“Gjuhës shqipe unë s’i ndahem, me gurë të më trazojnë…”

“Gjuhës shqipe unë s’i ndahem, me gurë të më trazojnë…”

Zylyftar Hoxha

 

Përpjekjet e gjata e të mundimshme në fushën e përhapjes së gjuhës dhe të arsimit shqip e kanë ngjitur Meleq Staraveckën në yjësinë e qiellit historik shqiptar përkrah figurave të tjera më të shquara të Rilindjes Kombëtare.

 

Edhe pse u shua para 100 vjetësh, me veprën e tij ai shkëlqen si një meteor, fakt ky që nuk i ka shpëtuar as qeverisë së Zogut, e cila me rastin e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, në vitin 1937, e ka radhitur në figurat më interesante të Rilindjes dhe ka vënë detyrë krijimin e dosjes personale të këtij martiri të gjuhës shqipe.

 

Janë pikërisht të dhënat e kësaj dosje, që kanë ndihmuar në jetëshkrimin që po paraqesim më poshtë.

 

 

Meleq Staravecka u lind në Staraveckë të Skraparit rreth viteve 1840-45.

Në rininë e tij të hershme punoi si hyzmeqar në teqenë e Frashërit, ku për cilësitë dalluese, Baba Abedini i kësaj teqeje e bëri dervish. Siç del edhe nga shtypi i kohës, ai zë miqësi të ngushtë me Naim Frashërin, kur Naimi qe disa muaj këtu nën kujdesin e babait të teqesë, mik i familjes së shquar të Frashërllinjve.

 

Hyrjet e daljet në teqe, takimet dhe mbledhjet në këtë vatër atdhetare ndikuan në shpirtin djaloshar të Meleqit dhe ai, më shumë se religjionit, i kushtohet veprimtarisë atdhetare.

 

Merr pjesë në Degën e Frashërit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në korrik të vitit 1878 dhe ngarkohet me detyra nga kryesia. Por veprimtaria e Meleqit bie në sy dhe fillon ndjekja nga zaptijet turke.

 

Në këto kushte, në vitin 1879 ai detyrohet të emigrojë në Egjipt, ku shërben për 13 vjet me radhë në teqenë shqiptare të Kajros në krye të së cilës ishte gjysh Siri Glina.

 

Për veprimtarinë e Meleqit me rrethet patriotike të shqiptarëve në Kajro, por edhe atë të mëpasshme të tij, flet jo pa pasion dhe simpati gjysh Siri Glina në një letër dërguar Komisionit të 25-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, që përbën edhe dokumentin bazë të Dosjes Meleq Staravecka në AQSH.

 

Në vitin 1892 Meleqi largohet nga Egjipti dhe vendoset në Anadoll, në teqenë më të frekuentueshme nga shqiptarët, Meridven Qoi, ku ai bie në kontakt me figurat madhore të Rilindjes, Naim Frashërin, Sami Frashërin, Hoxhë Tasimin, Jani Vreton e të tjerë.

 

Në vitin 1898-900 nga Anadolli vjen në Maqedoni. Fatkeqësisht për këtë periudhë pothuajse nuk ka të dhëna se ku ka shërbyer dhe me çfarë është marrë.

 

Viti 1900 e gjen në Korçë, në teqenë e Turhanit, Backës dhe Frashërit, ku shpërndan libra shqip dhe çel kurse për mësimin e gjuhës shqipe.

 

Është pikërisht kjo periudhë, më intensivja e jetës së tij, kur ai shkon disa herë në koloninë shqiptare të Sofjes dhe bie në kontakt me patriotë të tjerë si Shahin Kolonjën, Kristo Luarasi, Nuçi Naçin, Gjergj Qiriazin, etj.

 

 

Në numrin e parë në faqen e parë të gazetës “Drita” boton një vjershë ku uron daljen e gazetës. Po kështu boton vjersha edhe në “Kalendarin Kombëtar”.

 

Pas këtyre ec e jakeve, sa në atdhe ashtu edhe jashtë, merr një drejtim tjetër, ku kishte ndikim sekti bektashi, lëviz në zonat e Elbasanit, Librazhdit, Martaneshit, me seli në teqenë Krujës. Por aty kuptohet dhe ndiqet nga spiunët turq, shpëton rastësisht në portin e Durrësit duke hipur në një anije i veshur si prift.

 

 

Në vitin 1905 sjell nga jashtë 2000 libra e abetare dhe, pasi i shpërndan ato, shkon në Kongresin e Manastirit. Siç thuhet në shtypin e kohës, për disa ditë fle në një dhomë hoteli me Gjergj Fishtën dhe Pandeli Calen. Tashmë edhe në emër të Kongresit të Manastirit, Meleqi vazhdon veprimtarinë e tij në zonat e Korçës, Skraparit dhe Përmetit.

 

Në vitet 1908-909 ai bashkë me patriotë të tjerë, veçanërisht me Hasan e Dalip Koprënckën çelin shkollat e para shqipe në Qeshibes, Koprënckë, Çorovodë, Gostënckë, Zaloshnjë, Helmës etj.

 

Në vitin 1910, pas udhëtimeve të gjata, tashmë edhe i moshuar, i kushtohet religjionit, vendoset baba në teqenë e Shëmbërdhenjit në Gramsh. Megjithëse i moshuar, mobilizon forca për mbrojtjen e territoreve nga andartët grekë dhe forcat e Esat Pashë Toptanit.

 

 

Meleq Muçi, Meleq Staravecka, Meleq Tomorri, Meleq Skrapari, Meleq Shëmbërdhenji, Varf Meleqi, At Meleku, siç e thërrisnin, gjeshtis (vdes) në moshën 80 e ca vjeç në teqenë e Shëmbërdhenjit të Gramshit, ku edhe sot prehen eshtrat e tij (I ndritët shpirti aty ku është!).

 

Megjithëse veprimtaria e Meleq Staraveckës njihet disi, dhe falë kësaj njohje i është dhënë titulli “Mësues i Popullit”, përsëri ka shumë momente të jetës së tij të pa ndriçuara, çka shtron detyrën për studime të mëtejshme.

 

 

Dëshmi të kohës

 

“…Meleq Staravecka përveç virtyteve patriotike, me sjelljet e tij shoqërore, ka qenë i pajisur me cilësi të rralla të reputacionit të madh: sa i urtë, sa i matur, sa i hollë, sa delikat, sa i ngadalshëm ka qenë, e dinë të gjithë ata që e njohën. Naim Frashri dhe Sami Frashëri, Vretoja dhe shokët e tjerë të tij me këto cilësi e mburrnin.

 

Punimi i tij mban një gjysmë shekulli, ka nisur me Abdyl Frashërin. Më parë se të bëhej lidhja e Prizrenit, në mbledhjen që provokoi Abdyli me shokët e tij, në atë kohë kur ylli i Naimit ende s’kish shkëlqyer, në teqenë e Frashërit, autor i ditës ish Varf Meleqi”…

 

“Gazeta e Korçës”, 12 mars 1927:

 

“…Në Manastir hasa Dervish Meleqnë, të cilin para tre ditësh e kisha përcjellë nga Sofja dhe të cilin e mbajta 12 ditë në teqenë time të vogël, ku mblidheshin gjithë shqiptarët e këtushëm…

 

Me Meleqnë, të cilin e hasa në Manastir, kuvenduam gjerë e gjatë. Dy ditë shëtitëm nëpër Manastir nëpër shqiptarët, më së fundi u ndamë, unë për në Korçë, ay në Elbasan, Krujë e në shumë vise ku ai lëçit e predikon zënë e ëmbël të gjuhës sonë dhe idenë kombëtare.

 

Letër e Kristo Luarasit, dërguar Nikolla Naços në Bukuresht, shtator 1900. Botuar në “Kalendarin Kombëtar”

 

 

Ibrahim Sejfullahu nga Qatromi Korçës kujton:

 

“Mbaj mend se në vitet 1900, duke qenë nxënës në shkollën fillore, kisha dëshirë të mësoja e të këndoja në gjuhën amtare. Prandaj kur merrja vesh që vinte në fshatin tonë Meleq Tomorri, takohesha me të. Prej tij kam mësuar për herë të parë alfabetin shqip, atë të Stambollit. Më jepte 2-3 abetare për t’i çuar në njerëzit e mi…

 

Babai më dërgonte në Korçë, ku shisja qumësht i rekomanduar nga Meleq Tomorri e Ligor Ndrekua. Qumështin e shpija në Shkollën Shqipe të Vashave, e cila ishte në atë kohë në Korçë qendër e shkëlqyer për mësimin e gjuhës amtare”…

 

 

Muzeu Historik i Skraparit, Dosja e Meleq Staraveckës

 

“…Dervish Meleqi erdhi nga Shqipëria këtë javë në Selanik dhe u nis për në Stamboll…”

 

Gazeta “Liria e Selanikut”, 16.05.1909

 

 

Atdhetari në këngë

 

Miqtë, bashkëluftëtarët, kolegët klerikë bektashianë, por edhe populli në ato krahina ku Meleq Staravecka punoi për përhapjen e gjuhës shqipe, që në atë kohë e kanë vlerësuar punën e çmuar të këtij patrioti të shquar, duke i thurur vjersha dhe këngë.

 

Ja një prej tyre, shkruar nga atdhetari Adham Shkaba, anëtar i shoqërisë “Dëshira” dhe botuar në “Kalendarin Kombëtar” të Sofjes në vitin 1901, ku autori pas përcjelljes me mision të Meleqit, uron:

 

Tani një udhë të mbarë,

Dhe ki gëzim e shpresë,

Do të kesh nder në shqiptarë,

Po të jesh njeri me besë,

Mbaje qëllimin e mirë,

Që të lësh emër për jetë,

Ti që do kaq Shqipërinë,

Dhe përpiqesh ditë e natë,

Zoti të shtoftë fuqinë,

Më paç një jetë të gjatë!…

 

 

Në një revistë fetare të Kryegjyshatës, Ali Turabiu në një nga gazelet e tij të famshme, pas vdekjes së Meleqit, shkruan:

 

 

Studiues, linguistë, të ndihmuar edhe nga mësuesit gjatë grumbullimit të pasurisë gojore në Tomorricë, kanë gjetur fragmente këngësh për Meleq Staraveckën, që këndoheshin në këtë zonë. Në njërën prej tyre thuhet:

 

Baba Meleq Shëmbërdhenji,

Prej teje buron qeremi,

Për shqipen që u përpoqe,

Për mundimet që hoqe…

 

Ndërsa në një këngë tjetër, nga tretja e kohës kanë mbetur vetëm këto katër vargje:

 

O baba Meleq Skrapari,

Hoqe shumë kasavet,

Atdhetar në djalëri,

Muhaxhir në pleqëri.