Gledis Nano, një libër për të burgosurit, procesi i rehabilitimit dhe riintegrimit të tyre 

Gledis Nano, një libër për të burgosurit, procesi i rehabilitimit dhe riintegrimit të tyre 

 

 

Një shoqëri e drejtë duhet t’u japë një shans të dytë njerëzve: edhe kur gabojnë rëndë, edhe kur bien në fatkeqësi

Autori

 

 

Këtë libër ia kushtoj babait tim, Agron Nano, oficer me një karrierë të suksesshme në Policinë e Shtetit Shqiptar. Për mua figura e tij mbetet sa atërore aq edhe profesionale, pasi nga të dy modelet kam arritur të ndërtoj vetveten.

Me përulësinë e birit, por edhe të nxënësit!

Gledis

 

 

 

 

 

Një punim me vlera unike për një kategori jerëzore që pret të rehabilitohet dhe të riintegrohet

 

Prof. Dr. Irakli Koçollari

 

Edukimi i shoqërisë njerëzore ka qenë dhe mbetet një proces historik i gjatë, i pandërprerë, i vështirë dhe mjaft kompleks. I shqetësuar përherë për të ardhmen e tij, njerëzimi e ka parë këtë veprimtari si një mision dhe nevojë për vetë ekzistencën e tij.

 

 

Për këtë qëllim, që prej mugëtirave të largëta shekullore, nga shoqëritë klanore primitive gjer në kohët moderne njerëzimi ka punuar për të ndërtuar institucione të edukimit të gjeneratave, ka hartuar platforma filozofike dhe religjioze, shkolla dhe vatra kurimi klinik dhe psikologjik, që do t’i shërbenin moralit, edukimit dhe progresit, ka formuluar ligje për të ndëshkuar, paralajmëruar apo edhe parandaluar përfshirjen e individit në krim etj.

 

 

Por, një shqetësim, po aq i pranishëm historik për njerëzimin ka qenë edhe vazhdon të mbetet edhe riedukimi i njerëzve të përfshirë në krim, i elementit delikuent, i grupeve apo individëve të dënuar, që vazhdojnë të vuajnë dënimin apo atyre që rikthehen në jetën shoqërore pas vuajtjes së dënimit, kontigjent ky që asnjëherë nuk ka munguar së qeni prezent në jetën e një shoqërie.

 

 

Kohët kanë treguar qartë se ky proces i thirrur i rehabilitimit, riintegrimit apo riedukimit mbetet shumë i vështirë, madje tejet i vështirë në raport me të parin. Pikërisht me këtë proces kompleks merret autori Gledis Nano në punimin e tij me mjaft interes, të titulluar “Procesi i rehabilitimit dhe riintegrimit të të burgosurve”, nismë që duhet përshëndetur.

 

 

Procesi i riintegrimit i të burgosurve në Shqipëri, edhe në aspektin studimor, pothuaj është “terra incognita”, apo në hapat e para të foshnjërisë së saj.

 

 

Nuk ka gjer më tani studime të thelluara, gjithëpërfshirëse apo kërkime hulumtuese për riintegrimin e të dënuarve në jetën e përditshmërisë normale. Duke qenë kështu, punimi i Gledis Nano ka kaluar në vështirësi jo të pakta për të na sjellë këtë material me vlera studimore dhe praktike, që për hir të së vërtetës paraqet mjaft interes për institucionet e drejtësisë, ato ligjzbatuese, institucionet e zbatimit të vendimeve penale, institucionet arsimore, e pse jo edhe për publikun e gjerë.

 

 

Autori me shumë vëmendje dhe kompetencë ka ndërtuar një strukturë e cila parashtron fillimisht nevojën e domosdoshme të rehabilitimit të këtij kontingjenti njerëzor, vlerëson teoritë dhe rekomandimet që ofron bota moderne për zgjidhjen e këtij problemi me rëndësi të madhe

 

 

sociale, duke shkuar më tej me “parimet dhe konceptet bazë për realizimin e procesit të riintegrimit”,  “aktivitetet brenda procesit penitenciar”, “trajtimi i të burgosurve dhe hartimi i planeve individuale”, “…zhvillimi i aftësive profesionale”, “edukimi dhe programet për mangësitë arsimore…”, “trajtimi mjekësor i të sëmurëve mendorë”, institucionet që duhet të përfshihen në këtë proces kompleks të rehabilitimit etj.

 

 

Për t’u përqasur edhe më tej me realitetet e vendit tonë dhe zgjidhjet e mundshme të problematikave, që pleksen rreth këtij subjekti, autori na ka sjellë një numër statistikash rreth institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale në vendin tonë, llojin e veprave penale të kryera në vite dhe autorët e kryerjes së tyre.

 

 

Bashkë me to autori na prezanton instrumentet që do t’i shërbenin këtij misioni të rëndësishëm. Mes të tjerave ai na ofron mjetet, mënyrat dhe rrugët për realizimin e këtij misioni, duke na bërë prezent instrumentet e punës rehabilituese, përmes:

 

Planeve individuale të rehabilitimit;

 

Bashkëpunimit ndër institucional për këtë qëllim;

 

Bashkëpunimit të institucioneve me familjet e dënuarve;

 

Bashkëpunimit me psikologë;

 

Bashkëpunimit me qendra të specializuara për terapi dhe programe të profilizuara riedukimi jashtë vendit;

 

Rekomandime periodike nga Këshilli i Evropës për çdo ndryshim ligjor në këto fusha;

 

Bashkëpunimit me Shërbimin e Provës;

 

Vëzhgimit të prirjeve dhe tendencave individuale gjatë vuajtjes së dënimit;

 

Përfshirjes në punë dhe aktivitete të ndryshme…kulturore, sportive;

 

Kualifikimit permanent të personelit të burgjeve, për mënyrën e komunikimit me të dënuar që vuajnë dënimet;

 

Mbajtjes së lidhjeve të të dënuarve me botën jasht izolimit… familjen dhe shoqërinë

 

Respektimit të të drejtave universale të individit, pavarësisht kushteve në të cilat ai ndodhet;

 

Përvetësimit të aftësive e të rejave që sjell evoluimi i botës përtej hekurave etj.

 

 

Me mjaft interes janë, gjithashtu, shkollat, studimet, teoritë, institucionet dhe teoricienë të ndryshëm perëndimorë që janë marrë me subjektin në fjalë. Ato janë një ballafaqim i realiteteve tona me teoritë e avancuara të qytetërimit perëndimor, janë një pasqyrë ballë të cilës është e nevojshme të reflektojmë dhe pranojmë më të mirën e mundshme për realizimin e këtij misioni human, për të cilin flet autori në punimin e tij.

 

Sigurisht, procesi i rehabilitimit të të dënuarve është një objeksion i vështirë për t’u arrirë, por edhe aq i rëndësishëm për të sotmen dhe të ardhmen e një kombi. Lufta dhe përpjekjet e vazhdueshme, të pandërprera, këmbëngulëse, mbështetur në praktikat më të mira vendase dhe ato ndërkombëtare do të ofrojë, siç shprehet autori, garanci për rezultate optimale në shoqërinë shqiptare.

Tiranë, 25 nëntor 2024

 

 

 

Skeda e librit:

 

Titulli: Procesi i rehabilitimit dhe riintegrimit të të burgosurve

 

Autor: Gledis Nano

 

Gjinia: Studim monografik

 

Recensent: Dr. Andi Hoxhaj, O.B.E.

 

Redaktor: Naim Zoto

 

Botues: “Naimi”

 

ISBN: 978-9928-818-14-0

 

www.botimenaimi.com

 

Viti i botimit: 2025

Nr. i faqeve: 274

Formati: A5

Çmimi: 1000 lekë