Ku, fatkeqësisht, ndodhet edhe Skrapari dhe Tomorrica ime
Mes dy skajeve: Lumi i Vlorës, një realitet i bukur; Lumi i Tomorricës ende peng i një ëndrre të stërlashtë
Hysen Binjaku
Këtë verë ndërmora një udhëtim turistik nga Orikumi në Qeparo, rreth 105 kilometra, për afro 90 minuta, përgjatë itinerarit: Orikum, Kaninë, Babicë, Peshkëpi, Kotë, Gjorm, Lepenicë, Bolenë, Qeparo.
Ishte një udhëtim mbresëlënës, në një rrugë të bukur që gjarpëron mes maleve dhe përgjatë luginës së Lumit të Vlorës. Një rrugë që nuk lidh vetëm fshatrat me njëri-tjetrin dhe me qytetin e Vlorës, por krijon edhe komunikim me Kuçin, me Tepelenën dhe, përmes pikës më të afërt, me bregdetin e Qeparoit. Një investim që ua bën jetën më të lehtë banorëve, u jep mundësi emigrantëve të kthehen më shpesh në vendlindje dhe krijon kushte për zhvillimin e turizmit e të ekonomisë lokale.
Më erdhi sinqerisht mirë për banorët e atyre anëve, për ata që jetojnë aty, por edhe për ata që janë larguar në Vlorë, Fier, Tiranë e gjetkë. Tashmë, ata mund të kthehen në fshatrat e tyre pa e kthyer udhëtimin në një aventurë rraskapitëse. Mjaftojnë pak orë dhe një rrugë e mirë.
Por gëzimi për ta u shoqërua me trishtimin për të mitë. Mendja më shkoi te bashkëpatriotët e mi të Kollit të Sipërm dhe të Tomorricës së Skraparit, të cilët, në shekullin XXI, vazhdojnë të udhëtojnë drejt fshatrave të tyre nëpër rrugë që, në shumë segmente, ngjajnë më tepër me shtigje traktori sesa me rrugë për njerëz e automjete.
Dhe pyetja lind vetvetiu: Pse disa krahina përparojnë, ndërsa të tjerat mbeten të mbërthyera në të njëjtën varfëri infrastrukturore, sikur koha të ketë ndalur për to?
Para ca kohësh, këtë realitet e përjetova vetë. Së bashku me 15 familjarë, u nisëm nga Tirana drejt fshatit tim të lindjes, Çerricë, në Tomorricë. Distanca ishte rreth 120 kilometra: 90 kilometra deri në Gramsh dhe 30 të tjerë nga Gramshi në Çerricë. Në letër, një udhëtim që duhej të ishte i zakonshëm. Në realitet, një sprovë më vete.
Për të përballuar rrugën, na u deshën katër makina, dy prej tyre fuoristrada. Deri në Gramsh udhëtuam për rreth 90 minuta, në një rrugë të mirë dhe të bukur. Por aty mbaronte edhe normaliteti i udhëtimit.
Në Gramsh lamë dy makina në parkim, u ngjeshëm në dy fuoristradat e mbetura dhe u nisëm drejt Çerricës. Për vetëm 30 kilometra na u deshën plot tri orë! Dhe kjo nuk ishte ndonjë fatkeqësi e rastësishme, as ndonjë pengesë e përkohshme. Ishte dhe, në thelb, mbetet pasqyra e një realiteti të lënë pas dore.
Asaj që quhet rrugë, rrugë nuk mund t’i thuash. Në më shumë se 15 kilometra, udhëtimi bëhet përgjatë zallit të lumit të Tomorricës, mes gurëve, gropave dhe vështirësive që e kthejnë çdo lëvizje në një sprovë për automjetin dhe udhëtarin.
Lumi i Tomorricës shtrihet në një gjatësi prej rreth 45 kilometrash, nga Narta e Krushova, në territorin e Bashkisë Gramsh, deri në Gjogovicë e Përrenjas, në territorin e Bashkisë Skrapar. Përgjatë dy brigjeve të tij, në rrëzë të maleve të Koshnicës, Tomorrit e deri drejt Ostrovicës dhe Dërvrisë, shtrihen rreth 40 fshatra.
Për të shkuar në Tomorricë, përshkrova itinerarin më të shkurtër nga Tirana, nëpërmjet Gramshit. Rruga tjetër, Tiranë–Çorovodë–Gjerbës–Tomorricë, i kalon 220 kilometrat dhe, në disa segmente, paraqet vështirësi edhe më të mëdha. Pra, nuk kemi të bëjmë vetëm me një rrugë të keqe, por me një krahinë të tërë që mbetet e izoluar për shkak të mungesës së lidhjeve të përshtatshme rrugore.
Dhe këtu qëndron paradoksi më i madh.
Po t’i krahasosh krahinat e Lumit të Vlorës dhe të Lumit të Tomorricës për nga bukuritë natyrore, peizazhet malore, lumenjtë, traditat dhe mundësitë për zhvillimin e turizmit, Tomorrica nuk ka pse të ndihet më pak e privilegjuar nga natyra. Përkundrazi, ajo zotëron pasuri që, po të lidheshin me infrastrukturën e duhur dhe me një politikë serioze zhvillimi, mund të shndërroheshin në burim mirëqenieje për banorët.
Një krahinë nuk mund të mbahet gjallë vetëm me fjalë për traditat, me lavdërime për bukuritë e saj apo me premtime të përsëritura sa herë afrohen zgjedhjet. Ajo ka nevojë për investime konkrete, për rrugë, për shërbime dhe për një strategji që ta nxjerrë nga izolimi.
Nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë atë që u takon të gjithë qytetarëve: mundësi të barabarta për të jetuar, punuar e zhvilluar vendin e tyre. Kërkojmë që edhe fëmijët e Tomorricës të mos e shohin vendlindjen si një vend nga i cili duhet ikur patjetër, por si një hapësirë ku mund të ndërtojnë të ardhmen.
Dhe, në fund, më rikthehet në mendje ajo shprehja e vjetër, e hidhur, por ende e gjallë në ndërgjegjen tonë: «Ca të nënës e ca të njerkës!»
Lumi i Vlorës e ka kthyer një nevojë jetike në një realitet të prekshëm. Lumi i Tomorricës vazhdon ta presë atë realitet, sikur të ishte një ëndërr e stërlashtë.
Por banorët e Tomorricës nuk kanë nevojë për mëshirë dhe as për premtime të reja. Kanë nevojë për drejtësi, për vëmendje institucionale dhe për një rrugë që t’i lidhë me jetën normale.
