jo vetëm për lexuesit e thjeshtë e të pasionuar pas historisë së luftërave, por edhe për ushtarakët, diplomatët, ekspertët e çështjeve të sigurisë dhe politik-bërësit.

 

 

 

 

 

Parathënia  e librit  “Lufta dhe Shqiptarët” 

 

 

 

Libri “Lufta dhe Shqiptarët”, kontribut i një prej personaliteteve më të shquara të fushës së sigurisë dhe diplomacisë

 

 

Ne po jetojmë fundin e një epoke. Rendi botëror liberal, siç e njohim ne, po shembet. Një rend i ri është në formim e sipër. Ky ndryshim global nuk është më teorik, teksa jemi dëshmitarë të dy fronteve kryesore të luftës në Evropë dhe në Lindjen e Mesme, mungesës së një udhëheqjeje të fortë në nivel evropian si rezultat i shkërmoqjes së qendrës demokratike, formësimit të aleancave alternative – në vend të respektimit të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla – nga vendet me një gjeografi dhe popullsi të konsiderueshme, dhe një arkitekturë ndërkombëtare më komplekse dhe konkurruese…

 

Pas rënies së Murit të Berlinit, amerikanët ishin shumë të pranishëm dhe të përfshirë në garantimin e sigurisë në kontinent. Gjithashtu, në ndihmën e dhënë për vendet e Evropës Lindore që t’i bashkoheshin NATO-s. Dobësimi i marrëdhënieve euro-atlantike nuk është një ogur i mirë për Ballkanin Perëndimor, ku SHBA shihet si garantues i perimetrit të sigurisë, ndërsa evropianët si alergjikë ndaj përdorimit të forcës.

 

Kjo do të jetë një sfidë themelore për evropianët të cilët, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe rënia e Murit të Berlinit, e kanë konsideruar marrëdhënien e tyre me SHBA-në si një marrëdhënie të bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, me fokus në sigurinë kolektive, sundimin e së drejtës, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, dhe një sistem transparent dhe shumëpalësh të tregtisë së lirë.

 

Forca ushtarake po rifiton rëndësinë. Për shumë dekada Evropa kontraktoi mbrojtjen e saj duke humbur autonominë strategjike. Tani që SHBA-të po zhvendosen, Evropa është e papërgatitur për të siguruar mbrojtjen e vet. Siguria nuk mund të nënkontraktohet. Sovraniteti kërkon ushtarë.

Vështruar në këtë kontekst, libri i Pëllumb Qazimit, titulluar “Lufta dhe Shqiptarët”, vjen në kohën e duhur, si kontribut i një prej personaliteteve më të shquara të fushës së sigurisë dhe diplomacisë, me të cilin kam pasur nderin të punoj në shërbimin e jashtëm.

Përmes një eksperience të rrallë njerëzore, që zanafillën e ka në periudhën e Luftës së Ftohtë e deri në ditët e sotme, nga një njeri i cili ka ngjitur një e nga një të gjitha shkallët e karrierës në çështjet e sigurisë, Pëllumb Qazimi analizon në mënyrë shteruese raportin e luftës me ne, shqiptarët, duke i qëndruar fort argumentit se kombi shqiptar asnjëherë nuk ka qenë komb agresor, por nga ana tjetër, vendi ynë ka qenë arenë lufte apo fushëbeteje për palë të tjera ndërluftuese.

 

Autori trajton çështje të rëndësishme të sigurisë për Shqipërinë gjatë periudhë

 

s së Luftës së Ftohtë, raportet me fqinjët e saj dhe nevojën për transformimin e vazhdueshëm dhe fuqizimin e forcave të armatosura. Gjithashtu, autori analizon edhe rolin e diplomacisë si faktor shumëfishues i sigurisë kombëtare.

 

Për shkak të kontributit në jetën publike, përkushtimit ndaj atdheut, fuqisë së intelektit dhe analizës historike, libri i Pëllumb Qazimit përbën një udhërrëfyes të domosdoshëm, sidomos për ushtarakët, diplomatët, ekspertët e çështjeve të sigurisë, historianët dhe politik-bërësit. Mbi të gjitha, historia dhe eksperienca jetësore e rrëfyer nga Pëllumb Qazimi nuk është thjesht mësimi i së kaluarës, por çelësi i përballimit të së tashmes.

 

Rendi global po ndryshon me shpejtësi. Vetëm ata që përshtaten do t’ia dalin. Ata që mbeten peng i së kaluarës do të shemben. Kjo epokë e re nuk do t’u sjellë përfitime të gjithëve. Në mënyrë që të jemi në anën e fituesve, në këto kohë të trazuara, Pëllumb Qazimi me elegancë na kujton se ylli polar në çështjet e sigurisë kombëtare është strategjia dhe jo slogani. Ndaj, ky libër, është në të njëjtën kohë, një thirrje për nevojën e një vizioni të qartë, aleancave të qëndrueshme dhe vullnetit politik për të tejkaluar çdo sfidë.

Ditmir Buashti

Ish-Ministër i Punëve të Jashtme, 2013-2017

dhe Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, 2017-2019)

 

 

Skeda e librit:

 

Titulli: Lufta dhe shqiptarët

Autor: Pëllumb Qazimi

Recezentë: Ditmir Bushati, Marenglen Kasmi

Redaktor: Naim Zoto

Botues: “Naimi” – Shtëpi botuese dhe studio letrare

www.botimenaimi.com

ISBN: 978-9928-818-23-2

 

Vitit i botimit: 2025

Nr. i faqeve: 320

Formati: B5

Çmimi: 2000 lekë.

Pëllumb Qazimi

 

Pëllumb Qazimi, lindur më 1957 ne Skrapar. 1981-1996 përfunduar shkollat ushtarake në Shqipëri (Akademia Ushtarake, Akademia e Mbrojtjes, Kolegji i Mbrojtjes). Shtator 2000 -tetor 2006, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë; qershor 2008 – qershor 2010 Ambasador i Shqipërisë në Bosnje dhe Hercegovinë; gusht 2007 – prill 2014 Ambasador i Shqipërisë në Kroaci; maj 2014 Ambasador i Shqipërisë në Slloveni.

 

Shtëpia botuese “Naimi”, 2025