Historia e Yllajve të Leshnjes së Skraparit
Zylyftar Hoxha
Historia e Familjes së Yllajve të Leshnjes të Skraparit, është histori e atyre dyerve të mëdha e fisnike që gjithë jetën dhe veprimtarinë e tyre ia kushtuan lirisë dhe pavarësisë, duke dhënë në këtë mënyrë një kontribut të dukshëm patriotik në tërë zonën e Skraparit, Korçës, Kolonjës, Beratit dhe të gjithë Shqipërisë.
Shtëpitë e Yllajve
Brezat më të vjetër e kanë më të freskët dhe e dinë shumë mirë se ç’rol historik ka luajtur kjo familje në shekuj. Edhe brezat më të rinj e kanë njohur këtë rol e kontribut nëpërmjet historisë. Megjithatë, për një rikujtesë dhe për të fshirë disi pluhurin e kohës që bën të vetin, po mundohemi më poshtë në mënyrë të përmbledhur të hedhim sadopak dritë mbi figurat kryesore të kësaj familjeje, mbi vijueshmërinë e brezave më të rinj, që, duke ecur në gjurmët e të parëve të tyre, japin kontributin e tyre modest në shoqëri duke shpalosur qytetari dhe kulturë.
Rrënjë
I pari i fisit ka qenë Laska, që ka lindur tre djem, Banushin, Bajrakun dhe Caushin, të cilët më pas u ndanë në tri degë dhe formuan edhe tri lagje në Leshnje, që sot mbajnë mbiemrat Kumbaro, Arra dhe Ylli.
Sinan Ylli lindi në Leshnje të Skraparit më 20 prill 1867. Ai ishte i biri i Kahremanit, që e thërrisnin Kame dhe i Nurihanës. Dikur si familje përdornin mbiemrin Laska (Leshnja) dhe më vonë Ylli. Në një libër familjar që kanë bërë pasardhësit e kësaj familje të madhe me fakte dhe dokumente kanë zbërthyer origjinën, përbërjen dhe shpërndarjen e Yllajve.
Sinani
Sinani u martua me Idarenë (Dea e thërrisnin) nga Dushari i Korçës, në vitin 1912 dhe lindi gjashtë fëmijë: Kahremanin, Aqifin, Kastriotin, Verën, Ahirin dhe Ajetin.
Dea, e shoqja e Sinanit
Në familjen e madhe Ylli ishin ndarë punët: Xhelali, i vëllai i madh i Sinanit mbante me vete 5-6 trima dhe e kaloi një pjesë të madhe të kohës në kurbet, në Katerinë të Greqisë, Pajua kishte një çetë kaçakësh dhe me çetën e tij ka shkuar në mbrojtje të Lidhjes së Prizerenit; Sakua kishte peshën e rëndë të mbajtjes së familjes, ai ishte jo vetëm një punëtor i madh, por edhe një organizator dhe administrator i shkëlqyer i një ekonomie në atë kohë të madhe.
Ai gjashtë muaj shkonte në Myzeqe me blegtori, që i kishin të shumta në numër dhe pjesën tjetër punonte aty. Sadushi, i vëllai tjetër i Sinanit, i guximshëm dhe luftëtar, ishte krahu i djathtë dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i Sinanit në të gjitha veprimtaritë, edhe në ato patriotike. Më i vogli i vëllezërve ishte Zenuni, tip i urtë dhe i dashur, të cilin shëndeti i lig e mori në moshë të re.
Por, ai që ka mbajtur peshën më të madhe në këtë familje me emër, të njohur në të gjithë Skraparin dhe krahinat përreth, ka qenë Sinani. Ai ka qëndruar në ballë të të gjitha ngjarjeve historike, që nga viti 1900 e deri sa vdiq, përkrahë figurave të tilla të njohura si Riza Cerova, Muço Kapinova, Xhelal e Ali Koprëncka, Pasho Hysi, Mahmut Zaloshnja, Ramiz Spathara, Nuri Vlusha, Myrto Cerova, Sulejman Qafa etj. firma e tij gjendet në shumë dokumente të kohës në mbrojtje të interesave të popullit të shumëvuajtur të Skraparit.
Sinani
Siç thamë më lartë, veprimtaria patriotike e Sinanit nis në vitin 1900, kur ai radhitet në çetën e vëllait të madh, Pajos, çetë që u kishte sjellë shumë telashe koshalleve turke. Në verën e vitit 1911 në mbledhjen me të tërë krerët e Jugut, Sinani zgjidhet anëtar i Komitetit të Shpëtimit Kombëtar për Skraparin, komitet me detyrë e atribute të organizonte dhe të koordinonte veprimet e të gjitha çetave që ishin në atë kohë, të Lace Backës, Ali Farmaqit, Servet Zaloshnjes e më tej, të Sali Butkës. Në korrik 1912, si anëtar i Komitetit të Shpëtimit Publik, merr pjesë në Kuvendin e Sinjës, ku bashkë me 46 anëtarë të këtij Kuvendi përkrahu Kuvendin e Grëçes dhe nënshkroi Memorandumin e Sinjës me 12 pika.
Sinani merr pjesë në Shpalljen e Pavarësisë në vitin 1912. Në një telegram të ditëve të para të Qeverisë së Vlorës ai shpreh gatishmërinë për t’u vënë në shërbim të saj. Nuk vonoi shumë dhe ai me 1500 luftëtarë skraparllinj të mbledhur në Qafë të Kulmakut u vu në mbrojtje të kufijve shqiptarë dhe të Qeverisë së Vlorës duke u bërë rezistencë forcave shoviniste greke në malet e Skraparit.
Më 1916 Sinan Leshnja bashkë me Sali Butkën dhe Servet Zaloshnjen bëjnë një mbledhje në Konak të Tomorricës ku vendoset të goditen forcat austro-hungareze.
Më 1918 në një telegram të 100 patriotëve skraparllinj, drejtuar Konferencës së Paqes në Parisë kundër Esat Pashë Toptanit, gjendet edhe firma e Sinan Leshnjes. Po në këto ditë krijohet në Zaloshnje Komiteti Shpëtimit Kombëtar, ku bëjnë pjesë Sinan Ylli, Ali Koprencka, Hysen Zaloshnja, Pasho Hysi etj. detyra e të cilit ishte mbrojtja e territoreve nga copëtimi i fqinjëve.
Ndërkohë ai punon për rritjen e zhvillimin e ekonomisë familjare, shton dhe shumon bagëtitë si dhe blen toka e kullota. Pranë shtëpisë hap një dyqan ku punonte më shumë vetë dhe më vonë i la Viganit, ndërsa poshtë në lumë kishte pjesë në mullirin që bluante dimër dhe behar. Në vitin 1920 ai ngriti shkollën në Leshnje, në fillim me një klasë, pastaj me katër. Mësuesit i gjente vetë dhe i bënte të kënaqur me pagën dhe trajtimin. Një çift, Rexhepi me të shoqen, Faiken nga Libohova e Gjirokastrës kanë ndenjur shumë vite në shkollën e Leshnjes si mësues.
Në janar të vitit 1920, Sinani merr pjesë në Kongresin e Lushnjes si anëtar i Komisionit të Sigurisë dhe me propozimin e tij në krye të xhandarmërisë së re u vunë Riza Cerova dhe Sali Butka. Por për luftëtarin nuk ka një ditë të qetë. Sinani bashkë me Sadushin shkojnë në Luftën e Vlorës më 1920.
Më pas, me ardhjen ne fuqi të Zogut, aktiv si gjithnjë, ai në mënyrë energjike luftoi për zgjedhjen e deputetëve që donte populli i Skraparit, Maliq Vlushën dhe Ali Koprënckën. I papajtueshëm me Zogun ai merr pjesë në Revolucionin e Nolit në vitin 1924. Pas dështimit të kësaj lëvizje, kur Zogu erdhi në pushtet, në vitin 1925, Sinanin e burgosin në Lezhë.
Pas një amnistie ai kthehet në Skrapar, përsëri në krye të punëve. Merr pjesë në Lëvizjen e Fierit të vitit 1935 dhe dënohet përsëri nga regjimi i Zogut.
Shtëpia, kat më kat për Luftën
Me fillimin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, Sinani i hapi dyert e shtëpisë kat më kat për partizanët. Ai vuri në dispozicion të kësaj lufte tërë njerëzit e shtëpisë deri edhe te gratë dhe fëmijët. Shtëpia e Yllajve në këtë kohë ishte kthyer në seli të Shtabit të Qarkut të Beratit, dhe një nga bazat më të rëndësishme të Luftës në Skrapar.
Kahremani, djali i madh i Sinanit, ishte i pari që hodhi pushkën në krah, dhe më pas Aqifi, Kastrioti dh Figani, ndërsa Vera me Fetanenë u aktivizuan, njëra me rininë dhe tjetra me gruan antifashiste. Por edhe pjesëtarët e tjerë, Sadushi dhe Sakua, u rrinin në këmbë atyre që vinin dhe iknin dhe kur ishte nevoja merrnin pjesë në aksionet lokale të partizanëve.
Shtëpia, veç Shtabit të Qarkut të vendosur aty, rrinte gjithmonë plot. Në një rast, pasi iku gjermani nga Leshnja erdhën partizanët, që ishin të shumtë të numër, por edhe kishin ditë pa ngrënë, Kahremani urdhëroi të thereshin 15 bagëti të imta, një lopë e një ka si ushqim për partizanët. Nuk kaloi shumë, kur në Leshnje kalon Hamit Matjani me 2000 forca balliste, brenda një nate theri 110 kokë bagëti dhe plaçkiti ç’gjeti bulmet e bereqet.
Kahremani
Për efekt vendi, por edhe duke menduar se historia e djalit të madh të Sinanit, Kahreman Yllit, një ndër figurat më të ndritura të Luftës në qarkun e Beratit, si komisar i Qarkorit, por edhe pas çlirimit si një njeri me kontribut të veçantë në fushën e arsimit, kulturës dhe shkencës shqiptare, njihet nga të gjithë, nuk po zgjatemi më tej në këtë shkrim.
Kahremani
Familja
Ajo përbëhej prej mbi 50 veta. Të gjithë punonin, të vegjël dhe të mëdhenj. Sakua dhe më pas Njaziu merreshin me bujqësinë, Figani kishte dyqanin, kopshtin Dea e më pas Refikua. Bukët gatuheshin me radhë, shtatë ditë nga çdo grua, nuset shërbenin në ahuret, avllitë i pastronin çupat. Buka hahej me sofra 13 vendshe. Ajo shtrohej 5-6 herë deri sa të mbaronin të gjithë.
“Barku” i Sinanit
Veç dy shtëpive të mëdha të larta dykatëshe, ishte ahuri i madh, ashefet dhe qilarët e ushqimeve, pa përmendur ndërtesat e tjera për veglat e punës, që kur e lypte nevoja, sidomos gjatë Luftës, përdoreshin për strehim. Sipër në mal ishin stanet të rregulluar për bukuri ku përpunohej edhe bulmeti, ndërsa në Tororavë, në mes të pyllit, ishte një shtëpi me dy dhoma që përdoreshin në kohën e vjeljes së prodhimeve dhe gjatë Luftës për tu fshehur fëmijët dhe gratë.
Eminencat gri
Ata që i kanë njohur përmendin edhe një emër tjetër që mbante një peshë jo të vogël në këtë shtëpi të madhe, atë të të vëllait të Sinanit, Sadushit. Ka njërëz që bëjnë punë të mëdha, por që nuk dalin në skenë, këta janë këshilltarët dhe ata që i vënë supin trarit nga është më i trashë.
I tillë ishte Sadushi, këshilltari i parë i Sinanit në çdo punë, bashkëpunëtori më i ngushtë, administratori dhe nikoqiri i shtëpisë, por edhe i kudondodhur në të gjitha përpjekjet që janë bërë në Skrapar. Ai nuk ishte i inkuadruar, por kur ia bënte “bam”, atë e kishe atje.
Me një fjalë, siç tregojnë, Sinani ishte koka, ndërsa Sadushi ishte shtylla vertebrore që mbanin në këmbë gjithë atë shtëpi.
Veç këtij ka patur dhe një figurë tjetër në këtë familje me rol jo të vogël. Kjo ishte Dea, e shoqja e Sinanit. Ajo merrej me grarinë. Ishin 15-20 femra, nuse, kunata, emta, Xhaxhesha e mbesa, që ishin të ngarkuara me punë deri te veshët. Punët ishin të ndara dhe rrallë takoheshin me njëra –tjetrën. Dea kujdesej edhe për pastërtinë. Çdo ditë valonte kazani i rrobave që zjenin çarçafët, rrobat dhe velenxat, se ishte shtëpi me miq e me udhëtarë.
Reforma agrare
Pasuria e kësaj familje i kalonte limitet që lejonte reforma agrare e vitit 1946, e cila i mori kësaj familje 80 dynymë tokë buke, 400 dynymë pyll, 15 dynymë truall, 1300 kokë bagëti të imta, 40 krerë gjedhë, 10 mushka dhe kuaj etj. Me një fjalë, gati 2/3 e pasurisë së tundshme dhe të patundshme.
***
Këtu mbyllet historia e familjes fisnike dhe atdhetare e Yllajve. Pastaj ata u ndanë dhe një pjesë e mirë shkuan në Tiranë, Berat, Durrës e gjetkë. Nga Yll, tani ata janë kthyer në Yjësi, që, duke llogaritur edhe linjën femërore, përbëjnë mbi 100 familje. Të gjithë pasardhësit dhe brezat më të rinj të kësaj familje, duke ecur në gjurmët e të parëve të tyre, kudo që janë ruajnë tiparet më të mira njerëzore si njerëz me vlera, të kulturuar, punëtorë, të ndershëm dhe fisnikë.