Hajri  Xhamëni, “Robert  Radoja  i Çorovodës”

Hajri  Xhamëni, “Robert  Radoja  i Çorovodës”

Tomorr Shasho

 

Gjatë bisedave të zhvilluara në emisionet televizive, artistët brilantë të muzikës, Zana  Çela, motrat Libëhova Irma dhe Eranda, Emma  Qazimi pyetjes “Si e keni filluar aktivitetin muzikor”? Përgjigjja ka qenë e menjëhershme: “Në  Pallatin e Pionierëve Tiranë me mjeshtrin e madh  Robert Radoja”.

 

 

Pastaj ato flasin me pasion e dashuri ndaj  profesorit dhe nuk ndalojnë duke  shprehur respektin ndaj tij, në qoftëse s’ndërhyn drejtuesja e emisonit me një pyetje tjetër.

 

 

I ndiqja me vemëndje bisedat e tyre dhe ndërmend më vinte Hajri Xhamëni,ky “Robert Radoja i  Çorovodës”, me  duar mbi tastierën e pianos, fytyra e shoqëruar me atë buzëqeshjen e ëmbël të drejtuar nga pionierët këngëtarë dhe kompleksin e pioniereve.

 

 

I ëmbël, ashtu si e përshkruanin artistet Robert Radojën, ashtu do të flisnin edhe  Aurora  Hajdini, Ermira Idërshaj  për muzikantin Hajri Xhamni,ndaj dhe po e quaj dhe po e krahasoj me emrin e mjeshtrit të madh, sepse puna e përkushtimi i tij nuk ndryshon shumë nga ajo e Profesorit të Tiranës.

 

 

Hajriu kishte studiuar për mësuesi në degën e  gjuhë – letërsisë,por pasioni për muzikën e ngacmonte në  çdo moment. Pas mësimit e përgatitjes për mësimin e së  nesërmes, do ta shikoje në vatrën e kulturës të  fshatit Zabërzan duke  mësuar  audodidakt fizarmonikën.

 

Njohuritë për notat muzikore s’i mungonin, sepse i kishte  mësuar në shkollën e mesme. Me  dashurinë për muzikën e punën këmbëngulese arriti të bëhet një muzikant i përsosur, kompozitor dhe mjeshtër  në orkestrimin e  këngëve.

 

 

Në ato vite, kur kam bashkëpunuar me Hajriun, 1971-1975, në qytetin tonë s’kishte Shtëpi  Pionieri. E tillë ishte ” kthyer” Shtëpia e Kulturës.  Çdo mbasdite  pionieret, Ermira Idërshaj,  Aurora Hajdini, Liri Hysenllari, Roberta  Vaso, Teuta Greva, Renata Zaimi (ndjesë për të tjera,  që nuk më kujtohen) do t’i priste tek dera Hajriu (Likja) siç i thërrisnim ne.

 

 

E Shtëpia e Kulturës do të gumëzhinte nga zërat e pioniereve, të cilat i përgatiste për këngëtare Hajri Xhamëni.

 

Jo vetëm puna e palodhur  me pionerët, por një mbrekulli ishte dhe  kompleksi i mësuseve të shkollës “Kahreman Ylli” me Donika Pëllumbin, Lumturi Fushën, Valentina Kotobellin dhe tri mësuese vlonjate nën drejtimin e të palodhurit Hajri Xhamenit. Edhe pse me detyrën e drejtorit të Shtëpisë së Kulturës, fizarmonikën dhe drejtimin e bandës së qytetit  nuk e shkëputi.

 

 

Janë shumë këngë të kompozuara nga  i talentuari Hajri Xhamëni, të cilat janë kënduar edhe në festivalet e  pionierëve në Shkodër duke zënë  vende nderi, por ajo që përloti një sallë, që spektatorët “harruan” të uleshin dhe të pushonin duartrokitjet, do të mbetet  kompozimi i këngës kushtuar borizanit të “Tendës së Qypit”, Haki Kapaj, e kompozuar nga Hajriu, me tekst të regjizorit Edmond  Agolli, kënduar nga kompleksi i pionierëve në prani të vet  borizanit  Haki Kapaj, lotët e të cilit shoqëronin atë melodi aq emocionale.