Hanet e Pazarit të Korçës, po ku bujtnin më tepër skraparllinjtë?

Hanet e Pazarit të Korçës, po ku bujtnin më tepër skraparllinjtë?

Sipas “Rrëfime nga Korça”, Korça ka patur 16 hane, sot ekzistojnë 5 ose 6 të tillë.

 

Dikur kanë qenë : 1. Hani i Shuleve, 2. Hotel “Misiri”, 3. Hani i Kafesë, 4. Hani i Zallit ose i Devollinjve, 5. Hani i Elbasanit, 6. Hani i Manastirit, 7. Hani i trebickallinjve, 8. Hani i Voskopojarëve, 9. Hani i Gjelit, 10. Hani i Vithkuqarëve, 11. Hani i Baba Aliut, 12. Hani i Kiços, 13. Hani i Kadillijve, 14 Hani i Peshkut, 15. Hani me dy porta, ose hani i avokatit Belul Lytfiut, ose hotel “Durrësi”. 16. Hani i Alo beut (Dishnices). 17. Hani i Orhan Pojanit. 18. Hani i Zeqirajve etj.

 

Numri i madh i haneve dëshmon për lëvizje dhe klientelë të shumtë në Pazarin e Korçës. Një pjesë e tyre njihej jo sipas emrit të pronarit, por nga frekuentuesit e tij. Kështu psh. Ato quheshin: Hani i Elbasanit, Hani i Manastirit, Hani i Shuleve, Hani i Trebickallinjve, Hani i Vithkuqarëve, Hani i Devollit etj. Këto emërtime shprehin, deri në farë mase, edhe drejtimet e lëvizjes së klientelës, mbasi vihej re një farë parapëlqimi në qëndrimin sipas prejardhjes së saj.

 

Vendosja e haneve në Pazar ka ndjekur një rregull të caktuar. Zakonisht ato ngriheshin në afërsi të shesheve kryesore të tregtimit, si dhe buzë rrugëve kryesore që të çonin në Pazar. Kështu rreth Pazarit të Madh, në qendër, ndodhet numri më i madh i haneve. Të ndërtuar njëri pas tjetrit ato formojnë një unazë gjysmërrethore rreth pjesës qendrore. Hane të tjera ngrihen pranë Pazarit të Vogël: Hani i Zallit ose i Devollit, Hani i Shuleve; gjatë rrugëve kryesore ngrihej Hani i Kafesë, ndërsa në rrugën e Voskopojës ndodheshin Hani i Baba Aliut, Hani i Voskopojarëve dhe Hani i Vithkuqarëve.

 

Cilët hane frekuentonin pazarakët skraparllinj?

 

Nësë do të ishim 40-50 vjet më parë, do t’ua thoshim me saktësi dhe imtësi, pasi do të na tregonin vetë ata që ishin ngrysur dhe gdhirë në këto hane, por tani do të bazohemi te të thënat, kujtesa dhe imagjinata se me cilët nga këto hane ata e kishin më të leht të lidheshin.

Shpresojmë të jemi afër të së vërtetës kur themi se ata frekuntonin këto hane:

 

Hani i Trebickallinjve (si fqinjë, miqësi dhe etnokulturë),  Hani i Vithkuqarëve (miqësi e ortakëri, pasi në Vithkuq kalonin natën e parë të pazarit), Hani i Baba Aliut (lidhje shpirtërore  Bektashiane, tarikat që në Skrapar ishte unik).

 

Ndërsa në Berat, hani ku bujtnin Skraparllinjtë dhe hani më i madh në Berat ishte Hani i Harif Qafës, me origjinë nga Qafa e Skraparit.

 

Faleminderit “Rrefime nga Korça”, që na i solle këtë aspek historik në kujtesë!…