Ibrahim Braho / Sa më të thella gjurmët që lë pas, aq më i pavdekshëm bëhet njeriu
20 vjet e më përpara Ibrahim Braho ka qenë një figurë publike shumë e njohur në Durrës, aq e njohur sa edhe një fëmijë të vogël të pyesje, të tregonte fill e për për pe për të, pasi kishte dëgjuar që emri i tij lakohej për mirë pothuase në të gjitha familjet durrsake.
Ibrahim Braho kishte lindur në fshatin Gradec Qendër të Skraparit. E kaluara e tij zinte fill që gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kur, ai fare i ri, pati lidhje me mikun e tij, militantin e shquar Kahreman Yllin dhe luftëtarë e drejtues të tjerë të luftës në Skrapar si: Mestan Ujaniku, Zylyftar Veleshnja, Ramiz Aranitasi e të tjerë.
Kështu ai që në fillim u hodh në çetë, pastaj në Batalionin “Riza Cerova” dhe më pas akoma, në Brigadën e 7 – Sulmuese, ku u bë edhe kuadër i saj, duke luftuar deri në Jugosllavi.
Por detyrat me sa duket nuk kishin mbaruar me kaq, fitoret e arritura me gjak duheshin mbrojtur po me gjak e me sakrifica.
Nuk kishte kohë për çlodhje. Ndaj pas çlirimit u caktua me detyra në organet e mbrojtjes popullore në Veri të vendit.
Këtu ai kaloi për një kohë të gjatë maleve dhe shkrepave, në shi e në dëborë, ditën dhe natën në asgjësimin e bandave të armatosura të ardhura nga jashtë. Lufta para kësaj ishte lule, se e kishe armikun përballë, por këtu çdo hap ishte i rrezikshëm.
Edhe këtë detyrë Ibrahimi e kreu me devotshmëri dhe përkushtim të lartë, derisa u transferua në Durrës, në një sektor të rëndësishëm ku i kërkohej profesionaizëm e përgjegjësi ligjore.
Për të edhe puna ishte si lufta. Ai u gjet në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, në aksionet e njëpasnjëshme që organizoheshin atëhere në qytetin bregdetar, duke shpalosur cilësi e aftësi të një njeriu punëtor e të aftë për çdo detyrë që i ngarkohej.
E, ndërsa ishte në kulmin e punës drejtuese në Durrës, ende pa u stabilizuar me familje, në vitin 1967, doli Letra e Hapur e Komitetit Qendror të PPSH, sipas së cilës, një pjesë e mirë e nëpunësve të administratës shtetërore, do të shkonin në prodhim, punëtorë të thjeshtë.
Ibrahimi qe i pari që shprehu gatishmërinë për të shkuar direkt në prodhim, pa asnjë justifikim, pa asnjë pretendim. Hoqi kostumin dhe kollaren e zyrës dhe veshi kominoshet e punëtorit. I ra të punonte në Portin Detar direkt punëtor.
S’do të kalonin shumë muaj dhe Brahimi do të thirrej dhe do të caktohej në një detyrë tjetër, atë të drejtorit të Ushqimit Social në Durrës, një ndërmarrje problematike me plane të pa realizuara me vite të tëra.
Aty drejtorët nuk ngrohnin karrige, ndërroheshin shpesh. Dikush ga shokët e rekomandoi të mos shkonte se do të diskreditohej. Por ai nuk dëgjoi, iu përvesh punës dhe për pak muaj e nxori ndërmarrjen nga prapambetja. Më pas kjo ndërmarrje u rëndit ndër më të përparuarat në Durrës.
Pas kësaj detyre, të tjera më të mëdha e më me përgjegjësi do ta prisnin. Ndihej nevoja e përmirësimit të punës në Ndërmarrjen e Turizëmit. U gjend i përshtatshëm Ibrahimi për të drejtuar këtë ndërmarrje, pasi kishte fituar përvojë.
Punoi aty për një kohët të gjatë, ku shpalosi vlerat e tij si drejtues, organizator i aftë, njeri korrekt dhe i përkushtuar deri sa doli në pension.
Për merita në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe më pas në punë, Ibrahimi është nderuar me tituj dhe dekorata të ndryshme.
Më 9 maj 2008, në Ditën e Rënies së Fashizmit, ai mori një vlerësim tjetër të madh, dekoratën me vlerë ndërkombëtare të akorduar nga Presidenti i Rusisë, si Pjesëmarrës Aktiv në Luftën e Dytë Botërore.
Ibrahimi ka vite që ka ndërruar jetë, duke lënë gjurmë të thella kujtese, aq sa për shumë të moshuar në Durrës, duket sikur shetit ende në rrugën “Skënderbej”, me atë ecjen e tij karakteristke, me gazetë në dorë, mes shokëve të Luftës dhe të Punës, Sabri Sevranin, Qemal Mançen, Aqif Yllin, Njazi Braçen etj.