Histori njerëzore / Smail Alia (Vëndresha), një hero i vërtetë, por, fatkeqësisht, i pavlerësuar

Histori njerëzore / Smail Alia (Vëndresha), një hero i vërtetë, por, fatkeqësisht, i pavlerësuar

Zylyftar Hoxha

“E doja shumë atë burrë,  e doja se ai dallonte shumë nga të tjerët. Kishe qejf ta shikoje, ta takoje e të flisje me të. Ishte fjalëpak, por ato që nxirrte nga goja ishin me peshë. I kishte zët veset, gënjeshtrat dhe dredhitë.

 

Mbante një veshje karakteristike të zonës: Xhaketë dhe pantallona shajaku të derdhur, me një xhamadan të qëndisur, ku i vetëtinte kutia e duhanit e qosteku që mbante varur, në kokë vinte një qylaf pellushi të zi  që në dritë vezullonte. Një tosk i qëruar.

E mbanin në fis, në lagje apo në fshat si burrë për të qenë në krye, për t’i udhëhequr apo dalë përball të tjerëve kur e donte puna.

 

E nisnin selamaz në dasma për të qenë në krye të muhabeteve, sidomos në vende të vështira dhe me probleme, ku pinin raki si derrat dhe nisnin sherret. Por ai ua gjente telat dhe i rregullonte këto situata si të vinte puna, me urtësi e diplomaci apo edhe me forcë duke i nxjerrë përjashta zullumqarët dhe pianecët” –  kështu shkruan për Smailin në librin e tij, “Vëndresha ndër vite”, i ndjeri Abdulla Bregu, një nga mësuesit dhe drjetuesit më të mirë të shkollave në Skrapar.

 

 

Po kush ishte në të vërtet Ismail Alia?

 

Se kush qe dhe se çfarë bënte ai, unë e kam mësuar më pas, kur i biri i tij, Gëzim Alia, një nga miqtë e mi më të mirë, më dha shënimet e tij për një libër familjar për t’ia redaktuar.

 

Jo vetëm jam befasuar me historitë e jetës së këtij burri, por jam bërë shumë pishman që në familjen e tyre kam qenë shumë herë dhe me Smailin kam bërë shumë herë muhabet dhe në asnjë rast nuk i mora vesh historitë e tij aq interesante si histori, por edhe të dhimbshme për nga vlerësimi.

 

 

13 vjet në në Gardën personale të Mbretit Zog

 

Nga shënimet e Gëzimit mësojmë  se  Smaili është martuar me Lulen nga Lavdari  në tetor të viti 1935. Në atë kohë ai ka qenë në Gardën Mbretërore, në njësinë personale të Mbretit Zog. Ishte përgjëgjesi i skuadrës së Sigurimit të Mbretërëshës.

 

Dhëndërr është paraqitur me uniformën ceremoniale të Mbretërisë. Ndërsa Lulja është veshur nuse me rrobat dhe stolitë që i kishte dërguar Mbretëresha Gjeraldinë.

Vetëm 10 ditë ndenji herën e parë dhe iku. Më pas vinte një herë më 2-3 muaj, deri në Berat vinte me makinë e pastaj me kafshë se sillte plaçka dhe vegla pune, pluar arash, kama dhe lopata belike italiane etj.

 

Atje qëndroi gati 13 vjet, deri në vitin 1939. Në prill të 39-ës kur erdhi Italia, mbreti Zog la vendin dhe iku.  Smaili bashkë me gjithë shokët ushtarë të skuadrës, siç qenë, që ditën e parë që iku Zogu, morën armët dhe dualën e pritën me pushkë armikun në breg të detit, tek Kepi i Rodonit.

 

I internuar në Itali

 

Ata ishin shume ushtri e madhe, këta pak, i kapën këta, i arrestuan dhe i nisën në internim, në burg në Bari të Italisë. Tetë muaj në Itali, familja pa haber.

 

Mbas tetë muajsh kthehet Smaili nga Italia. Kishte filluar lufta me Italinë dhe pastaj Italia me Grekun. Vë vësndreshë dhe te shtëpitë e tij ishte fronti italian.

 

Në Itali, i internuar në Bari, kishte marrë edhe para, se i paguanin italianët të internuarit. Me ato lekë, por edhe me rrogat nga Mbreti, mori plaçka për shtëpinë e re, bleu një pendë qe, një plug, vegla pune. Dhe krijoi prona të reja, ara, stane dhe vreshta në mal, në vendin e quajtur Kanike.

 

 

Kur erdhi nga internimi Smaili, ishte i detyruar të paraqitej në çdo 2-3 dite tek komuna ose tek vend komanda e ushtrisë që ishte vendosur në Duçellarë. Kaluan disa muaj dhe ky s’po paraqitej, duke menduar se Italia e kish mendjen në frontin me grekun, në luftë. Disa burra të fshatit, me ta edhe Smaili, ishin organizuar në fshetësi me armë.

 

Një ditë i kuptuan italianët dhe u ndeshën me ta. I rrethuan, u morën armët dhe i mbajtën në arrest tri ditë. U bënë gjyqin dhe të nesërmen do t’i pushkatonin.

 

Natën me hekura në duar ai çau rrethimin ku ishin, në Likoime, dhe u largua. Ata e kuptuan dhe hapën zjarr. Tërë natën i fshehur dhe i plagosur. E kishte marrë një plumb nën gjut dhe një tjetër në anë të syrit. Shokët e tij i pushkatuan në Gjiratet e Therepelit.

Me dy plumba në trup dhe tërë gjak eci e u gëdhi në Përrua të Kanikes, ata ndoqën gjurmat e gjakut, por ky nuk vajti në shtëpi se kish frikën e familjes.

Tre ditë i fshehur, naten vjen në shtëpi me rrobat me gjak të tharë dhe me duart e lidhura me hekura.

 

 

Dhanë e morëm e hekurat nuk i prisnin dot. Ç’të bënin? I dërguan haber Safetit dhe ai erdhi në darkë, u nisën natën dhe shkuan në Beqaraj tek Nevruzi. Të nesermen ai erdhi dhe pruri një kovaç nga Permeti. Me lima, thika e ganxha i prenë ato hekura, duart i ishin enjtur dhe plaga kish marre maisje. Sosja dhe  Navruzi e mjekuan me ilaçe popullore si hithra, mendërza e mbas dy muajesh u këthye te shtëpitë e Vëndreshës se kishte frike nga kontrollet e ushtrisë.

 

 

Vetë partizan dhe vëllanë Dëshmor të Atdheut

 

 

Nga ajo ditë ai s’qendroi në shtëpi, por me armë në dorë, ditën punonte e naten me skuadrën partizane të fshatit lëviznin deri në çlirimin e Skraparit.

 

Mori pjesë në grupin partizan të Zylyftar Veleshjes bashkë me të vëllanë, Rizanë, i cili u vra në luftën që u zhvillua në Balë të Bardhë me forcat gjermano-balliste që vinin nga Berati dhe tani është Dëshmor i Atdheut.

 

Ai, është vlerësuar me dëshminë e partizanit, por meritonte më shumë, sepse nuk ishte një luftëtar i zakonshëm, por ishte një veteran, hero i vërtetë, pa bujë e mburrje që, fatkeqësisht, nuk u trajtua si i i tillë për plagët që kishte marrë dhe gjithë ato sakrifica që kishte bërë.

 

 

Dilema që e “theu”: “O në kooperativë, o shkollë për djalin nuk ka”!…

 

 

Ishte viti 1962 kur djali i tij, Gëzimi, pasi mbaroi shkollën 7-vjeçare, kërkonte bursë për të mesmen. Megjithëse ishte i pari i shkollës, nuk iu dha bursë.

Shkon Smaili në Çorovodë të pyeste pse kështu:

 

“Sekretari i rrethit, shok lufte me të, Muharrem Haxhiu i thotë se djali yt është i pari në listë nga notat, por ty nuk ta japin bursën se nuk je bërë kooperativë. Bëhu edhe ti si shokët dhe atëhere do të rregullohet edhe shkolla dhe bursa e djalit”.

 

“Me zor nuk bëhem kooperativë, nuk kam krahë pune, me çfarë do të rroj – i kishte thënë Smaili – mallin e kam vënë me djersë, pse për këtë luftuam”.

 

Në atë kohë në Vëndreshë ishin bërë të gjithë kooperativë, vetëm Smaili jo.

 

 

Një ditë në fund gushti , babai erdhi shpejt në shtëpi dhe i tha së shoqes t’i bënte rrobat gati se do të shkonte në Çorovodë.

Shkoi, të nesërmen në mëngjes, pasi nisi djalin për në shkollë, dorëzoi mall dhe gjë. Dhe jo pak, por sa gjysma e fshatit.

 

Trimi nuk i tregon plagët

 

 

Gëzim Alia, djali i madh i tij, thotë se Smaili ishte një hero i vërtetë, por shumë i heshtur dhe shumë gjëra i mori me vete.

 

 

Unë kam qenë i vogël për kohën dhe nuk e kuptoja dhe vlerësoja dot – vazhdon ai. Por edhe sikur, ai ishte “kasafortë”, që nuk e dorëzonte çelësin kollaj.

Ai ishte një njeri me karakter të hekurt, luftëtar dhe atdhëtar si ai, trim që nuk i tregoi kurrë plagët:

 

I plagosur dy herë, i internuar nga pushtuesit italianë në Itali, partizan dhe vëllanë dëshmor të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, dy xhaxhallarë të pushkatuar nga armiku në Luftën e Parë Botërore; shërbeu për 11 vjet në grupin më të afërt dhe personal të Mbretit në Gardën Mbretërore, dhe kur u thye prej andej, bëri prona e pasuri, ngriti një Vëndreshë të re në mal, por u zhgënjye keqas. Dhe këtë zhgënjim që për tjetër gjë luftoi dhe tjetër gjë i doli, e mbajti për vete, e mbajti si një sakrificë sublime që fëmijët e tij të mos kishin persekucione.

 

 

Ai nuk u trajtua si partizan, si luftëtar, si vëlla dëshmori, si i intenuar në kampe përqëndrimi, si shtëpi bazë e Luftës. Është kjo gjë që mua, si djali i tij i madh, që e ndiqja hap pas hapi, më ka ngelur peng, por besoj se pas këtij libri që unë kam shkruar, do ta qetësoj sadopak atje ku është” – mbyll rrëfimin Gëzimi.