Hekuran Zhiti, shenjti i fjalës së bukur dhe i një heshtjeje të gjatë me të cilën foli shumë

Hekuran Zhiti, shenjti i fjalës së bukur dhe i një heshtjeje të gjatë me të cilën foli shumë

 

 

Hekuran Zhiti, një nga pinjojtë më në zë të derës së njohur të Zhitërve të Mëlovës, luftëtar dhe aktivist i palodhur në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, artist dhe krijues kualitativ si poet, dramaturg dhe aktor shqiptar që bëri emër në estradën profesioniste të Lushnjes në vitet 1960-1970.

 

 

Por, edhe pse i tillë, fatkeqësisht, për shkaqe politike ka qenë dhe akoma është i panjohur deri tani nga një pjesë e mirë e publikut të gjerë, sidomos në vendlindjen e tij, në Skrapar.

 

 

Hekuran Zhiti lindi në Mëlovë të Skraparit më 13 prill të vitit 1911 në një familje patriotike dhe arsimdashëse. Nëse Luftën e Parë Botërore e pa si një fëmijë, shtegtar në koshin e një kali të zi, që i iknin rrezikut, eksod brenda maleve të vendit, Luftën II e përjetoi si veprimtar nacionalist dhe me ndërgjegje të trazuar poeti.

 

 

Kishte kryer shkollën Normale të Elbasanit, spikati atje si talent i skenës dhe fjalës së shkruar, kishte shkuar mësues fshatrave të Jugut, por pasioni i tij ishin dhe mbetën teatri dhe poezia.

 

 

Pas mbretërisë, iu kundërvu pushtimit fashist të vendit, i radhitur me forcat përparimtare të rinisë dhe inteligjencës shqiptare, u aktivizua si kundërshtar, ndërsa gjatë viteve të socializmit pësoi përndjekje të njëpasnjëshme bashkë me familjen: pushime nga puna, burgje, deri edhe pushkatime, dëbohet nga Berati si i persekutuar, ku ishte bërë shumë i njohur si artist, gjen strehë fshehurazi në Durrës, anonim, punëtor krahu, shtron rrugë dhe ndërton shkallë dhe, më së fundi, me kujdesin e Kahreman Yllit riemërohet arsimtar fshatrave të Lushnjës.

 

 

Në vitin 1960, për shkak të talentit dhe nevojave të kohës, është jo vetëm një nga themeluesit e teatrit të estradës atje, por dhe aktori i saj kryesor.

 

 

Burgosja e të birit, Visarit atë e pezmatoi shumë, por nuk e përuli. Për të gjithnjë jeta ka qenë e ashpër. Ai siç kishte emrin, ishte një hekur, por një hekur i kalitur në kudhrën e një kohe të vështirë, që s’mundte të ishte më e mirë edhe për Visarin.

 

 

Ndërkaq ka shkruar shumë komedi e drama, i interpretonte dhe vetë, qindra skeçe e poezi, por nuk mundi t’i botonte, sepse e pengonte biografia politike, veçse ndonjë gjëje të vogël dhe të pakët nëpër gazeta lokale e periodike teatrore.

 

 

Në krijimet e tij shquhen patosi dhe natyrshmëria, gjallëria e jetës, temat e veçanta dhe origjinaliteti, theksuan folësit. Duke shtuar se ai është dramatik dhe  elegjiak,  i kërkon vetes si poet dhe patriotin, dhe moralin, ndërsa duket se do të donte të qeshte më shumë, i pëlqente himni i gëzimeve dhe i punës, ndërkaq mbetën të mrekullueshme satirat e tij, i dashur me gjithçka, dhe me ato që s’do të mundeshim, duke e çmuar jetën, lumturitë e saj të vogla, me një bukuri, që vazhdon të emocionojë.

 

 

Ai shkroi, veç poezive, esseve, tregimeve, skicave letrae, skeçeve edhe 7 komedi, të cilat kanë parë dritën e botimit kohët e fundit dhe që janë komedi të vërteta të një autori të vërtetë, sa origjinale, po aq dhe të arrira artistikisht, që me të drejtë u duhet dhënë vendi i mohuar dhe zëvendësuar koha e humbur.

 

 

 

Hekuran Zhiti e ka pasur të shenjtë fjalën, siç ka pasur të shenjtë heshtjen, në një heshtje ku ai la fjalën dhe një gjuhë të kulturuar naimjane. Dhimbjen e tij dhe dhimbjen e botës poeti i shkriu në një dhimbje të vetme.

 

 

Dramaturgu, aktori dhe mësuesi Hekuran Zhiti ka marrë vlerësime, dekorata e tituj të ndryshëm nga bashkitë e vendeve ku ka punuar. Është shpallur “Qytetar Nderi” i Lushnjës dhe një rrugë ka emrin e tij, por, siç thamë edhe më sipër, në Skrapar është ende i panjohur dhe i pavlerësuar.

 

 

 

Botimet

 

Janë botuar postume 3 libra të tij, të mirëpritura nga lexuesi dhe kritika letrare, që janë:  “Kryengritje shqiptare në parajsë”, përmbledhje me poezi dhe poema, të shkruara gjatë Luftës II Botërore, para dhe pas saj; “7 Komedi”, ku vijnë njëherësh “Nusja në thes”, “Palla e nderit”, “Shakaxhinj dhe batakçinj”, “Magjistari i rremë”, “Gratë e atij fshati”, “Rruga e Skraparit, “Të përmbysurit”; libri i tretë i Hekuran Zhiti është drama “Të mblidhemi në Lushnjë”, e shkruar në vitet 1969-1970, ku shpalosen ngjarjet e Kongresit famëmadh të Lushnjës, i mbiquajtur dhe si pavarësia e dytë e Shqipërisë.