In Memoriam/ Ja pse s’harrohen njerëz të tillë si Bektash Alushani (Gjerbësi)!…

In Memoriam/ Ja pse s’harrohen njerëz të tillë si Bektash Alushani (Gjerbësi)!…

 

Për Bektash Alushanin nga Gjerbësi i Skraparit, kujtimi dhe dashuria njerëzore do të mbetet e paharruar nga të gjithë ata që e kanë njohur apo dëgjuar për të, se i tillë ishte, i nderuar dhe i respektuar, i thjeshtë, i drejtë, gojëmbël, i prerë në biseda e i urtë në këshilla. Familja e tij ishte mikpritëse dhe e dalluar për hyrje  e dalje të miqve dhe udhëtarve të shumtë.

 

 

Bektashi ka lindur në Gjerbës në vitin 1911 në një familje të njohur dhe me traditat më të mira në të gjithë krahinën e Tomorricës dhe të Skraparit. Jeta ishte treguar e ashpër me të. I mbetur jetim ishte rritur “dyerve të botës”, nën kujdesin e dajallarëve dhe kushërinjve të babait. Ende fëmijë kishte punuar për të nxjerrë bukën e gojës.

 

 

Kur arriti moshën, u martua me Fatimenë nga Vishanji, edhe kjo jetime, me të cilën bëri 12 fëmijë:  Ajliun, Xhevairen, Nedimenë, Fidaeten, Këzen, Safeten, Xhiten, Nesimin, Luizën, Lenën, Bujarin dhe Meritën, të cilët ecën në gjurmët dhe nën shembullin e tij, u shkolluan, krijuan familjet e tyre, duke ruajtur emrin dhe namin e mirë të familjes dhe prindërve të tyre.

 

 

Nuk mund të bësh dallim për aftësitë dhe cilësitë e tyre, por në këtë rast do të veçonim, djalin e madh të Xha Bektashit, profesor Ajli Alushani, një emër dhe figurë e njohur publike jo vetëm në të gjithë Shqipërinë, por edhe në trojet dhe diasporën shqiptare.

 

 

Bektashi ka bërë një jetë të thjeshtë dhe të shëndetshme. Ai vazhdimisht ka punuar në bujqësi dhe me punën e tij ka mbajtur familjen e tij të madhe. Për kushtet e kohës, nuk kishte marrë arsimin e duhur, por kishte një inteligjencë që, si duket natyra, duke parë mangësitë dhe vështirësitë e tjera, ishte treguar zemërgjerë me të, duke i dhuruar dhunti të çuditshme mençurie.

 

 

 

Si njeri i nderuar dhe respektuar, ishte një pikë referimi në Gjerbës dhe atë që nuk e arriti dot për vete, e kërkoi te fëmijët, që t’i arsimonte. Dhe ia arriti.

 

 

Gjatë Luftës së Dytë Botërore ndjenjat atdhedashëse dhe botëkuptimi i tij bënë që ai të orientohej lehtësisht në favor të lëvizjes antifashiste që kishte filluar luftën kundër okupatorëve të huaj. Nuk ishte rastësi fakti që Bektashi u zgjodh anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit qysh ditën e parë të formimit të tij, në dhjetor të vitit 1942, ku militoi deri në çlirimin e vendit dhe në vazhdim.

 

 

Ai ka qenë një nga çetarët e parë të çetës plakë të Skraparit të formuar në 14 mars 1942, që komandohej nga Mestan Ujaniku dhe komisar Gjin Marku.  Më pas u hodh në batalionin territorial të zonës, ku mori pjesë në disa aksione të luftës në zonën e qarkut të Beratit.

 

 

Siç e kemi thënë edhe më sipër, shtëpia e Bektash Alushanit ishte një shtëpi e udhëtarit, nevojtarit dhe miqve të shtëpisë, ndërsa në Luftë, ajo i hapi dyert kat më kat edhe për luftëtarët e lirisë, duke u kthyer në një Shtëpi Bazë e LANÇ-it.

 

 

Pas luftës Bektashi, natyrisht, mbështeti dhe përkrahu pushtetin e ri që u vendos në vend si dhe reformat e ndërmarra prej tij. Ai punoi me sinqeritet si bujk dhe u zgjodh në organet drejtuese të fshatit dhe kooperativës. Partia e Punës e pranoi në radhët e saj, sepse kishte nevojë për njerëz të tillë.

 

 

Në vitin 1978, në moshën 65 vjeçare, Bektashi përfitoi pension fshati. Në vitin 1983 shkoi pranë djalit të madh, Ajliut në Tiranë, ku kaloi një pleqëri të mirë.

 

Vdiq në 3 qershor 2005, duke lënë pas kujtimin e mirë të një burri me cilësi dhe virtyte të rralla njerëzore.