In Memoriam / Kastriot Koçi, trimi, besniku, fisniku…
Ilmi Qazimi
Kastriot Koçin këto ditë e kemi midis nesh dyzetenëntëvjeçar. Na duket sikur ai nuk është larguar nga jeta, por thjeshtë për një pushim paksa më të gjatë se zakonisht.
Lindi në Strorë të Skraparit më 2 maj të vitit 1960. Një vit pasi kishte kryer me nota shumë të mira gjimnazin “Ramis Aranitasi” në Çorovodë, iu bë e mundur realizimi i ëndrrës për të vazhduar studimet për kuadër ushtarak.
Diplomohet nga shkolla e lartë e minstrisë së punëve të brendshme, dhe me urdhër të Ministrit të Brendshëm nr.1142, datë 30.06.1984 titullohet oficer, titull që ai e mbajti me nder e krenari për 24 vjet.
Emërohet për herë të parë në detyrë si oficer i përzgjedhur për të shërbyer në Gardën e Republikës së Shqipërisë.
Dihet se për të punuar në atë njësi duhej të plotësoje disa kritere të posaçme dhe të kishe disa cilësi morale e profesionale që të ishe në gjendje t’iu përgjigjeshe detyrave speciale. Pikërisht sepse ai i plotësonte këto, e emëruan aty në detyrën, fillimisht, komandant toge.
Ai zotëronte artin e komunikimit me vartësit; jo vetëm nuk krijonte probleme si shumëkush tjetër, por dinte t’i paraprinte e t’u jepte zgjidhjen më të mirë atyre dhe pa bërë bujë. Në këtë detyrë ai qëndroi deri më 29 shkurt 1988, duke lënë gjurmë ta pashlyera te shokët, vartësit dhe eprorët.
Me urdhrin nr. 1482/3, datë 06.10.2000, Kastrioti emërohet oficer shoqërues në grupin e shoqërimit të kryetarit të Këshillit të Ministrave, Ilir Meta, detyrë që e kreu deri në fund.
Kastrioti punoi me profesionalizëm e përkushtim ndaj detyrës, që ai dinte më së lartmi ta vlerësonte. Të jesh truproje i një kryeministri të një shteti në formësim, në rrethana politike të ndezura e të mbarsura me të papritura fatale, nuk është aspak e lehtë, për të mos thënë se është detyrë që pak kush e pranon ta kryejë.
Ishte ndjenja e lartë e përgjegjësisë ndaj detyrës, ndjenja e sakrificës deri në vetëmohim, bindja e patundur se duke ruajtur e siguruar një personalitet të lartë po i shërben atdheut, familjes dhe tërë shqiptarëve. Ishin këto ideale që sundonin ndërgjegjen e tij prej ushtaraku të plotformuar, të skraparlliut virtuoz dhe, mbi të gjitha, të një njeriu me shpirt njeriu.
Ishte njeri krejt i zakonshëm dhe i natyrshëm. Ai nuk bënte asnjë veprim për t’u dalluar nga të tjerët. Ai punoi pa zhurmë, pa mburrje dhe pa veprime të ekzagjeruara. Kaçit nuk i duheshin aspak gjërat e tepërta. Ai ishte fare i thjeshtë. Në nurin e tij burrëror kishte ëmbëlsi që të impononte respekt.
Në kryerjen e detyrës, Kastrioti nuk përdorte zbukurime, as gjeste e as parulla. I qetë dhe i pabujshëm, i çiltër dhe i ngrohtë, ai për këdo që e pa direkt apo në televizion, mbeti figura e pastër e një njeriu që di të punojë vetëm me nder.
Anë e kënd Shqipërisë dhe në shumë vende të botës, në Tropojë apo Sarandë, në Vlorë apo në Korçë, në Amsterdam apo në Shkup, në Athinë apo në Ëashington, e kreu vetëm me përkushtim detyrën, duke vënë shumë herë, pa aspak mëdyshje, jetën e tij në portën e vdekjes për të mbrojtur shefin dhe dinjitetin shqiptar. Ai kudo e kurdoherë manifestoi virtyte të atilla që mbeti shembulli i përkryer i truprojës së një personaliteti shtetëror, duke lënë gjurmë të pashlyera në kujtesën e eprorëve, kolegëve të tyre, homologëve të vet dhe shokëve në mbarë vendin.
Siç del edhe nga kujtimet e shokëve e shoqeve të profesioneve e të moshave të ndryshme, rrethi shoqëror i Kastriotit ishte shumë i larmishëm, në çdo cep të atdheut dhe jashtë tij, sepse ai ” nuk shikonte kurrë as rrobën e as postin por robin”. Ai shikonte njeriun, ai dinte të bënte miq dhe t’i mbante ata; ai dinte të vlerësonte njeriun dhe njerëzoren.
Kastrioti ishte i dashur me të tërë. Ishte shumë i çiltër. Kështu me eprorët, kështu edhe me vartësit. Ai ishte kundër servilizmit, nuk donte të zvarritej, por shikonte përpara. Ishte principi i tij idealist që vetëm me aftësitë e veta të ecte në jetë.
Në detyrën e vet si oficer sigurie u bë pa më të voglin dyshim, personalitet i njohur kombëtar. Shumëkush ka parë në pjesët filmike të televizioneve që në krah të Ilirit ishte edhe Kaçi ynë që kryente detyrën.
Sa herë kemi thënë: ”Ja Kaçi” dhe gëzoheshim se e donim të gjithë aq shumë. Ai ishte një njeri fjalëpakë e punëshumë. Shpesh herë shprehte mospëlqim kur e teproje me pyetje. Vetëm puna kishte zënë vend atje në shpirtin e mendjen e tij. Të gjithë e çmonin atë buzëqeshjen e tij të veçantë në shakatë që bënin me shokët, miqtë dhe njerëzit e vet. Do ta përcaktonim pa ndrojtje si një njeri gojëmjaltë.
Ishin dhuntitë e cilësitë morale dhe kompetenca profesionale e Kastriotit që impononin respekt ashtu si tek të tjerët edhe te shefi i tij, ishkryeministri i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta, me të cilin Kastrioti (apo siç e thërrisnin të gjithë Kaçua) punoi plot dhjetë vjet. Kështu edhe caqet e marrëdhënieve midis të dyve nuk qenë asnjëherë thjeshtë brenda detyrës por në tërë kompleksin njerëzor e familjar. Iliri e donte dhe e respektonte Kaçin sepse shihte te ai njeriun e sinqertë, me një figurë të pastër morale, pa asnjë njollë e prapamendim. Kaçi nuk iu vuri veshin të drejtave të tij përballë detyrave.
Qenia e tij bujar, i ndershëm, zemërgjerë, e lartësuan më shumë fisnikërinë si një virtyt të çmuar e të rrallë nëpër kohëra, sidomos tek figura e kuadrove që për shkak të pozicionit shoqëror anojnë nga interesat e ngushta dhe momentale. Kastrioti ishte një shqiponjë para të atillëve që zvarriten e qaraviten.
Kastriot Koçi jetoi me botëkuptimin e tij filozofik: ”Jeta është një dhuratë perëndie; lum ai që lë sa më shumë gjurmë të thella mirësie njerëzore”. Ky koncept i tij buronte nga geni i trashëgimisë, u brumos në shkollimin e tij dhe u lidh natyrshëm me dhuntitë e tij individuale së toku me cilësitë e karakterit të tij të kalitur në praktikën e jetës së një oficeri dinjitoz.
Ndjenja e të qenit besnik ndaj detyrës dhe shefit, ndjenja e dashurisë së qëndrueshme ndaj punës dhe eprorit, ndjenja e burrërisë dhe e qëndrueshmërisë së patundur në të gjitha llojet e marrëdhënieve të sinqerta me shefin e detyrën, janë disa cilësi që spikatin për tërë vitet e jetës së tij.
Njeri që nuk di të ndryshojë aspak e në asnjë rrethanë qëndrimin korrekt, respektin dhe dashurinë për shefin, që ndjek e zbaton me këmbëngulje parimet, rregullat dhe vijën e drejtë, Kastrioti ishte dhe mbetet i vetmi person në individët përbërës të atij grupi rojash, portreti i të cilit përputhet plotësisht me të vërtetën e të qenit vetëm besnik dhe fisnik.
U nda nga jeta më 27 janar 2008 nga një sëmundje e rëndë, një ndarje e përkohëshme, pasi, ai, për gjithë ato cilësi dhe vlera njerëzore që manifestonte, rron dhe do të rrojë në mendjet dhe në zemrat e gjithë njerëzve që e kanë njohur.