Iljaz Sevrani, një nga figurat më të kompletuara dhe nga më simpatiket e Luftës Antifashiste në Skrapar
Iljaz Bejko nga Sevrani i Skraparit kishte kishte një profil intelektual dhe qe me shkollim perëndimor, sepse gjatë monarkisë përfundoi në Tiranë gjimnazin klasik trigjuhësh (frëngjisht, italisht, latinisht).
Pas këtij arsimimi punoi si mësues në Leskovik, në Sadovicë të Beratit, por edhe brenda këtij qyteti, në lagjen “Goricë”.
I doli edhe një e drejtë studimi për nivel universitar në Itali, por kjo nuk u realizua dot sepse, duke qenë se ishte njëri prej pjesëtarëve aktivë të kryengritjes së Fierit, u arrestua. Bëri burg vetëm 8 muaj dhe më pas u lirua për mungesë provash penale.
Pas pushtimit italian Iljazi ishte me ata që donin ta luftonin me armë këtë sundues të ri dhe kjo e shtyu në radhët e të porsaformuarës Parti Komuniste Shqiptare.
Sevrani (Bejko) ishte shumë i shkathët në polemika dhe kreu rolin e përfaqësuesit të Lëvizjes Nacionalçlirimtare në disa debate ideologjike me të dërguar të Ballit Kombëtar në teqenë e Baba Qazimit në Velabisht, në Qafën e Hoxhajve, në Tërpan, në Sadovicë po ashtu.
Në fund të vitit 1943 ishte një nga 18 delegatët e Konferencës së Parë të PKSH për Beratin, prej ku doli me detyrën e të ngarkuarit për veprimet luftarake.
Ndërsa qe komisar i Grupit partizan të Skraparit dhe Zylyftar Veleshja komandant i tij, në 20 janar 1944, në betejën e Tendës së Qypit, mori një plagë të rrezikshme në nofull. U plagos rëndë edhe Veleshnja.
U mjekua në spitalet partizane, por pa u shëruar. Në një gjendje të tillë mori pjesë në një veprimtari propaganduese për Kongresin e Përmetit. Në gusht 1944, pasi plaga në nofull iu përkeqësua, u dërgua në qytetin e Barit në Itali, për t’u mjekuar në spitalin e Aleatëve.
Pasi u mjekua dhe plaga e rrezikshme iu mbyll, u emërua si pjesëtar i Misionit Ushtarak Shqiptar pranë Komandës Aleate, madje nënkryetar i këtij misioni.
Por është e çuditshme, pasi ky fakt nuk i vihet shumë në dukje, por i lihet në hije, megjithëse ka shumë dokumente ku ai ka lojtur një rol protagonist dhe ka firmosur shumë dokumente në atë formacion ndërkombëtar.
Pas Luftës shërbeu si Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë të Skraparit.
Iljaz Sevrani ishte një person me integritet dhe ndershmëri njerëzore të lartë, aspak konformist dhe servil politik, modest por edhe me shpirt protagonist të mjaftueshëm për mos t’u marrë nëpër këmbë.
Atëhere erdhi urdhëri për “luftën e klasave”…për të pasur në çdo fshat kulak, edhe pse shumë prej tyre nuk i ishin kundërvënë me armë Luftës Partizane, por si të pasur e me ndikim në krahinë.
Në një plenum të Partisë Iliazi u shpreh kundër kësaj lufte pa kuptim, që u kundërshtua ashpër nga Mehmet Shehu. Gjithashtu nga disa kuadro të Skraparit, që donin t’i zinin postin, akuzohet se po pajtohet me armikun e klasës, duke ngrënë dreka e darka, sidomos me ata të Dobrushës.
Kështu Iliazi u shkarkua dhe u la në harresë nga monizmi për t’u kujtuar dhe vlerësuar pas vdekjes me dekret nr. 3465 të 4 shtatorit 2002 nga Presidenti i Republikës Alfred Moisiu me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” dhe motiv “Për rolin e rëndësishëm si luftëtar dhe komandant i shquar gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”.