In Memoraiam/ Izet Hysi (Spathara): “Që zjarri i Mehmetaliut të mos shuhet…”

In Memoraiam/ Izet Hysi (Spathara): “Që zjarri i Mehmetaliut të mos shuhet…”

Para 14 vjetësh, në moshën 90-vjeçare, u nda nga jeta në Spatharë të Skraparit, atje ku dhe banonte, veterani i Luftës dhe i Punës, Izet Hysi.

 

Izeti lindi në Spatharë në një familje të madhe dhe të njohur, burrat e së cilës, si i ati i Izetit, Mehmetali Spathara; xhaxhai i tij, Ramiz Spathara, por edhe të afërm dhe bashkëfshatarët të tjerë si Bido Buzuqi (vëllamë me Mehmetalinë), Sulejman e Xhevahir Spathara janë shquar në periudha të caktuara historike për kontributin e tyre të çmuar në çështjen kombëtare dhe kanë zënë një vend të merituar në historinë e Skraparit dhe të Shqipërisë.

 

Lindur dhe rritur në këtë mjedis atdhetar e shoqëror, Izeti trashëgoi shumë cilësi e veti nga të parët e tij, të cilat ndikuan në formimin e personalitetit të tij si një burrë i matur, i prerë, serioz, por edhe të dashur dhe të respektuar nga të gjithë.

 

Që i vogël, për shkak se i ati ishte i sëmurë, i ra barra të bënte punët më të rënda të bujqësisë. Gjatë Lufta Nacionalçlirimtare familja e tij jo vetëm u bë strehë dhe bazë për partizanët, por edhe u radhitën në të edhe tre pjesëtarë të familjes, vetë Izeti në forcat territoriale, vëllezërit e tjerë, Nekiu dhe Hetemi në formacionet e rregullta të ushtrisë. Me krijimin e Këshillave Nacionalçlirimtare ai u zgjodh sekretar i këshillit të fshatit, detyrë që e kreu edhe pas çlirimit. Në vitin 1957 u zgjodh kryetar i kooperativës bujqësore Spatharë; më pas, sekretar i Byrosë së Partisë në Vëndreshë. Në vitet e mëvonshme, duke mos hequr dorë nga detyrat shoqërore e shtetërore që i ngarkoheshin, ai punoi teknik bulmeti deri sa doli në pension.

 

Në jetën bashkëshortore me Bajamen, ata lindën dhe rritën 11 fëmijë, tetë djem e tri vajza; djalin e madh, Bashkimin, mjekun e njohur në gjithë Skraparin, por edhe në Tiranë;  Shkëlqimin, Mehmetin, Bilbilin, Turabiun, Astritin, Viktorin, Mirelin si dhe vajzat Zyranë, Bardhën dhe Fatimenë, të cilët, duke trashëguar një edukatë shembullore familjare, reflektojnë cilësitë më të mira njerëzore dhe gëzojnë respektin e të gjithëve kudo që ndodhen.

Izeti vërtet nuk pati ndonjë karrierë të dukshme në jetën e tij, pasi kjo ishte zgjedhja që ai e bëri vetë për t’iu përkushtuar familjes me punë të ndershme dhe të drejtpërdrejtë, por ai ishte me të vërtet një burrë me një reputacion të jashtëzakonshëm, një njeri që nuk luante nga parimet.

 

Ai, si i thonë fjalës, ishte i normuar si për vete, por edhe për të tërë familjen dhe fisin. E idealizonte dhe e quante të shenjtë të kaluarën e familjes, duke i mbledhur vazhdimisht ku ishin e ku s’ishin vëllezër, nipër e mbesa, miq të afërt e të largët me pozicionin e tij autoritar dhe merakun e vazhdueshëm që “zjarri i Mehmetaliut të mos shuhet kurrë”.