Historia e vllehëve të Shqipërisë: Shënime të Ilo Mitkë Qafzezit mbi vllehët

Historia e vllehëve të Shqipërisë: Shënime të Ilo Mitkë Qafzezit mbi vllehët

Tre fiset e vllehëve: frashërjotët, voskopojarët dhe myzeqarët

 

Një histori interesante për vllehët e Shqipërisë vjen nga studiuesi Ilo Mitkë Qafëzezi, e shkruar me mjeshtëri, me sinqeritet, me ngrohtësi dhe mirënjohje.

 

E papublikuar më parë në shtypin shqiptar, ai zbulon hap pas hapi tradita dhe zakonte të vjetra, tashmë të harruara, por që kur i lexon të lenë të befasuar dhe të mrekulluar njëkohësisht*).

 

Ai na rrëfen për bashkëjetesën me shqiptarët, për dasmat, fisnikërinë dhe këngët e tyre. Përmes këtij udhëtimi ne do të kemi mundësinë të hyjmë në të gjitha të fshehtat e jetës së vllehëve si nomadë.

 

Të tri fiset e vllehëve, me të cilët bashkëjetojmë vllazërisht në Korçë, quhen vllehë frashërjotë, voskopojarë dhe myzeqarë (Këta të fundit janë fort të pakët, të parët përbëjnë numrin më të madh).

 

Mirëpo krushqi me arbineshët korçarë edhe ne qarkun, frashërjoti bën vetëm rrallë e tek; vllehët voskopojarë bëjnë radhë krushqi me shqiptarët, po nga sa dihet, kurrë me dy fiset e parë, të cilët i heqin si më të poshtmë.

 

Gjithashtu Voskopojari vllah nuk e bën aq kabull të nakatoset me vllahun frashërjot, por me korçarin Arbinesh, u përzie duke bërë krushqi që prej gjashtëdhjet vjet e tëhu (Studimi është i viteve 30), dhe u asimiluan shpejt.

 

Voskopojari, zanaqar a tyxhar duke u vendosur në Korçë zgjodhi për vend shtëpie mëhallën e quajtur “e voskopojarëve”, pranë pazarit dhe përveç kësaj u vesh me dollma e me xhybe si tyxhari shqiptar korçar i asokohe.

 

Mirëpo frashërjoti, dhëndër i djeshëm dhe terzi-shajaku i sotëm, zgjodhi një tjatër vend në Korçë: pëlqeu rrëzën e bregut të “Shën Thanasit” me erën më të pastër e të shëndetshme dhe përveç kësaj nuk e këmbeu rrobën e stërgjyshëve të tij; veshjen e bekuar të shajaktë dhe këmishën me kinda të dhenarisë.

 

Sidoqoftë, është një gabim historik po të besohet se fiset vllehe që kemi në Korçë dhe kudo në Shqipëri, gjoja nuk paska lidhje gjaku mes tyre dhe se voskopojari, për shembull, është më i fismë nga frashërjoti dhe myzeqari apo frashërjoti më i fismë nga myzeqari. Kjo gjë ngjet tani sikur të mburremi se cili prej nesh toskë e gegë, që njëri fis prej tjetrit gjoja, të kemi më tepër sipëroritet fisnikërie.

 

Asnjë ndryshim gjaku në rrënjët nuk është mes cëncarit frashërjot, voskopojar apo myzeqar. Që të gjithë kanë rrënjën Dake të vjetër, të Dacisë së Rumanisë së sotme, kushërinj jo të largmë me Ilirët, stërgjyshrit shqiptarë, siç e dëshmon fare mirë historia.

 

 

Gjuha e vllehëve,  latinishtja ballkanike

 

Historiani rumun, Teodor Capidan në studimet e tij “Romani Nomadi” dhe “Farseroti”, i quan vllehtë e Shqipërisë autoktonë me rrënjë trako-romane të asimiluar shekuj më parë me shqiptarët dhe që kanë ruajtur gjuhën dhe zakonet e tyre.

 

Ai i ndanë vllehtë e Shqipërisë në tri degë: vllehtë me origjinë nga trevat e Pindit, vllehtë e Gramozit me shtrirje në Voskopojë e përtej, dhe vllehtë e Myzeqesë në lëvizjet e më vonëshme.

 

Gjuha e folur e vllehëve është dialekt popullorë i latinishtes. Studiusi francez, prifti Zhan-Klod Faverial shkruan se, “Ata lëvronin latinishten ballkanike që ishte dialekt popullorë dhe kjo e folur përdorej nëpër familje.

 

Kjo gjuhë vllahishte ruhet e tillë edhe sot, duke patur huazime sipas shteteve ku jetojnë vllehët”. Për ruajtjen e gjuhës vllahe si dhe të shqipes, është bërë një luftë e madhe ndaj qarqeve shoviniste greke e sllave, që kanë dashur ti eleminojnë këto gjuhë.

 

*)Hulumtime të studiuesit Vepror Hasani