
Hektor Bejko, inxhinieri i punëve të mëdha
Hajri Nuhu
Nuk e dija që kishte ditëlindjen! Herë pas here me Hektorin e pijmë një kafe “tomorricare” në Porto-Romano të Durrësit.
Hektori nuk është i ri. Nga mosha,se nga energjitë është djalosh. Eshtë inxhinieri që ndjek ndërtimin e kalatave në Portin e Ri të Durrësit. Një punë e madhe, e vështirë. Duhet garanci absolute, kërkohet cilësi e lartë.
Dhe Hektori është seriozi, i afti, profesionisti. Doemos i kërkuar se është profesionist nga më të mirët e fushës. Ai ka ndërtuar ujësjellësin Bogovë-Berat, Kërpicë-Gramsh, ujësjellësin e Çermës për qytetin e Lushnjes. Këto vetëm disa nga veprat. Atëherë ishte djalë. Po Hektori edhe tani është në punë dhe në punë të mëdha.
Shkon ku e thërrasin. Pak muaj më parë në instalimin e filtrave në uzinën e Ferrokromit në Elbasan. Ishte edhe në minierën e Bulqizës. Dhe ai nuk ndalet. Në mëngjes niset nga Elbasani ku jeton dhe vjen tek vendi i punës. Dhe në mëngjes më dërgon nga vendi I punës këto foto.
Nga fb “zbulova” se kishte ditëlindjen. Ditëlindja e 75-të. Dhe në vend të shkonte diku të festonte, ai përsëri është aty…tek kalatat.
***
Hektori është nga Grëmshi i Tomorricë. “Grëmshi im është origjina e frashërllinjëve të mëdhenj, vendlindja e Arkitekt Kasëmit të famshëm, fshati i spahinjve e bejlerëve me famë e pasuri…Rebelë ndaj Portës së Lartë ata luftuan. Hynë dhe bënë histori.
Tani, fshatit të dëgjuar nëpër shekuj, i mbeti vetëm emri dhe lavdia. Më dhimbset. Nuk ka më gjurmë “fshati” atje” – thotë ai me dhimbje.
Eshtë larguar nga fshati në vitin 1960 dhe familja e tij u vendos në Mbrostar të Fierit. Duke treguar për jetën etij ai thotë: “Mësova dhe pas shkollës 7-vjeçare vazhdova gjimnazin “Janaq Kilica”. Ndër më të mirët në vend. Për “pengesa të kohës” edhe pse me rezultate shumë të mira, nuk vazhdoi universitetin. Shkoi ushtar në Artilerinë Bregdetare. U kthye nga ushtria rifilloi shkollën. Prapë një të mesme. Për të marrë një zanat. Këtë kërkonte edhe babai “se zanati nuk të lë pa bukë”.
Plot katër vjet përfundova për teknik, dega elektrike dhe fillova punë në Azotikun e Fierit. “Në fakt për mua jeta filloi atje, në atë qendër të madhe punëtorësh. Atje mora kulturën e punës,u mësova me disiplinën e saj. Atij kolektivi i kam borxh shumë “.
Që nga viti 1976 nisi një tjetër udhëtim. Iu përgjigj thirrjes dhe shkoi në Elbasan. “Kam 46 vjet banor i Elbasanit, por elbasanlli nuk u bëra dot. Mbeta skraparlli, më saktë tomorricar.
Endërr kisha universitetin, dhe në vitet 1984-1988 përfundova studimet në inxhinieri mekanike, profili industri. Nga viti 2006 e këtej jam me punë në Durrës, por më vjen keq që edhe “durrsak nuk bëhëm dot”. Thërret gjaku…Më pëlqejnë këngët e trevës, dolli e padyshim edhe ndonjë gotë”. Dëgjon Demir Zykon e këngëtarët e tjerë.
Ndërmarrja e Ndërtim-Montimit në Elbasan e Kombinatit Metalurgjik ishte më e madhja në vend. Aty filloi edhe udhëtimi im “i vërtetë”, se përveç kombinatit i erdhi radha Kuçovës, Lushnjes, Beratit, Ballshit…
Kudo, po në punë të vështira. Kanë qënë sfida të vërteta. “Isha pjesë e grupit të projektimit të ujesjellësit Bogovë -Berat. Po në fund të projektit e caktuan përgjegjës sektori në ndërtimin e tij. Kujton vitet e vështira, por edhe arritjen e objektivit. Ishin 37 km ujësjellës në një terren që ishte në ⅔ mjaft i vështirë . Nuk ishte si sot. Ku kishte mjete atëherë?… Bëhej puna me krahë. Kishte zgjidhje teknike rrugës që binin ndesh me projektin. Do t’i bëje , por edhe rrezikoje . Ishte koha e punës, por edhe e një varfërie që thellohej…”
Nuk harron të përmendë emra që për të mbeten të nderuar. Abdyl Pilafi, një njëri me horizont. Më ka pritur e ndihmuar shumë. Një tjetër, Ismail Ahmeti. Shkencëtar në fushën e tij. Një ministër i vërtetë, në ide, në komunikim, shumë njerëzor.
Kishte afat vepra. Kisha dhënë fjalën dhe rrija në kantiere ditë -natë. Nuk ishte si sot që veprat ndërtohen me praktikën “hiq e mos këput”. Kishte fjalë atëherë , kishte objektiva. Për atë punë mban edhe një dekoratë nga Kuvendi Popullor.
“ Zbatimi është i vështirë. Kam qënë inxhinieri zbatimit në ujësjellësin Kërpicë-Gramsh. Nuk e beson kush, por flinim kantiereve. Udhëtonim me tren. Nuk kishte makina atëherë. Njëherë në javë shikoja fëmijët. Kështu edhe montatorët e punëtorët e tjerë. Më keq ishte kur në dimer hipnim në makinat e punës dhe udhëtonim me orë për tek fronti i punës. Nuk u ndava nga puna me ujësjellësat.
Ndërtuam ujësjellësin e Lushnjës,një ujësjellës me puse nga çerma. Po në Lushnjë ndërtuam fabrikën e tullave. Por edhe në pune të tjera, në vepra si ndërtimin e shtesës së Filaturës në Kombinatin e Tekstileve në Berat,në fabrikën për prodhimin e detergjentëve në Kuçovë, në uzinën e Ferrokromit në Elbasan. Kudo kam punuar…” – rrëfen Hektori.
Në fakt Hektori i përket asaj gjenerate idealistësh që nuk kursyen asgjë që vendi të bëhej. Ujësjellsat janë, po mendo të ishte Azotiku – thotë ai. çfarë vepre?! Sot fermerët e “paguajnë sa frëngu pulën plehun kimik”. Ta kishim, do të eksportonim.
Vitet ‘90 e gjetën në Elbasan. Në krye të punëve sigurisht. Krenar për çfarë kishte ndërtuar nëpër Shqipëri. Në vitet 1992-1994 është anëtar i këshillit drejtues dhe inxhinier zbatimi i Ndërmarrjes së Ndërtim -Montimit në Elbasan.
“Po ecnim në rrugë e shtigje të reja. Për dy vjet (1994-1996) isha drejtues teknik i ndërmarrjes që tashmë ishte private. Në emërtim ishte Ndërtim Montim e Re. Filloi konkurrenca. Nuk kisha frikë, se kisha gjithë atë përvojë nga vitet. Në vitet ‘96-97 ngrita ndërmarrjen private “STEOLB” në Elbasan.
U shkëputa për disa vjet në detyra “zyre” si përgjegjës i Zyrës së Zhvillimit e Investimeve në Prefekturën e Qarkut Elbasan. Ndërmarrjen private e drejtoi bashkëshortja, Fiqëretja që ka mbaruar teknikumin …
Por Hektori “është prerë” për të qënë në front, pra në zbatimin e projekteve. Që nga viti 2006 e deri 2013 përsëri drejtues i “STEOLB” shpk Elbasan. Punë të shumta në ndërtime ujësjellësash, rikontruksione shkollash, ndërtime pusesh e stacione pompimi…
Duket se Elbasanin si qark e njeh si askush. Më shumë pjesën e Grëmshit si rreth. Kam punuar në atë pjesë,po edhe kur isha “zyrtar” shkoja me dëshirë andej. Më dukej sikur shkoja në fshatin tim edhe kur shkoja deri në Skënderbegas”. Sa për njerëzit, ata jane si ne, me të njëjtat zakone e tradita, por edhe i njëjti karakter.
Dhe nga ajo kohë, për 10 vjet “STEOLB.H” shpk ka tjetër gjeografi punësh. Eshtë zhvendosur në Durrës. Punoi në ndërtimin e Qendrës së Gazit të Lëngshëm me investitor “INTER GAZ” sh.a Përsëri në zbatim në një pune të madhe e të vështirë.
Tani ndjek ndërtimin e kalatave në Portin e Ri të Durrësit. Një punë e madhe, e vështirë. Duhet garanci absolute, kërkohet cilësi e lartë. Dhe puna ka gjetur njeriun e duhur.