In Memoriam / Bektash Myslimi, vlerat dhe kontributet e veçanta të një njeriu të dashur dhe punëtor

In Memoriam / Bektash Myslimi, vlerat dhe kontributet e veçanta të një njeriu të dashur dhe punëtor

Zylyftar HOXHA

 

I drejtë, i rreptë dhe i vendosur në ato që thoshte dhe bënte, Bektash Myslimi zotëronte në mënyrë të përsosur artin e drejtimit dhe të organizimit të punës, por ishte edhe një mjeshtër i komunikimit njerëzor. Ai mbahet mend në Çorovodë si qytetari më civil, më i ndërgjegjshëm, më i pastër dhe më i pakorruptuar

 

 

 Megjithëse kanë kaluar plot 22 vjet nga ndarja nga jeta, duket sikur ikja e tij nga kjo botë ka ndodhur dje. Janë gjurmët e thella, të pashlyera që ka lënë pas, të cilat bëjnë që ai të mos harrohet kurrë. Nuk ka fshat, familje, arë, livadh, shteg a breg në Skrapar që për 35 vjet me radhë të mos ketë shkelur këmba e tij, të mos jetë dëgjuar zëri i tij.

 

Në fillim si brigadier traktoristësh, më vonë drejtor i SMT- së së rrethit dhe së fundi drejtor i Furnizimit Bujqësor deri sa doli në pension.

 

 

 

Po kush ishte Bektash Myslimi?

 

Bektashi kishte lindur më 18 mars të vitit 1936, në familjen Myslimi në Helmës të Skraparit, një familje me tradita të lashta atdhetare, por që u bë edhe më e famshme dhe historike në pranverë të vitit 1944, kur aty u vendos për 6 muaj me radhë Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

 

Shtëpitë dykatëshe të Myslimëve u lëshuan  menjëherë nga familjarët, të cilët u strehuan nëpër komshinjtë apo kasollet aty pranë dhe u kthyen në zyra të komandës së Shtabit, në të cilat punonte Enver Hoxha, si Komisar Politik dhe Spiro Moisiu si komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Pra, këto shtëpi dhe të tjera në fshat, sidomos ato të Bilimanëve, u kthyen në seli pune nga dilnin vendime dhe urdhra luftarakë dhe më vonë, me të drejtë gëzuan (dhe duhet ta gëzojnë edhe sot) statusin e një baze të  rëndësishme të LANÇ.

 

Por edhe pse e tillë kjo shtëpi, edhe pse Enver Hoxha e kishte mbajtur në prehrë dhe e kishte përkëdhelur kush e di sa herë në kohën e Luftës kur ishte vetëm 7 vjeç, Bektashin nuk e kishte përkëdhelur jeta. I mbetur jetim që i vogël  (i ati, Xhemali dhe e ëma, Razia kishin vdekur shpejtë), Bektashi nuk pati as më të voglin privilegj nga kjo njohje. Të paktën të bënte një shkollë për të qenë.

 

Që fare fëmijë filloi punët e rëndomta të fshatit, deri sa një ditë, kur ishin me bagëti për dimërim në Mallakastër, i mërzitur e i revoltuar nga jeta boheme dhe mjerane që bënte,  i lë ato dhe shkon në Kuçovë për të gjetur ndonjë punë.

 

Ishte 15 vjeç kur, pa ndihmë dhe pa përkrahjen më të vogël, fillon punë në Naftë, në Kuçovë. Pastaj në vitin 1957 e marrin ushtar. Kuptohet, njeri pa njeri, e çojnë atje ku shërbimi ishte më i gjatë, katër vjet, në repartet e Marinës.

 

Pas lirimit, bashkë me të vëllanë e tij, Veliun, që edhe ky, si jetim që ishte, kishte mbetur dyerve të botës, vendosen në Plug të Lushnjes. Nisin punën si punëtorë dhe më pasë si mekanizatorë, traktoristë. E vërteta është se aty dallohen për punë, sjellje dhe si aktivistë shoqërorë.

 

Vazhduan këtu disa vjet, derisa një ditë i thërresin në Komitetin e Partisë të rrethit të Lushnjes dhe iu thonë për të shkuar familjarisht vullnetarë në Skrapar, pra të ktheheshin atje nga kishin ardhur. Natyrisht, nuk e pritën mirë këtë urdhër, po ç’kishte ndodhur?…

 

Ishte koha kur kishte dalë parrulla “T’u qepemi kodrave dhe maleve, t’i bëjmë ato pjellore si dhe fushat” dhe shumë të rinj në brigada vullnetare niu ishin qepur vërtet maleve dhe kodrave duke hapur tarraca dhe toka të reja.

 

Në Skrapar kishte shkuar sekretar i Parë i Rrethit, një njeri pasionant dhe i përkushtuar ndaj direktivavre të Partisë së Punës. Ky quhej Teki Malindi. Në zbatim të direktivës, ai kishte kërkuar të riktheheshin specialistët dhe mekanizatorët, kryesisht traktoristët më të mirë me orgjinë nga Skrapari në Skrapar.

 

Dhe ashtu u bë, në Skrapar në vitin 1965 erdhën njëherësh nga fermat e Lushnjes, ferma e Sukthit, Thumana etj. 30 familje.

 

Puna që bënë ata në hapjen e tokave të reja dhe në mekanizimine bujqësisë ishte vërtet heroike. Traktorët u ngjitën në Qafën e Kulmakut, në Qafën e Gjarpërit, në Çukën e Frëngt. Për herë të parë u prodhua buka në vend dhe u morën rendimente të tilla në bimët e arave që nuk ishin marrë edhe në fusha.

 

Sa erdhi në Skrapar, Bektashit iu ngarkua detyra e brigadierit të traktoristëve të zonës së Malindit. Pas katër vjetësh si brigadier, emërohet drejtor i SMT-së në Skrapar, detyrë që e kryen për 12 vjet me radhë.

 

Pas kësaj e emërojnë në një detyrë tjetër po me bujqësinë, përgjegjës i Bazës së Furnizimit të Bujqësisë, ku punoi për 15 vjet me radhë deri sa doli në pension.

 

Nën drejtimin e tij 30-vjeçar në ndihmë të bujqësisë, u bë një hap i jashtëzakonshëm, një revolucion i vërtetë tekniko- shkencor për mekanizimin e saj. Në terren të vështirë, u hapën me qindra hektarë tokash të reja, si dhe u përmirësua cilësia e punimit të tokës që çoi në rritjen e rendimenteve të drithërave të bukës dhe të bimëve të tjera të arave.

 

Bektashi ishte nga ata njerëz që, kur marrin përsipër një gjë, bëjnë të pamundurën për ta realizuar. I drejtë, i rreptë dhe i vendosur në ato që thoshte, ai zotëronte në mënyrë të përsosur artin e drejtimit dhe të organizimit të punës. Para se të merrte një vendim a të jepte një urdhër, ai konsultohej me vartësit, merrte mendimin e tyre, mendimin e punonjësve të administratës, kolektivit, por edhe të specialistëve të thjeshtë.

 

SMT-ja e Skraparit me 200 e ca punëtorë, mekanizatorë, traktoristë ishte ndërmarrja më e mirë në rreth, ku jo vetëm realizoheshin detyrat për vetë ndërmarrjen, por ajo u vinte në ndihmë edhe ndërmarrjeve të tjera dhe kooperativave bujqësore për ngritjen e objekteve socia-kulturore për ndërtimin e e rrugëve automobilistike, ujësjellësve etj.

 

Kontributi i tij ka qenë i padiskutueshëm dhe i veçantë, si në artin e drejtimit administrativ, por edhe në atë shoqëror. Bektashi ishte mjeshtër i komunikimit njerëzor. Ai mbahet mend në Çorovodë si qytetari më civil, më i ndërgjegjshëm, më i pastër dhe më i pakorruptuar.

 

Nuk ka njeri në Skrapar nga mosha 40 vjeç e lartë të mos e ketë njohur, të mos ketë biseduar, dëgjuar apo ndjerë dorën dhe fjalën e tij të ngrohtë.

 

Ka një mall të patretur për këtë njeri të mirë, pasi iku shpejt, por që gjurmët i la të thella dhe të pashlyeshme.

Eshtë kjo arsyeja që nuk harrohet lehtë Bektash Myslimi.