Guri i Prerë, mesi i Rrugës së Karvaneve Berat – Voskopojë, por edhe kufiri midis dy pashalleqëve, të Kurt Pashës dhe të Ali Pashë Tepelenës
Berati, qendër e rëndësishme, pikëtakimi i katër rrugëve
Nga shekulli i 19 deri në çerekun e parë të shekullit të 20, pas Janinës, Berati ishte qendër e rëndësishme ekonomike e Shqipërisë Jugore. Qyteti i Beratit ishte një nyjë e rëndësishme takimi e katër rrugëve kryesore, dy nga të cilat përmes skelave të Vlorës dhe të Durrësit lidheshin me botën tregtarë të përtej detit, kurse dy të tjerat, me pjesët e brendshme të Ballkanit.
Dy rrugët që e lidhnin me detin ishin: njëra që kalonte nëpër Qafën e Sqepurit, në Roskovec, Fier dhe Vlorë, ndërsa tjetra që kalonte mbi Seman, në Lushnjë, Kavajë e Durrës.
Dy rrugët e brendshme ishin: ajo që kalonte në Gllavë, Këlcyrë, Përmet, Janinë dhe ajo që lidhte Beratin me Korçën duke vazhduar nga Kuçova, Elbasani, Qafë-Thana, Ohri ose rruga malore që kalonte nëpër Skrapar dhe Korçë.
Por Berati lidhej me detin edhe me anë të lumenjve Seman dhe Vjosë, ku deri vonë lundronin anije të një aftësie të vogël bartëse, deri 130 tonë.
Pazari i Beratit me formën e tij të zgjatur, qe vendosur në mes rrugës kryesore të qytetit dhe lumit të Osumit, i cili e ndante këtë qendër në dy pjesë të ndryshme. Duke përjashtuar tregun e vogël të ndodhur lart në pjesën e banuar të kështjellës, pazari i Beratit gjatë viteve ‘30 kishte 520 dyqane dhe punishte të zejeve ngë më të ndryshmet.
Udha e Karvaneve Berat – Voskopojë, mesi i saj, Guri i Prerë
Nga Vlora karvanet shkonin nëpër Babicë, kapërcehej Shushica, në Picar, në Armen, kalohej Vjosa në Murtajas, në Selishtë, Hekal, Ballsh, Aranitas, kapërcehej Gjanica, qafa e Sinjës, në Bolinjan, në Velebisht e pastaj në Berat.
Prej Berati ndiqej ana e djathtë e Osumit, arrihej në Vodicë, ngjitej në pllajën veriperëndimore të Tomorit, dilej pastaj në Qafa e Dardhës, zbritej për në Trovë (Tomoricë), në Ostin, në Romas, kapërcehej lumi i Tomoricës, dhe hidhej në Dobrenj.
Vromi Qafëdardhë
Prej këtu ngjitej pastaj në Guri i Prerë që ishte një pikë shumë e njohur dhe me plot ngjarje sidomos për voskopojarët e vjetër (Këtu ishte dikur kufiri midis zonës së Beratit dhe asaj të Voskopojë – Korçës, këtu ishte për një farë kohe edhe kufiri midis pronave të Ali pashë Tepelenës dhe Kurt pashë Beratit).
Guri i Prerë
Nga Guri i Prerë shkohej pastaj në Dushar, në Protopapë dhe dilej më pas në Voskopojë.
Nga Voskopoja rruga shkonte pastaj sipas përroit të Gjonomadhit, në Voskop dhe arrinte përfundimisht në Korçë.
Qafa e Gjarpërit
Mallrat që eksportoheshin ishin: lesh në sasira të mëdha, stofra të trasha, mbulesa të trasha leshi, punime prej lesh dhie, velenxa, fije, lëkurë, lëvozhgë valanidhi, dyllë, safran, duhan etj. Një material burimor francez thotë se, në vitet 1300 – 1400 nga zona e Korçës për në Vlorë eksportohej dhe mëndafsh.
Voskopoja
Mallra që importoheshin ishin: pëlhura dhe stofra venetikase, sheqer, kafe, sende hekuri, xhame, prodhime majolike, letër për shkrim, libra, pëlhura mëndafshi të qëndisura me ar, kadife, pambuk, tel hekuri, plumb, bakër i parapunuar etj.
(Ilia Ballauri, Korça-Enciklopedica, nr 2. f 36-37)