Iliaz Kapxhiu dhe humori i tij brilant
Iliaz Kapxhiu ka qenë një nga miqtë e mi më të mirë, pothuajse që nga fëmijëria e deri vonë. Jeta ime intelektuale është e lidhur shumë me këtë njeri, që, me gjithë huqet, me punën, ndershmërinë e tij, por edhe me një humor të jashtëzakonshëm, që priste thellë dhe hollë, ishte bërë i njohur jo vetëm në Skrapar, por edhe në rrethet intelektuale të vendit, sidomos për shkrimtarët dhe artistët.
Në përvjetorin e parë të vdekjes së tij të papritur e të parakohshme, unë, ashtu i nxehtë, me përjetimet e dhimbjes që të jep mungesa e një krahu të shëndoshë, për të mos i mbuluar pluhuri i harresës, hodha shpejt e shpejt në letër një pjesë të humorit të tij spontan, atë pjesë të pashkruar, por që njerëzit i tregonin si barsoleta, dhe nxora me to një libërth të këndshëm humori, jo klasik, por thjesht një botim homazhi, që u prit mirë, nga familja domosdo, por edhe nga miqtë e shumtë të Iliazit. Një miku im i vjetër, gazetar, Kristo Mërtiri, gjatë një vizite në shtëpinë e Dritëro Agollit, kishte parë në raft, të vënë në mënyrë ballore, librin tim me portretin e Iliazit në kopertinë. Kur kish kërkuar leje për ta parë, Dritëroi i kish thënë se të gjithë librat i vinte përbri, por atë e mbante përballë, në vend të një kornize kujtimi të një miku të pazëvendësueshëm si Iliazi. Dritëroi i kish treguar Kristos një nga “flakërimat”, ku tregohej se një herë me një skraparlli Iliazi i kish dërguar atij një lepur të majmë, me veshkat tërë dhjamë, të cilit i kish futur brenda në bark një faqorkë raki dhe një pusullë ku shkruhej: “I dashur Dritëro, thonë se lepuri nga frika nuk vë dhjamë, por në Skrapar edhe lepujt nuk kanë frikë”! “Kam qeshur me lot kur e kam lexuar, por edhe jam menduar pas asaj sentece humori, pikë e pikës së rakisë, por edhe filozofike, për atë krahinë të urtë e mikpritëse, që unë kam dobësi të veçantë”, i kish thënë Dritëroi Kristos i emocionuar.
Dhe vërtet, Iliaz Kapxhiu ishte nga ata shkrimtarë që më shumë se veprat, shkëlqeu për bashkëqytetarët e tij me shembullin i njeriut të kulturuar, të qytetarit dinjitoz, të mençur e të gjithëpajisur me cilësitë më civile të njeriut. Vdekja e tij e parakohshme, në moshën 56-vjeçare, la një boshllëk të ndjeshëm në fushën e humorit, ku ai lëvroi një jetë të tërë, por edhe në jetën kulturore e artistike të qytetit të Çorovodës, ku ai kaloi gjithë jetën e tij. Tani shumë miq dhe shokë të tij, por edhe brezni nxënësish që ai kaloi nëpër duar, megjithëse janë larguar nga Skrapari, e përmendin shpesh në biseda, tregojnë barsoletat, nastradinllëqet dhe hazërxhevapet e tij plot kripë, por edhe aspekte të jetës së tij të trazuar dhe interesante. Si një njeri që s’të linte kurrë në mes të udhës, po dhe të linte në mes të saj, kur diktonte se ia kishe me hile, Iljazi kujtohet nga të gjithë si një opozitar kokëfortë, i pa pajtueshëm me çdo gjë që nuk shkonte mirë. Dhe nga kjo ai shpesh e pësonte. Këtë e tregon edhe fakti që, në dyzet vjet punë, ai bëri njëzetë e ca lëvizje si mësues, duke shkelur si i ndëshkuar pjesën më të madhe të fshatrave të Skraparit.
Ka një kontrast interesant, të çuditshëm te ky njeri, megjithëse i thartë dhe i hidhur për pushtetarët, përsëri në punë ishte serioz, i aftë profesionalisht, i dashur me nxënësit dhe fshatarët. Shumë kleçka kërkuan pushtetarët e atëhershëm në jetën e Iliazit për ta mposhtur, por në anën profesionale nuk iu qasën dot as te dera. Ishin pikërisht inatçorët e paskrupullt, që u detyruan ta vlerësonin e ta njihnin punën e tij të ndershme.
Sa e pasur dhe aktive ishte jeta e tij si mësues, aq më tepër ishte si krijues dhe artist. Në bibliotekat tona ne sot kemi dy vëllime satirike nga Iliazi: ”Firma e parë”, botuar në vitin 1982 dhe ”Peshqesh i hidhur”, në vitin 1987, tre dramatizime të interpretuara e të vëna në skenë. Janë mbi dhjetëmijë faqe me tregime, fejtone, pamflete, skica humoristike, shkrime të të gjitha zhanreve publicistike dhe letrare të botuara në shtypin e kohës. Miku dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i revistës “Hosteni”, në të cilën gjen me qindra shkrime me pseudonimin Lace Nardeni. I ftuar i përhershëm i ditëve të humorit e të satirës që organizoheshin për vit në Tiranë, Durrës dhe Shkodër.
Personazhet e shkrimeve të Iliazit ishin pushtetarët ligavecë, karrieristë, hajdut e imoralë. Këta lloj anadollakësh dallkaukë, ose nuk e kuptuan kurrë Iliazin, ose bënin sikur nuk e kuptonin. Por një gjë e dinin mirë: ta luftonin me të gjitha mjetet dhe mënyrat. Por ai me harbutët u tregua harbut e gjysmë. Ashtu si në kazanin e rakisë që nxirrte në kopsht, nuk nxirrte bullut, por pikë të parë, çdo gjë që dilte nga pena e Iliazit, dilte e menduar mirë, e plotë, me afirmim qytetar, me kulturë e ndjenjë kombëtare. Ai vërtet fshikullonte paq, pa mëshirë, por kur bindej plotësisht për gabimet e fajet e tjetrit, kur ato ishin të pakundërshtueshme, të bëra me ndërgjegje e paramendim. S’i ra kujt në qafë dhe nuk iu fal kujt për ato që shkruante e thoshte. Dhe është interesante, se shumë nga personazhet e fshikulluar, më vonë u bënë shokë e miq të tij të mirë.
Ai ishte peizazhist në mënyrën e të shprehurit, mjeshtër, krijues i fjalës dhe i frazës, njohës i gjuhës së popullit, ndaj daltonte në atë mënyrë figura groteske të papërsëritshme.
Fitues i disa çmimeve letrare kombëtare në revistën “Hosteni”, “Drita”, “Rilindja” e Kosovës, i vlerësuar me medalje dhe Urdhrin “Naim Frashëri” në fushën e krijimtarisë letrar-artistike.
Krahas krijimtarisë së botuar, kanë mbetur edhe mjaft vepra të pabotuara në dorëshkrim si libri “Personazhe të shqetësuar”, novela “Fati i jetimit”, shumë tregime, fabula, sentenca humori, letërkëmbime etj. Do të duhet një punë e gjatë të gërmosh në bibliotekën e tij, në të cilën gjen faqe librash me dedikata dhe kushtime, blloqe me shënime me vlerë, ditarë, korrespondenca, që përbëjnë një pasuri modeste letrare.
Humor nuk bën dot kushdo, sepse ai është një produkt selektiv mençurie. Vetëm një njeri i kulturuar, erudit, mund t’i interpretojë në atë mënyrë faktet dhe realitetin njerëzor, që t’i bëjë të qeshin njerëzit, por edhe të qajnë njëkohësisht. Iliazi ishte për shokët kripa e gjellës, shpirti i optimizmit. Natyra e tij impulsive, rebele e noprane, por në anën tjetër e butë, e ndjeshme dhe tepër njerëzore, krijoi armiq, domosdo, por më tepër miq e shokë të mirë, që e kujtojnë me dashuri e mirënjohje të thellë. Iliazi kishte edhe një vlerësim tjetër jozyrtar nga shokët dhe kolegët e asaj kohe, si humorist i Jugut, ndërsa në Veri këtë vend e mbante Tefa i Shkodrës.
Ai kishte lidhje të përhershme dhe korrespondencë të rregullt me shokët e punës, veçanërisht të humorit. Janë të shumta letrat që ka dërguar e ka marrë nga Gaqo Veshi, Gjikë Kurtiqi, Filip Çakuli, Tashko Lako, Ferit Lamaj, Tomorr Peza, Shtejfën Palushi etj. Këto letra të këndshme, plot shaka e thumba, përbëjnë një pasuri të vërtetë të pa publikuar, që meriton të njihet e vlerësohet.
Për çudinë e çudirave të kësaj kohe të mbrapsht, duke shkruar për Iliazin, erdhi rasti të kujtoj një nga mjeshtrit e mëdhenj të humorit shqiptar në kohën e socializmit, për të cilin askush deri sot nuk ka folur qoftë edhe një fjalë, Gaqo Veshin (Hyskë Borobojkën), një nga humoristët tanë brilant, që ka sakrifikuar shumë, duke u ndeshur me një shtet të tërë. Nuk e di pse një nga gjinitë më të ëndshme, të kapshme dhe të komunikueshme, si fejtoni, nuk livrohet sot në shtypin shqiptar, por fejtonet e Gaqo Veshit janë një shkollë më vete gazetarie. Mjafton të përmendësh letërkëmbimet e tij të famshme në revistën “Hosteni” me Bamkë Çomangën (Dritëro Agollin) dhe kupton sa therëse ishte thika e humorit për prapësitë e regjimit në fuqi, që përballë profesionalizmit, censura shpesh herë e ndjente veten ngushtë. Gaqo Veshi ishte një nga miqtë familjarë të Iliazit. Ja si shkruan ai në kujtimet e veta për shokun e llogores: “Iljazi ishte minierë ngjarjesh e temash nga më interesantet e më jetësoret, që i rrëfente bukur dhe, kur i shkruante, i qëndiste. Aforizmat e batutat e zgjuara fillonin që nga qoshku te shkallët e deri te arra degë tendë në krye të bahçes… Në shtëpinë e tij kanë bujtur poetë që te Dritëro Agolli, Ali Podrimja e Xhevahir Spahiu, shkrimtarë si Ferhat Cakaj e Nasi Lera, gazetarë të organeve qendrore të shtypit, artistë të skenës, si Artistët e Popullit Pandi Raidhi, Kadri Roshi e të tjerë”.
Më komplekse e bëjnë figurën e Iliaz Kapxhiut dëshirat dhe hobit e tij: futbolli dhe gjahu. Në rininë e tij ai ishte një nga futbollistët më të mirë të skuadrës përfaqësuese të rrethit të tij të Skraparit, “5 Shtatori”, duke lënë mbresa të thella te sportdashësit e shumtë brenda dhe jashtë rrethit. Ai ishte shpirti i skuadrës, që me lojën e bukur e të shkathët, me humorin e rrallë dhe gjestikulacionet në fushë u jepte zemër kolegëve, i bënte ata optimistë dhe triumfues.
Me këtë pasion ai iu dha më vonë sportit të bukur të gjahut. Kurrë s’kthehej duarbosh nga pylli, por çantën e çonte bosh në shtëpi. Të gjithë trofetë i ndante rrugës ndër miq e komshinj, por edhe ndër qenë, pasi qentë ishin jo vetëm një dobësi për të, por edhe një metaforë humori me të cilat janë mbushur fabulat, grimcat humoristike dhe barsoletat e tij.
Megjithëse ia kishin tundur disa herë para hundës çelësat e burgut, Iliazi shpëtoi për mrekulli falë opinionit që e rrethonte dhe njerëzve që e donin, të cilët çmonin ndershmërinë, zgjuarsinë dhe shpirtin e tij fisnik dhe atdhetar. (Z.H)
Më posht po japim disa nga perlat e tij të humorit, të botuara në librin “Flakërimat e Ilja Kapxhiut”
Nga vitet ’90 kur filluan proceset demokratike nëpër kjoskat e gazetave doli edhe gazetat erotike, ndërmjet tyre, më e “famshmja”, “Erosi”. Të privuar dhe të uritur, kishte njerësz që këto gazeta i merrin fshehurazi dhe i lexonin po fshehurazi. Iljazi kishte parë një komshinë e tij kur kishte marrë një të tillë dhe e kishte future menjëherë në xhep.
Natën vonë Ilazi trokiti fort në derën e komshiut:
-Çfarë ke kështu!? – i tha ai i shqetësuar.
– “Erosin”, atë “Erosin” që more në mëngjez, se s’po më zë gjumi!…
■
E pyetën Iljazin: Kur bën seks?
-Kur marr tollonin e mishit, mishin e ha miku, i vjen mikut, unë ruaj gruan se “allasëndëk” i teket mikut.
■
Kur shkonte një herë në Kukës bashkë me skuadrën për një ndeshje futbolli, në rrugë u doli një policë dhe u tha të gjithëve të nxirrnin pasaportat për kontroll. Iliazi i dha dokumentin policit ku brenda ishte një fotografi derrkuci, që ia kishin dërguar për humor për Vitin e Ri.
-Po ky kush është? – pyeti polici.
– Unë, – ia ktheu Iljazi, por kam dalë kur kam qenë i vogël!…
■
Një kryetar këshilli, injorant, i pashkollë, por edhe i poshtër, i shkon Iljazit për kontroll bashkë me drejtorin e shkollës. Pasi mbaroi, po bënin analizën e orës së mësimit. Pas drejtorit, filloi të bënte vërejtje kryetari i këshillit.
-Ndër dhi! – thirri me sa zë kishte Iljazi.
Të dy kontrollorët kthyen kokën, mos kishte ndonjë qen aty pranë.
-Ndër dhi! – përsëritri Iljazi, dhe u kthye nga kryetari i këshillit. – Edhe ato, ai ruan dot e jo të më kontrollosh mua.
■
Në Therepel, për punë femre, u ngatërrua me sherre, fyerje e rrahje tërë fshati.
-S’kanë faj njerëzit, – tha Iljazi, kur mori vesh ngjarjen, – e ka fajin Zoti, që gjërat e mira i fshehu aq thellë!…