In memoriam/ Dy vjet pa Ryfet Qafokun, pa një prej mjeshtrave më të njohur të rakisë së Skraparit
Zylyftar HOXHA
Ryfet Qafokun e kam pasur njohur që herët, që kur Ryfeti ishte një nga gjimnazistët e parë të gjimnazit të Çorovodës dhe unë një vit pas tij, por edhe në vitet e mëvonshme si bashkëqytetar, puna dhe hallet e përbashkëta na bënë ta ruanim gjatë shoqërinë dhe respektin për njëri-tjetrin. Ishte kënaqësi dhe një nga momentet më të bukura të asaj dite, kur, rastësisht, këtu në Tiranë, takoheshim me Ryfetin dhe, edhe pse në nxitim e sipër, tregonim, qeshnim dhe kënaqeshim me episode të së kaluarës sonë.
Por lidhja dhe respekti për këtë familje u forcua më tëpër kur unë punova për disa vjet në gazetën “Tirana Observer” me Roland Qafokun, djalin e madh të Ryfetit, ku ai ishte kryeredaktor dhe unë gazetar.
Është pjesa më e bukur e veprimtarisë sime puna në këtë gazetë, pasi, falë Rolandit, kishim një liri profesionale që nuk e kam gjetur në asnjë nga gazetat ku kam punuar. Aty bënim atë që donim, ashtu siç donim; bënim atë që dinim, ashtu siç dinim. Dhe e bënim mirë.
Janë këto arsyet që ndjej detyrim t’i them dy fjalë për këtë familje dhe për mikun tim, Ryfetin, që nuk është më, por që ka lënë pas gjurmë të një njeriu korrekt e të dashur në punë, në shoqëri e kudo, të një familjari shembullor, gjurmë të thella dhe të pashlyeshme që do ta mbajnë gjallë dhe gjatë kujtimin e tij.
Ryfet Qafoku lindi më 23 qershor 1943 në Vërzhezhë të Skraparit, në një familje të njohur me tradita të spikatura atdhetare në të gjitha periudhat historike. Ai ka lindur, siç thoshte vet gjithmonë, në një çast delikat për t’u mbajtur mend, kur të gjithë banorët e fshatit lanë shtëpitë dhe u ngjitën në malin e Ramies, pasi po hynte ushtria gjermane për të bërë raprezalie dhe djegur fshatin.
Babai i Ryfetit, Muharremi, ka qenë një njeri i njohur nga i gjithë Skrapari, si një burrë zakoni, me virtyte të çmuara, me sjellje civile dhe humane, që i shfaqi në një kohë të vështirë, të mungesës së bukës, kur ai punonte si shpërndarës i drithit në ndërmarrjen e grumbullimit dhe kur fshatarët e varfër zinin radhë me ditë të tëra për të marrë racionin e berqetit që u takonte në bazë të listave për frymë.
Megjithëse kishte qenë për 20 vjet xhandar në Qeverinë e mbreti Zog, nga viti 1945 deri në vitin 1943, në disa rrethe të vendit si: në Shkodër, Kukës, Burrel, Berat dhe Leskovik etj., ai nuk u cënua nga regjimi komunist, i cili ish-xhandarët i kishte futur në kategorinë e armiqve të së ashtuquajturës “lufta e klasave”, përkundrazi ai nderohej dhe respektohej si një luftëtar, pasi në vitin 1943 e deri në çlirimin e vendit ishte rreshtuar në njësitë partizane, duke sakrifikuar edhe jetën.
Në vitin 1946 Muharremi vendoset familjarisht në qytetin e Çorovodës, ku zë fill edhe jeta dhe veprimtaria e Ryfetit, personazhit të këtij shkrimi.
Pas përfundimit të gjimnazit dhe më pas edhe të detyrimit ushtarak, ai u specializua si teknolog pijesh. Si një profesion tepër i kërkuar sidomos për Skraparin, i njohur për kultivimin e rrushit dhe të frutave, Ryfetin e caktuan në Fabrikën e Rakisë dhe të Verës, e ndërtuar nga Rusët në vitin 1959.
Aty ai gjeti ustallarë të vjetër, të mirë të rakisë dhe të verës si Rushit Hysko, Shefki Hysi etj., por fabrika ishte fabrikë me një prodhim të gjerë që ndryshonte nga prodhimi artizanal i rakisë, dhe që, në fund të fundit, duhet të ruante dorën e rakisë tradicionale të kazanit të vogël, rakisë të njohur të Skraparit. Të mos dallonte si “raki fabrike”, përkundrazi t’ia kalonte asaj.
Por nuk ishte e lehtë, për disa dekada si drejtues dhe menaxhues përgjegjës i fabrikës, ai bashkë me specialistët e tjerë dhe me punëtorët, arritën t’ia rritnin emrin dhe famën rakisë dhe verës së Skraparit, duke e bërë të kërkuar në gjithë tregun vendës, por edhe në atë të huaj.
Mjafton të sjell këtu një detaj, se një pjesë e kësaj rakie, e mbushur në shishe me etiketën e “Raki Skrapari”, përdorej për kortezi si një nga dhuratat më të bukura që hapte dyer edhe “me 100 kyçe” të ishin.
Vit pas viti, ditë e netë në punë, sidomos në sezonin e fermentimit dhe të zjerjes, Ryfeti u bë një mjeshtër i pakonkurrueshëm në profesion. Puna e tij ishte e dukshme dhe e pasqyruar në çdo prodhim me markën “Skrapar”, ndaj pikërisht për këtë, Komiteti Ekzekutiv i kp të rrethit, i dha Titullin “Mjeshtër”, i njesuar në atë kohë ky titull me profesionin e inxhinierit teknolog.
Nuk ka artist, aktor, gazetar, shkrimtar që të ketë shkuar Çorovodë dhe të mos ketë vizituar fabrikën e rakisë të prodhuar nga duart e Ryfet Qafokut.
Dy shkrimtarët e mëdhenj shqiptarë, Ismail Kadare dhe Dritero Agolli e kanë cilësuar rakinë e prodhuar nga Ryfet Qafoku si një mrekulli shqiptare.
Çdo komb ka pijen e vet. Shqiptarët kanë rakinë. Dhe kjo raki prodhohet në Skrapar.
Do ta mbyllja këtë shkrim me një thënie të Ryfetit për tri pijet magjike të Skraparit, rakinë, verën dhe rehaninë: “E dini pse rakia e Skraparit është e mirë!? – thoshte ai. Për tri arsye: E para, se edhe rrushi është i mirë, rrush shullëri, lisi dhe herekeje; e dyta, se skraparlliu është i kujdesshëm, është mjeshtër në të gjithë rrugën teknologjike të prodhimit të rakisë; dhe, e treta, se skraparlliu fut shpirtin dhe mirësinë e zemrës së tij në të”.
Nuk janë fjalë dokudo, por janë fjalë të një postulati që nuk pranon diskutim, pasi janë thënë nga një njohës i thellë dhe selitës me duar e shpirt të këtyre prodhimeve, si Ryfet Qafoku.
Hidhni sot një gotë plot, në kujtim të mjeshtrit të rakisë së Skraparit!…