Histori e shkurtër, por e ndritur dhe heroike e Spitalit Partizan të Çepanit
Ilmi Qazimi
Ishte verë e vitit 1944. Kudo luftë, bombardime, ushtri pushtuese gjermane e italiane që bashkëpunonin me ballistët dhe partizanë që luftonin kundër tyre. Urdhëri i dhënë nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional Çlirimtare për të ngritur një spital të tillë u zbatua menjëherë nga Këshilli Antifashist Nacional Çlirimtar Krahinor.
Nuk kishte ndërtesë apostafat për këtë qëllim por ky këshill mori vendim që të merreshin masa të shumta që nga dhomat e mjekimit, shtrimit, gatimit, larjes deri te ruajtja dhe sigurimi i spitalit nga keqbërësit apo armiku.
U caktuan disa shtëpi të cilat kishin më shumë se katër dhoma, disa edhe me dy kate, të liroheshin nga plaçkat e familjes dhe të bëheshin gati me jatakë, shtresa e mbulesa, si dhe orendi të tjera të thjeshta të asaj kohe në ndihmë të partizanëve të plagosur.
Sipas këtij vendimi u shfrytëzuan disa dhoma të disa banesave të fshatit, banorët e të cilit ishin të gjithë, pa përjashtim, të lidhur ngushtë me Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Një dhomë ishte në shtëpinë e Dervish Osmanit, xhaxhai i Njazi Çepanit. Tri dhoma ishin në shtëpinë e Kapllan Begos fshatarit të kamur për kohën, njëherazi edhe xhaxhai i partizanit të gjallë të sotëm Qemal H. Bego dhe një dhomë ishte në shtëpinë e Abdurrahman Meta. Të tri këto shtëpi ishin (janë edhe sot) në qendër të fshatit dhe jo më shumë se 200-300 metra larg njëra-tjetrës.
Në spitalin e Çepanit kanë shërbyer mjekët major D’Alesio, Çorusio Remo dhe Roko Guizepe – të tre italianë, të cilët kishin kaluar me forcat partizane shqiptare. Ky i fundit, po atë vit, është vrarë me urdhër të Xhelal Staraveckës nga një skuadër ballistësh dhe është shpallur dëshmor i Shqipërisë.
Kanë shërbyer pak kohë, në spitalin e Çepanit dr.Ibrahim Dervishi e dr.Sherif Klosi. Rolin e infermierit e kanë pasur Xhafer Buba nga Blezëncka dhe e Sulo Kurti nga Zabërzani. Përgjegjës infermier ishte Jakup Bekteshi nga Prishta. Përkushtimi i të gjithë këtij ‘personeli’ tërësisht vullnetar ka qenë i paimagjinueshëm për ne që i lexojmë këto rreshta.
Me detyra të ndryshme ndihmëse shëndetësore janë aktivizuar edhe vajza e gra të tjera të fshatit Çepan. Këtu përmendim Bukurije Tefik Çepanin (Rogu), e cila si nuse e re e këtij fshati, kish pak muaj që ishte martuar me Njazi Çepanin. Ajo ka pasur rastin e rrallë, i vetmi edhe në jetën e saj, që asistoi mjekun D’Alesio kur ai preu me sharrë druri krahun e gangrenizuar të partizanit heroik Elmaz Teme që ishte plagosur tre herë në luftimet e Qafës së Gjarpërit.
Ajo ka parë me sy qëndrimin e pabesueshëm trimëror ndaj dhimbjeve të atij partizani dhe tërë punën e ndershme, gatishmërinë e bashkëfshatarëve, mjekëve si dhe moralin e lartë të të plagosurve në atë të quajtur me plot meritë historike “spital partizan i Çepanit’.
Detyrën e sanitares, për të larë teshat e partizanëve dhe ato të jatakëve të të shtruarve për mjekim në spitalë e bënin çepanlleshat Selvie Basho, Merjemë Metaj, Bajame Musaj, Këze Basho, Peruze Basho, Vezire Basho, Deko Osmëni, Xhemile Abazi, Betullë Dume, Karafile Fodulli, Çarçiko Osmëni, Menduri Osmëni, Fatiko Gogo dhe aktiviste të tjera. Sanije Laço ka qënë kuzhiniere e spitalit dhe furrxhi ishte Hazis Bego nga Muzhaka.
Ushqimet mblidheshin po nga fshati. Mielli për të pjekur bukë po ashtu. Madje kishte edhe raste që disa plaka të moshuara përgatisnin ilaçe popullore për të plagosurit siç qenë Naile Basho e Rrahime Zyka. Teshat e gjakosura apo të ndotura laheshin me finjë, në govatë, vetëm me duar nga këto 13 nëna heroike të fshatit Çepan. Ujin e merrnin me kusi rreth 200 metra larg si dhe me kova nga pusi, dhe e nxehnin në zjarr me dru. Teshat e lara për t’u tharë ndereshin në avlli dhe kur ishte kohë me shi thaheshin pranë zjarrit.
Në spitalin partizan të Çepanit janë mjekuar partizanë, partizane dhe kuadro të ndryshëm të formacioneve luftarake të ushtrisë nacional çlirimtare. Kështu janë të evidentuar për shtrim dhe mjekim në këtë spitalë 33 partizanët: Bardhyl Frashëri, Halim Xhelo, Llazi Bozo, Sabri Sevrani, Iljaz Bejko, Abaz Rogu, Neshat Gërmenji, Adil Prishta, Ali Bego, Tahir Murrizi, Orhan Frashëri, Xhelo Basho, Xhevit Sula, Zenel Nurka, Xhevahir Sula, Muharrem Haxhiu, Novruz Zoto, Myrteza Çela, Sabri Dingo, Sali Dapi, Ibrahim Hoxha, Besim Bego (nga Muzhaka), Rushit Dervishi, Sali Hasanaj, Dilaver Sulçe, Elmaz Teme, Riza Bego, Qerim Lame, Sadik Koprencka, Hysni Shehu,Yzedin Basho etj. Janë shtruar e kuruar edhe shoqet partizane Shpresa Fuga dhe Afërdita Selenica.
Ka vdekur vetëm një partizan, gjendja e të cilit pas plagosjes e deri sa mbërriti në spital, ishte e pashërueshme.
Është e rëndësishme të theksohet së pari, se realisht për mbarëvajtjen e punës komplekse të atij spitali partizan u mobilizuan tërë banorët burra e sidomos gra të 5-6 fshatrave për të bërë të mundur shërimin e bijve partizanë të ardhur nga shumë anë të Shqipërisë.
Së dyti, në kushtet kur Çepani nuk kish parë ndonjëherë spital me sy, mjekët partizanë kanë dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme duke vizituar, mjekuar e kuruar shumë fshatarë pleq e plaka, fëmijë dhe të tjerë të moshave të ndryshme të këtij fshati dhe nga fshatrat për rreth.
Fatkeqësisht asnjëherë në Çepan nuk u vendos qoftë edhe vetëm një pllakë përkujtimore për këto fakte historike të pakundërshtueshme që flasin për heroizmin e popullit tonë gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.
Është koha që të reflektojmë të gjithë me sytë nga e kaluara heroike, me këmbë në të tashmen e rënduar, për të parë me zemër të fortë e optimizëm ditët që do të vijnë.