Hektor Bregasi, mik i hershëm, i çmuar i skraparllinjve
Hektor Bregasi ka lindur në Korçë në vitin 1940. Pasi mbaroi shkollën e mesme pedagogjike, në vitin 1957 ai emërohet mësues në shkollën 7-vjeçare në Gjerbës të Skraparit. Ai dha mësim në këtë shkollë dy vjet rresht, në periudhën 1957-59. Ai ka punuar edhe tre vjet në Çorovodë dhe disa muaj në fshatrat Backë, Vëndreshë dhe Vërzhezhë.
Hektor Bregasi e quan fat ardhjen e në 1962 në Çorovodë të ministrit të Arsimit, Thoma Deliana, i cili u skandalizua kur mësoi se aty kishte mësues nga rrethe të tjera që kishin edhe 8 vjet dhe nuk ishin transferuar akoma. Nga ky rast Hektori, që kishte kishte tre vjet aty, jo vetëm përfitoi transferimin, por edhe njohjen dhe miqësinë me ministrin, të cilit i kërkoi të drejtë studimi për Dramë. Ministri ia miratoi kërkesën.
Edhe pse fitoi në konkurrim, për arsye të biografisë, e cila nuk lejonte që një i deklasuar të dilte në skenë, e transferojnë në Institutin për Gjuhë-Letërsi. Pas mbarimit të shkollës së lartë e çojnë në Dushk të Lushnjes.
Me fillimet e proceseve demokratike, mbas vitit 1991 e emërojnë shef Arsimi në Tiranë dhe së fundi në Drejtorinë e Doganave.
Tashmë, pas daljes në pension, si qytetar amerikan, ndan jetën mes Shqipërisë dhe SHBA –ve.
Hektor Bregasi dhe Blendi Fevziu
Ndërsa flet për Hektor Bregasin, një njeri fisnik nga raca, një personalitet dhe intelektual i njohur, një njeri me integritet të lartë moral dhe profesional, një burrë shumë i mirë e me kulturë, me pak bëma, por cilësore, të larta dhe të ndershme, do të dalë përpara edhe një lidhje që pak njerëz e dinë, që ai është i ati biologjik i analistit dhe gazetarit me emër në opinionin publik shqiptar, Blendi Fevziut!…
Blendi është fëmijë i birësuar? Madje, as mbiemri i tij i parë nuk ka qenë Fevziu, por Bregasi. Ai ka lindur në fshatin Çermë të Lushnjës nga prindërit biologjikë Hektor dhe Rezane Bregasi.
Ka qenë Ali Fevziu ai që e ka birësuar Blendin në një moshë të brishtë. Në vitin 1983, kur Fevziu mbushi 14 vjeç, me vendim të Gjykatës së Tiranës, e ndryshoi mbiemrin nga “Bregasi” në “Fevziu” për shkak se ishte birësuar pranë familjes së Ali Fevziut.
Ali Fevziu, sipas vendimeve të gjykatës, ishte djali i Niagjar Toptanit, vajzës së Refik Bej Toptanit, dhe kjo shpjegon edhe lidhjen e Fevziut me Toptanajt, familjen e vjetër tiranase dhe pronat e tyre.
Vitet e Hektor Bregasit në Skrapar (1957-1962)*
Nesim Alushani
Hektori është mik me vëllezërit e mi dhe ndodh që takohemi shpesh. Në bisedat që bëjmë ai tregon me kënaqësi përvojën e tij në Skrapar dhe veçanërisht në fshatin Gjerbës.
Pavarësisht vështirësive që ka kaluar në ato vite, në bisedat krejt të lira që zhvillojmë së bashku, ky njeri i mirë dhe kulturë, që pas vitit 1990 ka jetuar shumë vite në SHBA, jo vetëm që nuk ankohet, por, përkundrazi, flet me kënaqësi për atë përvojë që fitoi në vitet e rinisë të cilat i vlejtën për të ardhmen. Hektori tregon:
“Kur vajta në Çorovodë më kishin emëruar në një fshat të vogël, në Faqekuq, ku kishte shumë pak nxënës si pasojë aty nuk do të kisha asnjë koleg. Në këto kushte kërkova të më emëronin në një fshat të madh, ku të kisha shokë sepse isha i ri. Kërkesa ime u pranua dhe më emëruan në Gjerbës.
U nisëm në këmbë, bashkë me një kolegun tim, sepse në atë kohë rrugët lidhëse të Çorovodës me fshatrat ishin vetëm këmbësore. Duke ecur, pranë fshatit Radësh, kaluam pranë një tufe dhensh. Ne u trembëm nga qentë dhe ndaluam. Çobani që ishte një mesoburrë na përshëndeti dhe ne u prezantuam. Ai porsa dëgjoi se ne ishim mësues u ul me ne dhe biseduam një copë herë. Nuk më harrohet ai takim edhe sot e kësaj dite me atë njeri. Na pyeti nëse e dinim përmendësh ‘Hadikën’ (Qerbelanë) e Naim Frashërit.
Ne u zumë ngushtë, atëherë ai filloi të recitojë rrjedhshëm, për disa minuta, vargjet e asaj poeme, ndërsa ne mbetëm të befasuar sepse nuk na shkonte ndër mend që një bari dhensh të na gozhdonte në atë mënyrë. Ne pasi e përshëndetëm me respekt vazhduam rrugën e largët për në Gjerbës, por nuk na dilte nga mendja ai bari, që as emrin nuk ja mësuam dot, i cili na dha leksionin e parë në Skrapar”.
Më tej Hektori vazhdon të tregojë disa përshtypje dhe kujtime nga Gjerbësi i atyre viteve.
“Gjerbësllinjtë ishin njerëz mikpritës e bujarë dhe na respektonin. Në biseda na tregonin shpesh ngjarje nga Lufta e Dytë Botërore. Na tregonin për Kareman Yllin, Mestan Ujanikun, Gjin Markun, Mehmet Shehun, Hetem Kapinoven etj. Nuk ishin popull indiferent, pasi interesoheshin për fatet e vendit.
Ata, megjithëse ishin të varfër dhe kishin problemet e përballimit të jetesës, nëpër biseda shfaqnin botëkuptimin e tyre atdhedashës. Bisedat e tyre nuk binin në nivele të ulëta. Nga ana tjetër ata ishin arsimdashës, pasi kishte dhe burra, dyzetvjeçarë që, pas punës, vazhdonin shkollën, aq sa shpesh ne ziheshim ngushtë për shkak të moshës së tyre, por ata nuk mërziteshin sepse ishin të thjeshtë, miqësorë dhe na respektonin.
Interesoheshin shumë për fëmijët e tyre, pasi kërkonin që ata të mësonin dhe të arsimoheshin më tej. Por veçanërisht dëshironin që fëmijët t’i dërgonin në shkollën ushtarake “Skënderbej”. Më kujtohet një takim i fshatarëve të Gjerbësit me Neshat Hysin, i cili në atë kohë ishte deputet. Takimi u bë në shkollë. Një fshatar u ngrit dhe u ankua për një mësues.
Neshati e pyeti: – Ai i rreh ndonjëherë fëmijët ti? – Po! – u përgjigj fshatari. Atëherë Neshati iu kundërpërgjigj duke i thënë: – Po këta që kanë 30 apo 40 fëmijë? Po kështu, ju duhet të kini parasysh se këta janë djem të rinj që kanë ardhur nga larg për të mësuar fëmijët tuaj.
Pas takimit, Neshati me dashamirësi, na porositi veças që të kishim kujdes në komunikimin me fëmijët. Disa fshatarë kërkuan ndihmë nga Neshati për arsimimin e mëtejshëm të fëmijëve. Në këtë rast Neshati u përgjigj:
“Fëmijët tuaj e kanë vetë në dorë këtë gjë, pasi duhet të mësojnë shumë mirë, ashtu si djali i fshatit tuaj, Ajliu”, i cili në atë kohë vazhdonte shkollën në Tiranë. Atëherë dëgjova për herë të parë për Ajliun.
Më kujtohet edhe Çaush Carkanji, i cili ishte një nxënës shumë i mirë. Në kohën e provimeve nxënësit na sillnin secili nga një gavetë me kos. Ne nuk i pranonim, por ata i linin aty si dhuratë në shenjë mirënjohje sepse e kishin bërë rregull këtë gjë. Kryetar lokaliteti në Gjebës, në ato vite ishte Taip Metani.
Më kujtohen Durre Alushani, pasi ai bisedonte shpesh me ne, Kareman e Shefqet Alushani, Gjolek Lajthia etj. Kolegë kisha Yzedin Shamon dhe Piro Kotoko nga Berati, Fatmir Kopli nga Elbasani si dhe Rrahman Celibashi nga Skrapari”.
Hektori vlerëson mikpritjen e popullit të Skraparit dhe për këtë tregon përvojën e tij. Ai thotë:
“Kur udhëtonim nga Skrapari për në Korçë na zinte nata në rrugë. Brenda territorit të Tomoricës apo Skraparit, në çdo derë që trokisnim na ftonin menjëherë brenda, ndërsa sapo kalonim në territorin e Korçës na thoshin të paraqiteshim te kryeplaku i fshatit”.
Duke iu rikthyer bariut nga Radëshi, një njeri i thjeshtë, Hektori shton: “Efektin e madh, atdhedashës, që bëri në popull krijimtaria letrare e poetit tonë të madh, Naim Frashëri i cili, nga ana tjetër, nëpërmjet besimit bektashian edukoi, në vetëdijen e popullit, ndërgjegjen kombëtare”.
Shumë bektashinj kanë qenë patriot të mëdhenj vazhdon Hektori, dhe përmend Bajo Topullin në një dëshmi të nënës së tij. Ajo tregonte: “Babai ishte mik me Bajo Topullin që ishte bektashi. Ai vinte shpesh në shtëpinë tonë. Babai na kërkonte të recitonim dhe këndonim këngë kombiaçe (patriotike), ndërsa Bajos duke dëgjuar i rridhnin lot”.
Bëhet fjalë për vitet 1920 – thotë Hektori. Në Skrapar, Hektori punoi në Skrapar deri në vitin 1962, ndërsa më pas vazhdoi studimet e larta në Tiranë.
*)Kujtime të Hektor Bregasit të nxjerra nga libri në botim “Gjerbësi – histori”, i autorit Nesim Alushani