Gramsh /Liqeni i Zi, një mrekulli natyrore, por, fatkeqësisht, atraksioni turistik nga më primitivët në Shqipëri

Gramsh /Liqeni i Zi, një mrekulli natyrore, por, fatkeqësisht, atraksioni turistik nga më primitivët në Shqipëri

Në dalje të Gramshit, në krah të Lenies, në lartësinë 1700 metra mbi nivelin e detit gjendet Liqeni i Zi. Ky liqen është kthyer në një atraksion turistik spontan, rastsor, veç për bukuritë e tij dhe të  natyrës që e rrethon, por edhe për mrekullitë kuruese që pretendohet se ka uji i këtij liqeni.

 

 

Efekti i këtij uji kurues qëndron te elementët mineralë që ai përmban, por edhe te temperatura shumë e ulët e tij. Nuk ka një të dhënë zyrtare se sa arrin numri frekuentuesve ditorë, por sipas banorëve të fshatrave aty pranë, në verë vijnë më shumë se 200-250 veta në ditë të moshave të ndryshme deri  edhe fëmijë.

 

 

Siç shihet edhe nga fotoja, ata futen në ujë pa patur një këshillë mjekësore, pasi s’ka mjek dhe gjendja e burimit është siç e ka bërë natyra, primitive, pa një ndërhyrje për të shtuar kapacitetin apo edhe thjeshtë që njerëzit të hyjnë në të si njerëz.

 

 

Rruga për të arritur në destincion është një torturë e vërtetë dhe vetëm me makina 4 x4. Më e keqja është se, edhe pse ka një dyndje njerëzish, nuk është bërë asnjë investim infrastukturor, nuk ka një studim shkencor mjekësor për vlerat kurative të këtij uji, si dhe mënyra e trajtimit me të.

 

 

Liqeni i Zi i Lenies, edhe pse kanë kaluar 30 e ca vjet demokraci, edhe pse pretendohet për një zhvillim të vrullshëm turistik të Gramshit, përsëri ai ngeli i Zi dhe nuk nuk “u zbardh” asnjë herë.  (Orakujt e Tomorrit)