
Hajri Nuhu: Koha e “pionierëve” të Televizionit
– Intervistë me ish- drejtorin e Televizionit Shqiptar, Virgjil Kule –
-Ju jeni një nga ikonat dhe veteranët e Televizionit Shqiptar, bashkëkohës me një mikun tonë skraparlli, edhe ai punonjës (telekronist) i këtij televizioni.
Si e keni njohur dhe vlerësuar ju punën e Zylyftar Hoxhës?
Ishte koha kur punohej me “Bolex”, i cili ishte një aparat xhirimi që punonte me kurdisje, objektivët rrotulloheshin si mulli, punohej me negativë, filmat vinin nga larg, laheshin në laborator, dhe ai që kishte punuar priste me ankth për të parë si ka dalë figura, si ka dalë gjithçka ku ai kishte derdhur pasionin e tij.
Ishte koha e pionierëve të televizionit dhe Zylyftari ishte nga këta pionierë, nga njerëzit e parë që u afruan me televizionin, por jo nga qendra, nga një rreth mjaft i largët siç ishte Skrapari atëherë.
-Ju e keni njohur?
Si jo? Unë në atë kohë sa kisha filluar punë, isha redaktor në redaksinë e informacionit dhe herë pas here dëgjohej emri i Zylyftarit më shumë sesa fytyra e tij, sepse kronikat televizive dërgoheshin me autobusin e linjës. Më vonë, kur unë u bëra përgjegjës i Redaksisë së Informacionit, mora vesh se ai ishte telekronist vullnetar, një person që krahas aftësive si gazetar e publicist në rrethin e tij, kishte dëshirën e madhe për t’iu qasur kamerës, për të hyrë në një zhanër të ri, në një gjini të re gazetareske, siç ishte gjinia e kronistit televiziv.
-Kush ia kishte dhënë mjetet e punës, aparatet, filmat?
Me sa di, aparatin e filmit ia kishte dhënë Sulo Gradeci, shoqëruesi dhe fotografi i Enver Hoxhës, i cili pasi e kishte nxjerrë nga inventari i Komitetit Qendror, ia kishte kaluar rrethit të Skraparit, për të pasqyruar sa më shumë dhe sa më mirë veprimtarinë social – ekonomike, kulturore dhe historike të këtij rrethi. Me filma e furnizonim ne.
-E veçanta e punës së tij?…
Shumë shpejt Skrapari megjithëse një rreth i vogël, në saj të punës këmbëngulëse të Zylyftarit filloi të zinte vend në kronikat televizive më shumë se ndonjë rreth më i madh ku kishim telekronist me pagesë e jo vullnetarë. Në një farë mënyre, skraparllinjtë ia kanë “borxh” Zylyftarit, sepse ka pasqyruar dhe reklamuar në mënyrën më të mirë rrethin e Skraparit, duke e bërë atë të njohur në të gjithë Shqipërinë.
-Çfarë do të thoni tjetër për mikun tuaj të vjetër?
Kur njeriu e ka diçka me pasion, kur është i frymëzuar e dashuron profesionin e tij, aq më tepër atë të telekronistit televiziv, atëherë edhe fryti i punës së tij është i tillë që spikat. Zylyftari ishte nga ata njerëz që spikati me punën e tij.
Unë ruaj kujtimet më të mira për këtë gazetar e publicist, gjë që e tregoi edhe më pas, kur u shkëput nga televizioni, por edhe kur vazhdoi edhe sot e kësaj dite me veprimtarinë e tij mjaft produktive si gazetar shumë i suksesshëm. Historia e Zylyftarit në fushën e gazetarisë është histori suksesi.
-Faleminderit për intervistën!